RRËMUJË

Rrinte ulur në kauçin e vjetër para televizorit ku kishte filluar ta ndjekë një dokumentar të televizionit shqiptar i cili bënte fjalë për bukuritë natyrore të Shqipërisë së mbetur në kufijtë e ngushtë të saj. Kufijtë e ngushtë? Këto fjalë e larguan nga dokumentari dhe, ndonëse sytë i kishte të drejtuar kah ekrani. Me mend tash nisi të bredhë larg, larg. I kujtohej një vajzë e familjes, e shkëlqyeshme dikur në shkollën fillore, të cilën nuk e lanë prindërit ta vazhdojë shkollimin nga frika që të mos dalë nga feja, mos të bëhet “e pafe”. Iu kujtua se feja atëherë shpjegohej thjesht: gratë të veshin xhar, terlik, ose ndonjë mantel të gjatë, detyrimisht të kenë shamia me të cilat do t’i mbulonin fytyrat ose perçe të zezë që lëshohej nga balli teposhtë, burra e gra ta falin namazin, të mbajnë ramazan, të mos pinë alkool e diçka tjetër, madje më shumë formale se përmbajtësore. Ai, jo që nuk ishte fetar, por e kërkonte përmbajtësoren në fe, kërkonte që edhe imagjinata të jetë pjesë e zhvillimit të fesë, e kërkonte edhe lirinë, e cila aso kohe as që mund të merrej me mend. Njëra ndër devizat themelore të asaj kohe ishte: Zoti përpara, hyqymeti pas tij! Nuk i dukej në rregull kjo thënie, sikur edhe fjala e urtë popullore: qengji i butë thith dy nëna. Te të dyja këto e shihte kërkesën për të qenë poltron, për të qenë servil!
I kujtoheshin edhe hollësitë e asaj kohe, e cila dalëngadalë nisi të tretej ashtu siç shkrihej akulli në ditët e fundit të marsit. Filluan emrat me të madhe t’u viheshin fëmijëve: Agim, Dritë, Shpresë, Agron, Dritan, Vesë, Lule… Emra shqip, emra që lidhen me gjuhën tonë, me synimet tona. Emra simbolikë. Dhe, askush nuk hoqi dorë nga feja atëherë, ani se emrat. Përkundrazi mendimi skolastik, dogma, misticizmi ekstrem, filluan t’ia lirojnë vendin lirisë së mendimit. Por vazhdimisht gjithçka shkonte me masë.

Por koha kalonte me shpejtësi. Iu kujtua gjyshi i shtrirë në shtrat të vdekjes kur i pat thënë: “Eh, koha e bëka të veten”! Gjyshi, sigurisht duke ndjerë peshën e rëndë të sëmundjes, do ta ketë pasur fjalën për çastet e fundit që i hetonte që po vijnë të trokasin në derën e jetës së tij për t’ia bërë me dije se po kalonte në një gjendje tjetër. Gjyshi, pa dyshim, ka qenë fetar, po megjithatë po t’i kishin dhënë ndonjë mundësi do të kishte mbetur edhe ndonjë vjet “në këtë botë nallane”! Dhe, se i kishin ikur thuajse nëntëdhjetë vjet pa i thënë të gjitha ato që i kishte pasur ndërmend t’i thotë. Në atë çast e pa nipin e vogël si i doli si zog para syve:

“Ukë, o Uka i gjyshit”! e kishte thërritur nipin e tij gjyshi. “Krenohem me emrin tënd”. Emër që e kemi nxjerrë nga gjuha e nënës sime”! Dhe, me kaq gjyshi u nda nga kjo jetë.

Pastaj vendin e gjyshit e mori babai. Po asokohe filloi të fryjë një erë tjetër.

Nisi të mbyllej dera e një mendimi andaluzian islamik dhe filloi të shtrihet ideja tjetër e cila fenë e traditës sonë e mbulonte një shtresë e traditave të Lindjes së Afërt e të Mesme, që më shumë i jepte hapësirë traditës kombëtare arabe se sa traditës islamike. Dhe, filloi një arabizim i fesë. Nisën edhe emrat shqip të përjashtohen nga jeta jonë. Në vend të tyre janë futur emra kuptimi i të cilave nuk i shkon traditës sonë evropiane, por edhe u bëhet shenjë talljeje njerëzve që do ta mbajnë tërë jetën. Kultura shqiptare me të gjitha nishanet e veta, përfshirë këtu Nënë Terezen, Skënderbeun, Flamurin kuq e zi, nisi të shikohet me përçmim dhe çdo gjë që ishte arabe ngrihej në qiell. Në këtë kontekst e tregojnë një rast shumë sinjalizues. Kishin qenë disa ndërkombëtarë në një familje shqiptare, ta shohin se si jetohet në fshatrat e Kosovës. I zoti i shtëpisë, sipas zakonit, u shpërndan cigare. Njëri, arab, nuk e ndez cigaren. “Pse”? e pyet nikoqiri. Mysafiri bën me gisht drejt një shkrimi arab të varur në mur, në një kornizë të bukur. I zoti i shtëpisë kërkon shpjegime, kurse mysafiri thotë se në atë shkrim shkruan se është i ndaluar duhani. I shkreti nikoqir, e kishte mbajtur me vite varur në mur këtë kornizë duke menduar se aty kishte ndonjë varg kuranor ose ndonjë hadith.

Filloi edhe një rrëmujë e shkatërrimit të objekteve të kultit, më shkurt filloi prishja e xhamive të vjetra dhe ndërtimi i të rejave që ishte një dëm i madh. Një goditje e pariparueshme e monumenteve historike të cilat dëshmojnë për një ecuri të një kulture. Nuk u interesua askush që t’i kërkojë gjurmët e kishave katolike shqiptare në këto anë, edhe pse dihet se ato kanë ekzistuar deri vonë, veçmas në komunën e Likovës dhe të disa fshatrave shqiptare të Kumanovës. Kisha katolike e Shkupit, u sllavizua pa asnjë fjalë nga shqiptarët. Dhe, nuk dihet fati i bibliotekës së saj që nga koha e Ndre Bogdanit e deri prifti dhe intelektuali i madh Gaspër Gjini, prifti i fundit shqiptar në kishën katolike shqiptare në Shkup. Thuajse kurrfarë kujdesi nuk ka treguar kush për ortodoksët shqiptarë të këtyre anëve. As për faltoret e tyre. Gjithçka që kanë bërë duart e shkathta të mjeshtërve dibranë, shqiptarë ortodoksë, ka kaluar në heshtje në një trashëgimi joshqiptare. Në këtë rrëmujë depërtuan ndikime nga më të ndryshmet, të cilat fare nuk janë në interes të shqiptarëve. Gjyshi nisi të harrohej, kurse babai, duke u marrë nga pak me punë partish, nga pak me punë feje, nga pak me tregti të zezë dhe duke vozitur veturë, lëshon këngë arabe duke menduar se janë ilaçi të cilat i lavdërojnë martirët e islamit.

“O baba”! i kishte thënë. “Kajkë janë kto. Tallava arabe”!

“Ti kshire punën tane! Mos m’shurdho”! ia kishte kthyer babai.

Babai tash vazhdimisht e ndjek një hoxhë, i shkon pas dhe i rrotullon tespitë. Dëgjon se çfarë flet hoxha, ndonëse nuk e kupton fare. O Zot çfarë rrëmuje!

Ja kjo kohë është, tha ai. Askujt nuk i shkoi ndërmend që ta pyes veten se çfarë po ndodhë me rininë tonë? Kah shkon ajo? Askush nuk pyeti pse të gjithë ata klerikë myslimanë që vijnë nga vendet e ndryshme arabe nuk i nostrifikojnë diplomat e tyre në Fakultetin e këtushëm dhe me këtë rast t’u nënshtrohen provimeve nga gjuha e letërsia shqipe, nga historia shqiptare dhe nga tradita shqiptare si dhe nga këto lëndë për xhematin i cili nuk e ka gjuhë amtare shqipen.

Për këto punë askush nuk e tha asnjë fjalë, tha. Nga babai im që i ndërron partitë e xhybet, nuk pres gjë. Hë, po, mos t’i hyjmë nën hak, shtoi: reis ulemaja po flet zëshëm kundër devijimeve që po ndodhin në këtë hapësirë. Kam frikë, mendoi ai, se zëri i ulemasë do të jetë një zë i të vetmuari në shkretëtirë dhe kam frikë se mos po e keqpërdorin njerëzit për nevojat e partive politike. Dhe, nëse merr shteti të bëjë ndonjë ligj për pengimin e devijimeve fetare që na ndodhin, duhet pasur kujdes që ky ligj mos të prekë në interesat tona kombëtare, tha dhe u ngrit e doli.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button