Vigenin – Ahmeti: Nganjëherë anëtarësia në BE kërkon kompromise

Eurointegrimi i Maqedonisë varet nga nënshkrimi i marrëveshjes për marrëdhënie ndërfqinjësore ndërmjet dy vendeve, së bashku me implementimin e reformave të rekomanduara nga Komisioni evropian, i ka potencuar shefi i diplomacisë bullgare, Kristian Vigenin, liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili qëndron për vizitë në Bullgari.

“Bullgaria dhe vendet e tjera të rajonit do të jenë pjesë e mirëfilltë e Bashkimit Evropian (BE) kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e përfshirë edhe Maqedoninë, do të bëhen pjesë e Unionit. Kur të gjithë do të jemi së bashku në një rajon ekonomik të udhëhequr nga parimet themelore demokratike dhe sundimi i të drejtës, atëherë do të mundësojmë edhe ardhmëri më të mirë për qytetarët tanë”, ka deklaruar Vigenin.

Nuk ka asnjë arsye për ndërtimin e barikadave ndërmjet dy vendeve tona, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, gjithmonë kanë qenë miqësore, ka deklaruar Ahmeti, duke potencuar se kur të dyja palët do të ulen në tryezë të përbashkët, atëherë do të ketë edhe dialog, e me këtë edhe kompromis që do të çojë deri te zgjidhja.

“Me siguruan autoritet e larta bullgare qe përkrahja për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE asnjëherë nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë, dhe njëkohësisht, edhe ndihma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me palën greke gjithashtu nuk do të mungoje… pra ka një gatishmëri miqësore që të inkurajohet si Maqedonia ashtu edhe Greqia që sa më parë kjo çështje e hapur, të mbyllet me qëllimin më të mirë që Maqedonia të marrë ftesën për në NATO dhe datën për fillimin e bisedimeve me BE-në”, tha për Alsat-M Ali Ahmeti.

Ahmeti hodhi poshtë zërat se nisma e tij është vetjake dhe e pakoordinuar me Gruevskin. Kreu i BDI-së tha se nuk ka dallime me kryeministrin për sa i përket nismave të tij dhe se madje, atij i është shprehur mirënjohje për angazhimin e tij.

“Unë me zotin Gruevski për këto aktivitete nuk kam ndonjë dallim, edhe nga vetë ai është vlerësuar si një ndihmesë për vetë Maqedoninë”, deklaroi  Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button