Avokati i Canes: Videoja e montuar dhe me prapavijë nga politika

Videoja është e montuar, ka prapavijë politike dhe e gjithë historia është e sajuar nga gazetari Telnis Skuqi. Ky ka qenë reagimi i avokatit mbrojtës të ishaktivistit të PS-së, Gjergji Imeraj në një prononcim për gazetën “Shekulli”.
Imeraj pretendon se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë ligjore, por vetëm zhurmë mediatike, pasi regjistrimi duket i kompromentuar. “E kemi parë disa herë videon dhe duket se është e montuar. E gjithë historia duket që është e montuar sepse edhe gazetarët që kanë marrë pjesë në këtë histori janë gazetarë problematikë me faktet dhe provat që ata kanë paraqitur në opinionin publik, edhe në raste të tjera analoge”, u shpreh Gjergj Imeraj, avokati i Agron Canes. Sipas tij, regjistrimi origjinal i videos duhet të verifikohet urgjentisht nga prokuroria pasi regjistrimi i publikuar lë shumë vend për të dëshiruar.

Ngjarja

Avokati mbrojtës, shprehet se Cane dhe vajza 14 vjeçare nuk njihen fare mes tyre dhe se minorenia nuk ka qenë kurrë në zyrën ku përflitet historia. Imeraj nënvizon ndër të tjera se kallëzuesja, nëna E.G e 14 vjeçares, si dhe klienti i tij, janë nga i njëjti fshat, dhe këtë të përbashkët, sipas tij ka shfrytëzuar kallëzuesja për ta përdorur kundër tij. Avokati, në fund thekson se i është drejtuar Prokurorisë, me pretendimin se arrestimi i Canes është i paligjshëm dhe se ndaj tij nuk ka prova ligjore por vetëm zhurmë mediatike. “Kallëzuesja E. G. është një qytetare e thjeshtë si të gjithë në Sarandë. Ajo është drejtuar çdo ditë tek Zyrat e Partisë Socialiste, nga të dhënat që kemi, duke kërkuar punë, por duke mos patur asnjë lloj profesioni, asnjë lloj shkollimi. I dyshuari dhe E. G. janë nga i njëjti fshat, nga Navareci. Këtë ka shfrytëzuar kallëzuesja duke pasur njohje me të arrestuarin. Pasi ka ndërmjetësuar duke parë varfërinë e saj, për ta punësuar tek një firmë private, firma nuk e ka mbajtur në punë se ishte jo korrekte. Ne menjëherë i jemi drejtuar Prokurorisë për ta quajtur të paligjshëm arrestimin pasi nuk ka asnjë provë ligjore veç zhurmës që është bërë në media dje dhe sot”, tha Imeraj. Ai më tej tha se arrestimi është i paligjshëm për arsye se që në momentin e parë, policia gjyqësore, është nxitur nga deklaratat e shtypit të cilat janë të paautorizuara, janë të paligjshme, dhe janë me prapavijë të pastër politike.

Nuk jam kërcënuar

Nëna e 14- vjeçares shton ndër të tjera për A1 Report se nuk është kërcënuar nga asnjë, por shton se e ndjen një frikë të tillë. “Nuk më ka kërcënuar njeri akoma, por nga momenti në moment mund të më kërcënojnë. Unë bëra një gjë të drejtë si nënë dhe përse e bëra këtë gjë . Mund ta theksoj shumë pastër sepse shumë njërës janë si halli im.” shprehet nëna e 14- vjeçares. “Nuk e dija që Cane kishte dhënë dorëheqjen nga Zyra e PS, kishte çelësat e zyrës” Më tej ajo shprehet se nuk kishte dijeni se Cane kishte dhënë dorëheqje si aktivist në zyrën e deputetit PS Koço Kokëdhima në Sarandës pasi sipas saj ai kishte ende çelësat e zyrës. “Edhe Koço është shprehur se me datë 15 korrik ai është hequr nga puna. Nuk e dija që ai kishte dhënë dorëheqje dhe kishte çelësin e Koços dhe i vinte në zyra. Atë ditë që do ti bëja kamerën më ka thënë që jam në zyrë, jam vetëm në orën 11.30.” tha denoncuesja.

Video e publikuar dy ditë më parë

Dy ditë më parë u bë publike videoja ku tregohej se Agron Cane i kërkonte një qytetareje të thjeshtë vajzën 14-vjeçare për favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Agron Cane, ish-ushtarak, i martuar dhe me dy fëmijë ka një zyrë në selinë e Partisë Socialiste në degën e Sarandës ku shumë qytetarë rëndom drejtohen për problemet e tyre sociale. Kështu dhe rasti i shtetases E.G, e cila ka trokitur në zyrën e Agron Canes me qëllim që ky i fundit ta ndihmonte sadopak në zgjidhjen e hallit më të madh të saj, gjetjen e një vendi pune. Pasi i drejtoi kërkesën, ajo çfarë i kërkoi Cane ishte tronditëse për gruan. “Vajzën e paske të zhvilluar, ka hormone. Duhet të bëjë seks me mua. Mund të bëni seks të dyja bashkë me mua. Unë, ti dhe vajza do t’i hipim krevatit të tre. Në kontrollin tënd ajo do të jetë nxënësja jote, prandaj telefonoi të vijë, unë e pres me padurim”, janë disa nga fjalët që Cane i ka shqiptuar gruas.

Skandali, Rama: E keqja s’ka vend mes nesh, PD e ripërtyp

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për skandalin e Sarandës në rrjetin social “Tuitter”, ku Agron Cane kërkonte favor seksual me një të mitur. Në një status në Tuitter Rama shkruan se policia e arrestoi autorin, zyra e deputetit u distancua prerazi ndërsa PS-ja e përjashtoi brenda ditës. Rama thekson se e keqja s’ka parti dhe s’ka vend në PS dhe qeveri. Më tej ai akuzon opozitën se po e shijon këtë skandal. “Policia e arreston. Zyra e deputetit distancohet prerazi. PS e përjashton. E gjitha brenda ditës! Për ne e keqja s’ka parti dhe s’ka vend mes nesh. Kurse PD e shijon duke e ripërtypur ne mensën e SHQUP-it, ku gatuhet përditë gjella e fëlliqur e një politike te vjetër e të ulët “vaj medet PD”, shkruan Rama

PS: Ne arrestuam Canen, ju i ndryshuat postin ish-ministrit Pango

Kreu i PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha po abuzojnë dhe po e politizojnë çështjen e skandalit të Sarandës. Kështu është shprehur deputetja e Partisë Socialiste, Esmeralda Shkjau në një deklaratë për mediat, ku i cilësoi qëndrimet e PD-së në lidhje me skandalin e Sarandës të turpshme. Deputetja Shkjau sqaroi se derisa polica po kryente punën në kohë, derisa Partia Socialiste dhe deputeti i PS-së Koço Kokëdhima e kanë quajtur një akt të ulët veprimin e punonjësit në Sarandës, Basha u bashkua në një duet të turpshëm me Sali Berishën duke abuzuar në mënyrë të paskrupullt. “Policia e Shtetit e arrestoi keqbërësin, Luli dhe plaku sulmuan policinë. Ministri i Brendshëm iu gjend pranë viktimës, Luli dhe Plaku sulmuan ministrin e Brendshëm. Zyra e deputetit e dënoi me forcë aktin e turpshëm të një punonjësi, Luli dhe Plaku sulmuan deputetin. Ndërkohë që ne provuam edhe në ketë rast se jemi ndryshe nga ata që një ngacmues seksual e vunë në një detyrë të lartë pasi gjobitën rëndë medien që e denoncoi, Luli dhe Plaku na sulmojnë ne, se s’dinë të bëjnë asgjë tjetër”, është shprehur deputetja Ermenlinda Shkjau përmes një deklarate për media. Më tej deputetja e PS-së tha se derisa Sali Berisha shkatërroi PD-në, Lulzim Basha po vazhdon shkatërrimin e PD-së. Sipas saj, Basha duhet të dorëhiqet nga Bashkia e Tiranës sepse Tirana s’ka pse vuan në kurriz pasojat e një njeriu që as e ka zgjedhur e as di të bëjë tjetër gjë përveçse të shkatërrojë. “Lulzim Basha që ka braktisur Tiranën dhe që rikthehet në detyrë vetëm për të ushqyer me leje ndërtimi e me semaforë disa klientë banalë të pushtetit të tij të falimentuar, duhet të japë dorëheqjen

Rrëfimi për skandalin: I shkova Canes me vajzën në zyrë

“Agron Cane nuk e njihte vajzën, e ka parë vetëm dy minuta.” Kështu ka treguar për A1 Report shtetasja me inicialet E.G. që denoncoi rastin e një ngacmimi seksual ndaj saj dhe vajzës së saj 14 vjeçare nga ish-aktivisti socialist Agron Cane. Nëna e 14- vjeçares tregon se vajza e saj dhe i akuzuari Cane nuk njiheshin me njëri-tjetrin, dhe nuk ishin parë më parë, por vetëm 2 minuta, në një nga ditët që ajo kishte vajtur për ta kërkuar Canen për t’i paraqitur analizat e bijës së saj të sëmurë dhe për t’i bërë të mundur që t’i gjente një punë. “Vajza nuk ka deklaruar asgjë. Vajza nuk dua të më cenohet. Ajo nuk e njihte se kush ishte Agron Cane, vetëm në momentin që unë kam vajtur dhe i kam treguar analizat e vajzës për të mos më hequr nga puna. Vajza ndenji në korridor dhe ai person më tha kush është jashtë. I thashë është vajza. Thuaji të vijë brenda tha. I fola vajzës, i thashë hajde këtu dhe ai e takoi vajzën dhe doli prapë përjashta. I ndenji shumë rëndë vajza dhe nuk qëndroi. Unë duke dalë bashkë me vajzën dhe ky më thotë ktheu prapë dy minuta. Unë u ktheva prapë dhe ai më shprehu dëshirën për patur marrëdhënie seksuale me vajzën time. Fare hapur.” shprehet për A1 Report gruaja me inicialet E.G.

“Me Canen jemi kushërinj të largët”

Ajo shton se me të akuzuarin janë kushërinj të largët dhe se ishte urrejtja e këtij gjesti duke ditur afrimitetin e gjakut që e bëri të hakmerret. “Më shtyu urrejtja se jam vetë babë vetë nënë. E bëra për hakmarrje sepse ai e dinte që unë isha vajza e H.G. dhe unë duke ecur me mendimin që atë e kisha kushëri të largët. Më shtiu urrejtja që një njeri që thotë qe është kushëri i imi, duke e ditur kush është babai im , të kërkoi diçka në këmbim. Doja ta demaskoja”, tregon për A1 Report shtetasja me inicialet E.G. Megjithatë ndryshe sa kishte treguar më parë, denoncuesja E.G tregon se tek Agron Cane nuk kishte shkuar për të kërkuar punë dhe se nuk priste punë nga Cane, por vetëm për të shënuar ankesën e saj për punë. Ajo shprehet se kishte punë por po kërkonte një punë në shtet, pasi siç thekson ajo ishte shumë e rëndë për të. “Kisha punë, por kërkoja një punë sepse unë atë punë që bëja ishte një punë shumë e rëndë për mua. Mua po të vesh tek ambulance e spitalit, tek mjekja e familjes, unë nuk jam për atë punën që bëja. Po kërkoja një punë në shtet. Jo nga Agroni jo, nuk e prisja të më gjente punë, thjesht veja për të shënuar ankesën time.” tregon denoncuesja.

Basha: Medalja e turpit i shkon e gjitha Ramës

Shefi i opozitës, Lulzim Basha, bën përgjegjës kryeministrin Rama lidhur me “aferën seksuale” të sekretarit të PS-së në Sarandë, duke deklaruar se “medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Rames për sistemin që ka ngritur”. Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se skandali i kërkimit të favorit seksual me një të mitur në këmbim të një vendi pune, ka ndodhur në zyrën e Partisë Socialiste. “Medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Ramës për sistemin që ka ngritur. Skandali i kërkimit të favorit seksual ka ndodhur në zyrën e pushtetit që funksionon nën frymën e oligarkisë. Medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Rames, i cili vazhdon të pajtohet me ngjarjen që ka tronditur dhe zemëruar mbarë shoqërinë”, tha Basha. Të shtunën e 16 gushtit, Agron Cane, u arrestua nga policia pasi akuzohet për ngacmim seksual ndaj një të miture. Ka qenë vetë nëna e vajzës e cila ka bërë denoncimin në polici duke e akuzuar Canen se ka kërkuar marrëdhënie seksuale me të bijën minorene në këmbim të një vendi pune.

Lajme të ngjashme

Back to top button