Bejta dhe Çako shqyrtuan  mundësitë për realizimin e disa projekteve të rëndësishme 

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta realizoi takim me ministrin pa resor në Qeverinë e RM-së, Furkan Çako. Pas takimit në kabinetin e tij, kryetari Nevzat Bejta njoftoi se temat e diskutuara me ministrin Çako kishin të bëjnë me realizimin e disa projekteve të rëndësishme për të cilat nevojitet  angazhimi i institucioneve shtetërore dhe donatorëve nga jashtë.

“Biseduam me ministrin për hallet dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Gostivarit, që ministri të ketë mundësi të njoftojë kabinetin qeveritar gjegjësisht kryeministrin, me problemet të cilat i kanë qytetarët e Gostivarit në të gjitha sferat. Për veç asaj, ministri ynë, kështu do të shprehem sepse e kemi nga Gostivari, do të bëjë edhe një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, dhe atje drejtuesit e institucioneve do t’i njoftojë nga afër me  hallet dhe problemet që kërkojnë zgjidhje dhe që preokupojnë qytetarët e Gostivarit”, tha kryetari Nevzat Bejta.

Ministri Furkan Çako, u shpreh se si ministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, do të bëjë përpjekje që projektet me prioritet për Komunën e Gostivarit të vihen në rend dite dhe të realizohen. Ai tha se për kërkesat e parashtrua nga qytetarët e Gostivarit, dhe që u përmendën nga kryetari Bejta, do të diskutojë edhe gjatë vizitës nëpër institucionet e ndryshme të Republikës së Turqisë.

“Ky takim është shumë i rëndësishëm sepse nesër udhëtoj për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Problemet që i potencoi kryetari i komunës së Gostivarit, do t’i diskutojmë me drejtuesit e institucioneve që do të vizitohen. Do të kem vizita në pesë komuna të Turqisë. Në takim me ministria të qeverisë, kryetar komunash, guvernatorë dhe drejtues të Odave Ekonomike, do të shqyrtohen mundësisë e financimit të këtyre projekteve, për të cilat kryetari Bejta shprehu gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar”, deklaroi ministri Furkan Çako.

Projektet me prioritet që u shqyrtuan në takimin mes kryetarit Bejta dhe ministrit Çako, ishin edhe ndërtimi i sallës sportive në SHF “Mustafa Kemal Ataturk”, ndërtimi i kanalizimeve në fshatrat Banjicë dhe Zdunjë, e tjerë.

Lajme të ngjashme

Back to top button