​Afera seksuale që dridhi opinionin në Shqipëri

Një aferë seksuale ka tronditur mbarë opinionin publik në Shqipëri. Në qendër të aferës seksuale është Agron Cane, sekretar i deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima.

Ky është skandali i dytë seksual që ndodh në administratën e lartë shtetërore pas skandalit me ish-ministrin e Kulturës në Qeverinë “Berisha”, Ylli Pango. Ashtu si në “rastin Pango” edhe sekretari i deputetit të Partisë Socialiste, Agron Cane, rreth 62 vjeç, ish-ushtarak i lartë i regjimit komunist në Shqipëri, ka ofruar një vend pune në këmbim të favoreve seksuale.

Por në “rastin Cane” favori është tronditës, ku sekretari i deputetit Kokëdhima i kërkoi gruas së ve, Elvira Gega, që t’ia sillte për seks vajzën e saj të mitur 14 vjeçe në këmbim të vendit të punës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe kësaj radhe skandali është publikuar nga media, këtë herë nga televizioni News 24, i cili publikon videon ekskluzive, ku Agron Cane i ofron punë një gruaje në këmbim të vajzës 14 vjeçe. Rasti është zbuluar nga një hulumtim i realizuar gjatë ditëve të fundit, pasi nëna e ve kishte kërkuar ndihmën e medias, me qëllim që asnjë grua të mos bjerë pre e ofertave të tilla.

Të shtunën pasdite, pas publikimit të videos skandaloze, policia e Sarandës ka arrestuar sekretarin e deputetit të Partisë Socialiste, Agron Cane.

“Arrestimi i këtij shtetasi u krye për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, pasi ky person ka tentuar të punësojë shtetasen Elvira Gega, vjeç 40, në këmbim të përfitimeve të paligjshme. Është bërë dokumentimi i plotë ligjor i autorësisë së tij”, thuhet në njoftimin e policisë së Sarandës.

Pak orë para arrestimit, Cane kishte ftuar për kafe Elvira Gegen. Gega, nënë e 4 fëmijëve, ka hezituar ta takojë 62-vjeçarin, ndërkohë që ai i thotë në telefon se “dua të pimë një kafe se janë biseda që nuk bëhen në telefon”.

Pasi janë takuar në një kafe, Cane e kritikon gruan e ve pse ka folur me gazetarët dhe duke parë vendosmërinë e saj për ta publikuar ngjarjen, i thotë: “Kot po më denoncon, sa për të më prishur punë. Unë kam folur me prokurorin, e kam shok, dhe ai më tha që nuk të dënojnë dot se s’ke bërë asnjë veprim”. Gruaja në fund i thotë: “Po çfarë thua, ti doje të më merrje dritën e syve…” dhe largohet nga tavolina.

Historia skandaloze

Elvira Gega kishte besuar se punësimi mund të sigurohet falë çeljes së zyrës së deputetit socialist të Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima. Në fillim të muajit mars, Elvira Gega ka takuar sekretarin e deputetit, Agron Cane, për të kërkuar punë. Ai është treguar i gatshëm për ta ndihmuar këtë grua pa burrë.

“Im shoq u aksidentua në punë teksa punonte si murator pesë vjet më parë. Ai përfundoi i vdekur në trotuar nga skela e objektit në ndërtim”, tregon Elvira Gega me pak fjalë historinë. Ajo thotë se gjendja e saj ekonomike është vështirësuar pas tragjedisë. “Jetoj si mos më keq, por ka njerëz që të kërkojnë nderin e vajzës për një vend pune”, thotë ajo.

Sipas saj, sekretari i deputetit Koço Kokëdhima, Agron Cane, ka kërkuar të bëjë dashuriçka me vajzën e saj në këmbim të të mirave materiale.

Më pas, Gega ka kërkuar në media ta ndihmojnë me një kamerë të fshehtë, pasi siç është shprehur ajo, donte të jepte një lajm për të kuptuar se çfarë ndodh me njerëzit në nevojë kur shkojnë të kërkojnë punë.

“Aman të lutem më ndihmo! Kam shkuar shumë herë për të çarë hallet e mia te sekretari dhe kërkon si kusht dashuriçka”, thotë e përlotur Elvira Gega. “Nuk dua t’i jap atij qenit gjënë më të shtrenjtë”, kishte thënë ajo, sepse “nuk ka turp më të madh për një burrë 62 -vjeçar të të poshtërojë vajzën”.

Në bazë të hulumtimit të kryer nga TV News 24 me gazetarët Artur Çani e Telnis Skuqi, Agron Cane, ish-ushtarak, i martuar dhe me dy fëmijë, kërkon të mbizotërojë në çdo aspekt jetën e Elvira Gegës, madje, siç thotë ai, në kamerën e fshehtë: “Vajzën do ta mbaj si një lule. Ti tashmë i kalove të gjitha vështirësitë dhe ke forcë”. Cane madje shprehet i gatshëm ta “ndihmojë” këtë familje, pasi të zgjidhet kryebashkiaku i Sarandës.

Gjatë bashkëbisedimit midis dy protagonistëve, që u zhvillua në katin e dytë në selinë lokale të Partisë Socialiste të Sarandës, Cane tregon shenjat e lumturisë, pasi mendon se e ka arritur qëllimin e tij shtatëmujor: “Unë, ti dhe vajza do t’i hipim krevatit të tre. T’i mos çaj kokë”.

Cane, i cili hiqet si i çmendur pas trupit të nxënëses së klasës së tetë në shkollën 9-vjeçare, mundohet të hiqet si profesionist në fushën e seksit. Në bisedë, ai shprehet se “seksi është gjëja më e bukur”, ndërsa besimi për të duhet të jetë maksimal, pasi “është burrë i pjekur dhe i pëlqen të bëj dashuriçka me vajzat e vogla”.

“Ti mos e çaj kokën. Vajza jote më është fiksuar. Shoqet e saj e kanë bërë shpejt këtë punë. Këtë ta jap me firmë. Ajo do të çlirohet se ka shumë hormone, vajza ka nevojë për seks”, është incizuar Cane duke i thënë Elvira Gegës. Madje, ai tenton ta bindë në të gjitha format e mundshme nënën e katër fëmijëve, që t’i çojë vajzën në krevat: “E di si është puna e femrës, si puna e Vasilikojit, sa më shumë ujë, gjethja bëhet më e mirë, ndërsa femra sa më herët të kryejë seks, aq më e freskët është”.

Ai tutje kishte “siguruar” t’ëmën se vajza nuk do të pësojë gjatë marrëdhënieve seksuale, dhe për të bindur nënën e saj, thotë se 14-vjeçares “do t’i pjellë kokoshi”, ku nënkupton të mirat materiale që do të përfitojë, pasi ai të zgjidhet kryetar i Bashkisë së Sarandës. “Nuk dua të them shumë fjalë se mburrem, por po deshi Zoti dhe unë zgjidhem kryetar i bashkisë, dije se vajza jote do të shikojë të ardhmen”, i kishte thënë Cane.

Gjatë bisedave të regjistruara Cane i është lutur dy herë Elvira Gegës t’i telefonojë 14-vjeçares që t’i shkojë në zyrë, pasi thjesht do ta përgatisë për aktin final: “Ti vajzën e ke në kontroll të plotë. Unë të shikoj në sy. Në kontrollin tënd ajo do të jetë nxënësja jote, prandaj telefonoji të vijë, unë e pres me padurim”. Në vijim të bashkëbisedimit të regjistruar, Cane tregon se në zyrën e tij “me dhjetëra femra janë lutur për të bërë seks me të, por nuk i ka pranuar, pasi thotë se nuk është maniak seksual”.

“Unë nuk jam maniak, pasi kam një grua në shtëpi. Mua më pëlqen gjëja e bukur dhe këtë e bëj me kënaqësi”, dëgjohet duke thënë Cane në kamerën e fshehtë.

Reagon politika në Shqipëri

Meqë Cane ishte sekretar në zyrën e deputetit socialist, Koço Kokëdhima, skandali i Sarandës ka ndezur në përplasje të ashpër pozitë-opozitë në Shqipëri. Deputeti Kokëdhima është njohur në mjediset politike dhe mediatike në Shqipëri si krahu i djathtë i Edi Rames, apo eminenca gri e kryeministrit.

Kokëdhima është njëherësh edhe botues i gazetës së përditshme”Shekulli”. Ndërkohë që Koço Kokëdhima njihet edhe si “kumbara” i koalicionit Rama-Meta në prill të vitit 2013 ku ky koalicion fitoi zgjedhjet parlamentare të qershorit të atij viti.

Heshtja për një kohë të gjatë e kreut të Qeverisë, Edi Rama, për ngjarjen, ashpërsoi qëndrimin e kreut të opozitës Lulzim Basha ndaj tij, i cili përmes rrjetit social “Facebook” i kërkonte arsyet e mosdistancimit ndaj një ngjarjeje që tronditi mbarë shoqërinë.

“Medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Ramës për sistemin që ka ngritur. Vazhdon të pajtohet me ngjarjen që ka tronditur dhe zemëruar mbarë shoqërinë, ndërsa ai nuk gjen asnjë sekondë kohë të distancohet. Po si mund të distancohet ai nga një masë e madhe abuzuesish të paskrupullt që janë në fakt alteregoja e tij,”shkruante lideri i opozitës Lulzim Basha.

Pak minuta më pas këtij postimi, kryeministri Rama ka thyer heshtjen përmes rrjetit social “Twitter”: “E keqja nuk ka vend në PS”. Në postim Rama rendit veprimet që janë marrë nga policia dhe forca e tij politike menjëherë pas publikimit të skandalit, ku në qendër është një aktivist i PS-së, bashkëpunëtor i deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima.

Fillimisht Rama përmend arrestimin nga policia dhe më pas distancimin e zyrës së deputetit Kokëdhima, i cili pretendon se ka ndërprerë bashkëpunimin me Agron Canen në korrik kur ai është dorëhequr. “Policia e arreston. Zyra e deputetit distancohet prerazi. PS e përjashton. E gjitha brenda ditës! Për ne e keqja s’ka parti dhe s’ka vend mes nesh”.

Para kësaj, edhe ish-kryeministri Sali Berisha përmes “Facebook”-ut dënoi vonesën e Ramës në distancim nga skandali: “Rama heshti sepse ai e njeh deri në imtësi dobësinë ekstreme të mentorit apo sivëllait të tij Kokëdhima për pedofilët. Ndonëse në këtë superskandal gjithçka është zhvilluar si në filmat horrorë në selinë e PS në Sarandë, Rama hesht për t’u thënë socialistëve dhe qytetarëve të thjeshtë se ky është modeli i tij i punësimit dhe zgjidhjes së problemeve të tyre”.

Ish-kryeministri Berisha vë nën akuzë edhe kryeparlamentarin Meta. “Kreu i ‘aleancës së qelbësirave’ hesht dhe së bashku me të hesht dhe skllavi i tij Meta, për të siguruar qelbësirat, vrasësit, trafikantët, përdhunuesit, pengmarrësit, gjobëvënësit e aleancës së tij në qeveri, parlament dhe administratë se ai vetë është avokati i tyre”. Në fund të postimit, Berisha u bën thirrje qytetarëve të mos heshtin, por të ngrihen sa më parë me moton: Shporrim qelbësirat!

Ndërkohë, ka reaguar dhe zyra e deputetit Koço Kokëdhima, duke sqaruar se Cane nuk ka qenë asnjëherë sekretar për punësimet dhe as mëkëmbës i deputetit në Sarandë. Komunikata informon se Cane, si një nga aktivistët pranë zyrës, kishte për detyrë të sqaronte ankesat dhe kërkesat e qytetarëve dhe se nuk kishte asnjë kompetencë punësimi.

“Ai ka dhënë dorëheqjen në 15 korrik të këtij viti për arsye personale. Prania e Canes në zyrë pas datës 15 korrik ka qenë për efekt të dorëzimit të detyrës dhe dokumentacionit”, thotë Kokëdhima, dhe shton se “veprimi i shëmtuar dhe implikimi i Agron Canes në këtë ndodhi të ulët dhe të rëndë është thellësisht i dënueshëm. Ne distancohemi kategorikisht nga veprime dhe sjellje të tilla perverse e të sëmura”.

Cane, me prirje në pedofili edhe në kohën e regjimit komunist në Shqipëri

Një psikologe 50-vjeçare nga Saranda që po asiston vajzën 14-vjeçare, të cilën Cane kërkoi ta shfrytëzonte seksualisht përmes nënës së saj thotë se abuzimi me pushtetin dhe me njerëzit në nevojë është krimi më i rëndë që i bëhet shoqërisë. Sipas saj, “Cane ky pervers, njëherazi pedofil, nuk e ka vendin në shoqëri”.

“Agron Cane ligjërisht nuk mund të dënohet me burg, pasi ai nuk ka kryer vepër penale, por moralisht e meriton një ndëshkim, pasi kemi të bëjmë me njerëz krejtësisht të papërgjegjshëm dhe me imoralitet të dobët”, thotë psikologia nga Saranda, e cila për të respektuar edhe anonimitetin e vajzës 14-vjeçare preferon të mos identifikohet.

Psikologia thekson se këto ngjarje nuk kanë zbulueshmëri qysh në zanafillë, pasi këto episode ndodhin në rrethana dhe në kushte të paimagjinueshme. “Agron Cane është personi që ka prirje në këtë ‘fushë’, pasi disa dekada më parë, kur ai ishte komandant i brigadës në Sarandë (post i lartë në hierarkinë ushtarake të asaj kohe) është identifikuar për një ngjarje të tillë, por u mbyll me një vërejtje, për të mos diskredituar atëherë ushtrinë shqiptare”, tregon psikologia, rreth 50 vjeçe.

Më tej, psikologia thotë se Cane në këtë histori është fatkeq, ndërsa Koço Kokëdhima është i keqardhur, pasi ka zgjedhur njeriun e gabuar. “Nuk dua ta besoj se Koço Kokëdhima e ka bërë sekretar për të ‘masakruar’ vajza të njoma apo të gjunjëzojë nënat në nevojë, por atij nuk i falet që ka lejuar atë të abuzojë me besimin e tij. Kjo është e pafalshme”, thotë psikologia, për të cilën kjo histori duhet të jetë mësim për çdo punonjës të administratës shtetërore, pasi në thelb institucionet funksionojnë për të mbrojtur njerëzit në nevojë dhe jo për t’u “rrëmbyer” vajzërinë 14-vjeçareve, si rasti i Agron Canes.

“Cane gëzon një moshë që nuk i falen gabimet, pasi nuk ka kohë të korrigjohet, por krejt kundër ndodh me një 14-vjeçare. Ajo është e vështirë të integrohet për shkak se i ke vjedhur fëmijërinë. Një traumë shpirtërore kërkon dekada të shërohet”, shpjegon psikologia.

Lajme të ngjashme

Back to top button