Sela: Ahmeti dhe Thaçi bashkë bëjnë lojën e biznesit

Në një intervistë për portalin “Faktor”, kryetari i komunës së Strugës Ziadin Sela ka folur rreth shumë çështjeve duke përfshirë këtu edhe pozicionin e tij si kryetar i komunës së Strugës si dhe aktualitetet e përgjithshme politike në Maqedoni.

Është e vështirë të definohet ky politikan. Në dukje një politikan modern, por që nuk tërhiqet nga nacionalizmi. ” Nuk ka asgjë të keqe të jesh nacionalist, deri aty kur nuk i dëmton të tjerët” thotë Sela për “Faktor”, transmeton Drini.mk

Pretendon se Maqedonisë i mungon debati elementar, kritikat për politikanët, që të mund të jenë më të mirë. Ashpër e sulmon Thaçin, por edhe Ahmetin dhe Gruevskin. “Këta të tre luajnë lojë të përbashkët” thotë Ziadin Sela. Paralajmëron ndryshime në udhëheqësin e PDSH-së deri në muajin Dhjetor. Në intervistë Sela, flet edhe për komunën e Strugës, problemet me qeverinë dhe hapat në vazhdim.

Në këtë intervistë Sela thekson se Marrëveshja politike e PDSH-së është alternativa më e mirë për të zgjidhur problemet dhe për të ruajtur karakterin unitar të Maqedonisë.

“Karakteri unitar i vendit domethënë se shteti duhet të ketë një Kushtetutë, në parlament, një qeveri, por gjithashtu karakteri unitar domethënë se qytetarët e këtij shteti duhet të kenë të drejta të barabarta dhe jo të krijohen dy kategori qytetarësh.

Mendoj se edhe tek maqedonasit edhe tek shqiptarët ka dy kategori qytetarësh. Ja po ju jap një shembull. Ligji për përdorimin e gjuhëve është i zbatueshëm vetëm në pushtetin lokal, Në pushtetin qendror në ato komuna ku shqiptarët janë nën 25% nuk kanë të drejtë të drejtohen në gjuhën shqipe. Të marr një shembull, kemi dy të burgosur, sepse fatkeqësisht të burgosur ka shumë shqiptarë, njëri nga Ohri dhe njëri nga Struga, eh tash deri tek drejtori, shqiptari nga Struga mund të drejtohet edhe në shqip, ndërsa ky nga Ohri jo, edhe pse të dy janë shqiptarë. Ose ke maqedonas nga Strumica i cili ka vetëm një gjuhë zyrtare dhe maqedonas nga Struga i cili ka dy gjuhë zyrtare! Eh kjo nuk mund të quhet karakter unitar i shtetit. Nëse duam karakter unitar atëherë gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare edhe në Strumicë, pa marr parasysh a ka nevojë ose jo atje. Kushtetuta duhet të jetë e barabartë për të gjithë, sepse Maqedonia nuk është shtet një nacional. por është shtet multietnik” thotë mes tjerash Ziadin Sela për portalin Faktor.

Kryetari i komunës së Strugës, thekson se Marrveshja e Ohrit tashmë është e vdekur, ndërsa fajtor më i madh për këtë është Ali Ahmeti. Ai shpreh dyshimin e tij se Menduh Thaçi ka marrëveshje me Ali Ahmetin dhe se ato së bashku bëjnë biznes.

“Kështu si po sillet Menduh Thaçi mua më duket se ai ka marrëveshje me Ali Ahmetin dhe së bashku bëjnë biznes. Kështu si qëndrojnë punët, pa me u tërhequr Thaçi nga kreu i PDSH-së, nuk mund të fitohet BDI-ja. Më saktë thënë, Thaçi dhe Ahmeti komunikojnë me Gruevskin dhe kjo lojë është e përbashkët e tyre“, thotë Sela.

Iniciatori i Lëvizjes për reforma brenda PDSH-së thekson se shumë shpejtë madje deri në dhjetor, Thaçi do të largohet nga posti i kryetarit të PDSH-së. Ai thekson se kjo do të ndodhë përmes kongresit të partisë i cili do të realizohet në këtë afat kohor. Ai ka përjashtuar çdo mundësi për të qenë pjesë e ndonjë partie tjetër, duke shtuar se demokratizimi i PDSH-së do të hapë rrugë për inkuadrimin në të, të shumë intelektualëve të cilët do të kenë mundësi lirshëm të shprehin bindjet, qëndrimet dhe kritikat e tyre, për Thaçin, Selën por edhe të tjerët. Sela thekson se jo domosdoshmërisht ai duhet të jetë kryetar i PDSH-së, por e rëndësishme është që të ketë ndryshime në interes të popullatës.

Lidhur me situatën aktuale në Komunën e Strugës Ziadin Sela theksoi se pushteti lokal në Strugë ndjehet i anashkaluar nga qeveria VMRO-BDI, e cila siç thotë ai favorizon Ohrin në këtë drejtim.

“Qeveria e Maqedonisë sillet si nënë për Ohrin dhe si njerkë për Strugën. Nuk jam i kënaqur, mendoj se Struga meriton më shumë. Nuk dua të mendohet se jam kundër investimeve në Ohër, por duhet të investohet edhe në Strugë sepse në fund të fundit ato janë para të gjithë qytetarëve, madje nëse bëni një krahasim Struga paguan më shumë tatime se Ohri dhe ka rreth 2 mijë banorë më shumë sipas regjistrimit të fundit. Është i çuditshëm ky qëndrim i qeverisë, ndaj Strugës, e cila është një qytet i mrekullueshëm turistik, me kushte natyrore shumë të favorshme por edhe me çmime jashtëzakonisht më të ulta se Ohri” tha Sela pë “Faktor”,

Lajme të ngjashme

Back to top button