Angli, gjenden 35 klandestinë brenda një kontenieri, 1 i vdekur

Angli- Policia britanike thotë se një person ka vdekur dhe të paktën 19 të tjerë janë shtruar në spital pasi u gjetën brenda një kontenieri në një port në lindje të Londrës.

Hetuesit thonë se 35 persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë, janë gjetur në një konteiner të transportuar në rrugë detare për në portin e Tilburit të Britanisë së Madhe.

Klandestinët dyshohet se vinin nga nënkontinenti Indian dhe u zbuluan pasi një anije mallrash nga Belgjika, e mbërritur në lokalitetin britanik, nisi të shkarkohej.

Shefi i policisë Trevor Roe u tha gazetarëve se punëtorët e portit dëgjuan “thirrje dhe goditje” që vinin nga brenda kontenierit, i cili kishte arritur me anije nga porti belg Zeebrugge.

Zyrtari tha se rreth 50 konteinerë të tjerë në anije janë kontrolluar, por në to nuk janë gjetur njerëz të tjerë. Në një konferencë për shtyp, oficeri Roe saktësoi se të mbijetuarit po mbahen të ndaluar në bazë të kompetencave të emigracionit dhe do të dërgohen në një qendër pritëse në afërsi të Tilburit.

Ai shtoi se hetimi policor do të fokusohet për të identifikuar bandat apo këdo që mund të jetë përfshirë në këtë rrjet për dërgimin ilegal të njerëzve në vendin e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button