Dy komponentët themelore të agjërimit

Dije o musliman, se agjërimi i ka dy komponentë themelore, pa të cilat agjërimi nuk konsiderohet i vlefshëm dhe mundi juaj shkon kot:

1-Ndalimi nga ato gjëra që e prishin agjërimin nga agimi deri në perëndim të diellit

Kjo pike bazohet në ajetin Kuranor:

“Tani e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa të dalloni perin e bardhë nga ai i zi në agim. Pastaj agjëroni deri kur të bjerë nata” (El Bekare, 187)

Me pe të bardhë dhe pe të zezë nënkuptojmë bardhësia e ditës dhe errësira e natës.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Adij ibn Hatim ka thënë: “Kur zbriti ajeti”…derisa të dalloni perin e bardhë nga ai i zi…” unë mora një pe të bardhë dhe një të zi dhe i vendosa poshtë jasëkut tim. Gjatë natës i vështrova nëse mund t`i dalloja, mirëpo nuk po i dalloja dot. Në mengjes shkova tek Profeti (a.s) dhe i tregova për këtë dhe ai më tha: “Bëhet fjalë për errësirën dhe bardhësinë e ditës”.

2-Qëllimi

Allahu udhëzon në Kuran: “Ata nuk ishin të urdhëruar me gjë tjetër, veçse të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë……” (El-Bejine, 5)

Profeti (a.s) ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimit dhe secili i takon ajo çka ka pasur për qëllim”.

Qëllimi duhet të vendoset përpara agimit (fexhrit) dhe gjatë çdo nate të Ramazanit. Kjo bazohet në hadithin e Hafsës, e cila transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që nuk e bën nijetin e agjërimit përpara agimit, atij nuk do t`i pranohet agjërimi”.[Hadith Sahih; Sahih Ebu Daud 2454]

Nijeti është i vlefshëm që të bëhet gjatë çdo pjesë të natës. Nuk është e nevojshme të thuhet me gojë pasi është një gjë që bëhet me zemër dhe nuk është e nevojshme të përfshihet dhe gjuha. Ai përmbushet me qëllimin e dikujt për të agjëruar për t`iu bindur Allahut dhe për të kërkuar kënaqësinë e Tij.

Nëse dikush ha syfir me qëllim për të agjëruar dhe për t`u afruar me Allahun me anë të kësaj vepre, atëherë mund të themi se nijeti i tij është bërë. Nëse dikush vendos se do të agjërojë ditën tjetër për kënaqësi të Zotit atëherë ky qëllim është i vlefshëm, edhe nëse personi nuk ngrihet për të ngrënë syfir.

Sipas mendimit të shumë juristëve, nijeti (qëllimi) për agjërimin vullnetar mund të bëhet në çdo kohë, përpara se të hahet ushqimi. Ky mendim bazohet në hadithin e Profetit (a.s), të transmetuar nga Aishja, se ai i kishte thënë asaj një ditë: “A ka ndonjë gjë për të ngrënë?” Ajo i ka thënë: “Jo!” Pastaj ai ka thënë: “Atëherë po agjëroj”.[Transmeton Ebu Daudi dhe Muslimi]

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button