Arben Llabënishta refuzoi të përkulej para pllakës përkujtimore të ish “Branitellave”

Zëvendësministri i Mbrojtjes Arben Llabënishta refuzoi të përkulej sot para pllakës përkujtimore të ish “Branitellave”, e cila ndodhet në oborrin e kësaj ministrie. Pavarësisht insistimit të zyrtarëve nga ministria e mbrojtjes, Llabënishta injoroi përkuljen, transmeton Alsat.

Llabënishta, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Zoran Jolevskin dhe shefin e Shtatmadhorisë Goranço Koteskin, ishin të pranishëm në ceremoninë e përvjetorit të ARM-së. Ndërkaq, Presidenti Gjorge Ivanov nuk ishte i pranishëm. Shefi i Shtatmadhorisë Goranço Koteski kërkoi nga Presidenti, Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes, mbështetje më të madhe financiare.

“Për mbajtjen e efikasitetit të sistemit të mbrojtjes dhe nivelit të lartë të gatishmërisë ushtarake, nevojiten fonde më të mëdha financiare, të cilat viteve të fundit janë zvogëluar dukshëm. ARM-ja ka përgatitur plan për modernizimin e ushtrisë, e që nevojitet mbështetje nga Presidenti, Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes, për të filluar realizimin e tij. Presim që ky vendim të realizohet dhe të jetë pozitiv, në të mirë të Ushtrisë dhe të shtetit”, deklaroi Goranço Koteski, Shef i Shtatmadhorisë

Koteski shtoi se pavarësisht paragjykimeve dhe vështirësive, duhen bërë hapa para në rrugën e cila çon drejt krijimit të një mbrojtjeje më moderne dhe drejt integritetit territorial. Në ceremoninë e shënimit të përvjetorit u ndanë medalje dhe mirënjohje për pjesëtarët e ushtrisë si dhe pjesëmarrësit në misionet ushtarake jashtë vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button