Ja kush ishte i burgosuri i fundit në “Goli otok” nga Gostivari

Ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare një ndër mësuesit e parë të fushës së Pollogut, Namik Osman Saliu. I ndjeri njihet edhe si i burgosur i burgut famëkeq të “Goli otokut”, dhe është i burgosuri i fundit i gjeneratës së të burgosurve të atëhershëm që u shuajt nga jeta, njofton TV2 nga Gostivari.

I ndjeri lindi më 1 mars të vitit 1929 në fshatin Vranjofcë. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Debresh në kohën e mbretërisë serbe të Aleksandrit. Me kapitullimin e mbretërisë serbe, vendi u okupua nga Italia kështu që u krijua mundësia që arsimi të zhvillohet në gjuhën shqipe. Mësimdhënësit e parë ishin të ardhur nga Shqipëria. Mësues Namiku, I vazhdoi mësimet në fshatin Debresh dhe pas çlirimit mbaron mësimet e shkollës së mesme në gjimnazin e Gostivarit. Kreu edhe kursin pedagogjik në Shkup. Në tetor të vitit 1946 emërohet si mësues ne fshatin Strazhë të Kumanovës, ndërsa pas një viti transferohet në fshatin Sopot deri në vitin 1950. 

Më 25 tetor të vitit 1950 fillon të ndiqet nga organet e sigurimit të Jugosllavisë nën akuzën se ka bashkëpunuar me Ballin Kombëtar, ku mbetet për 2 muaj i burgosur në burgun e Kumanovës, nga ati transferohet në burgun e Shkupit. Pas qëndrimit 30 ditësh, ai dhe të burgosurit e tjerë shqiptarë futen në një tren kafshësh ku dhe dërgohen në Baker të Dalmacisë. Nga atje përcillen me anë të anijes në burgun famëkeq të Goliotokut ku kaluan plotë 3 vite e 6 muaj, nën maltretimet dhe vuajtjet çnjerëzore.

Pas Goliotokut kthehet në shtëpi i suspenduar nga të gjitha aktivitetet. Pastaj e marrin në shërbimin ushtarak ku gjatë gjithë kohës ka qenë i thirrur në biseda informative. Mbaron ushtrinë në vitin 1955, dhe kërkon pastaj të kthehet në punë si mësues, mirëpo kjo gjë nuk iu lejua nga shkaku se UDB-a e atëhershme jugosllave e këshillon të japë mësim në fshatin Vërtok ose Forinë, mirëpo komuna e Vrapcishtit nuk e lejon që te jetë mësues në komunën e Gostivarit.

Nga viti shkollor 1956/57 punësohet në fshatin Dobërdoll ku punon për 5 vjet, dhe vazhdimisht i ndjekur nga shërbimet. Në pranverën e vitit 1956 vjen Titoja në hidrocentralet e Vërtokut ku burgoset për 48 orë i izoluar me gjithë familjen në stacionin e Gallatës. Në vitin 1962 akuzohet se e ka lavdëruar Millovan Gjillasin, ku sërish kthehet në burg në Tetovë deri në vitin 1963. Në vitin 1968 akuzohet për flamur, por i shpëton burgut, dhe në vitin 1981 sërish pati orvatje që të suspendohet nga puna, duke vazhduar kështu të ndiqet gjithmonë nga sistemi i atëhershëm komunist. Varrimi i të ndjerit u bë të premten pas namazit të xhumasë në fshatin e tij të lindjes. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button