KOLONIZIMI

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

 

Për sanimin e gjendjes në Serbinë Jugore duhet një punë e ngutshme në dy kahe: formimi i kontraorganizatave kundër veprimtarëve bullgarë dhe kolonizimi. Për punën e parë do të flasim më vonë dhe më gjerësisht, kurse për kolonizimin menjëherë ,për shkak të deklaratave të ministrit të ri për reformën agrare.

Para së gjithash në këto deklarata ka dy gjëra të mira: favorizohet sistemi i pasurive të vogla dhe dërgohen në viset jugore serbianët, malazezët dhe hercegovasit. Është e vërtetë se këto qëllime nuk janë të reja, mirëpo është kënaqësi kur dëgjohen nga përfaqësues të shtetit e që i proklamojnë zyrtarisht. Gjërat tjera janë vetëm dëshira të mira dhe janë shumë larg realizimit në këtë kaos, të cilin e kanë lënë pas vetes paraardhësit e shefit të sotëm për reformën agrare.

Po them, kjo ndërmarrje aq e reklamuar ka pësuar mossukses të plotë. Sot asaj i dalin zot ende nëpunësia, zyrtarët partizanë, kolonistët e leckosur dhe paraja e shkapërderdhur nëpër Maricë nga arka e bashkësive agrare. Tërë puna është burokratizuar, është bërë domen i proceseve që u sjellin para të majme avokatëve, i tapive të rrejshme të sjella nga Stambolli në thasë dhe në përkthim të saktë të vërtetuar në gjyqe. Te kjo reformë agrare ende bejlerëve iu paguhet hak, ende ata i zhvendosin çifçinjtë që zyrtarisht t’i cilësojnë si rrogëtarë të mirë, ende këta robër duarkryq presin mëshirë nga agallarët dhe quhen qytetarë të lirë të kralevinës.

– E dini çka, zotërinj, u tha në Konferencën e Nishit koloneli bullgar, Nejkovi, delegatëve tonë, mos ma zini për të madhe për sinqeritetin, por as ju nuk keni bërë sa duhet për atë popull atje në jug. Në radhë të parë nuk e keni zgjidhur reformën agrare.

Kurse delegatët tonë i lëvarën kokat dhe nisën të shkarravisin me lapsa nëpër letrat e bardha që kishin përpara.

Që moti është vënë re se kolonizimi është bërë pa kurrfarë sistemi. Nuk është vënë caku. Duket se me mënyrën e deritashme të punës synohej zbutja e asaj frymës anacionale që mbretëron në jug. Ndahej toka ku mundej e si mundej, pa kontroll. E më në fund e gjithë kjo punë arriti në pikën e absurdit dhe kështu erdhi në pyetje madje e gjitha ajo që është bërë deri më tash në këtë drejtim. Ju sot nuk mund ta bëni asnjë kolonizim, e që pas disa ditësh mos të keni kontest. Avokatët do t’ju tregojnë saktësisht çka ju duhet, në mënyrë që ta shpëtoni pasurinë prej kolonizimit. Për tridhjetë mijë dinarë honorar avokati përzihen nga pasuria (e grabitur!, shën. i përkthyesit) çetnikët e moçëm, për shuma përrallore në shikim të parë pengohet parcelizimi i pasurive të mëdha (shembull Bardovci).

Njerëzit rrinë me vite duke pritur vendimin e parë për dhënien e pasurisë, pastaj vjen urdhri për matje. I shpenzojnë të hollat, hynë në borxh, jepen pas pijes dhe pas punëve të liga. Askush nuk ka marrë tokë me një lutje të thjeshtë. Gjithmonë njeriu ka qenë i detyruar ose vetë të shkojë në Beligrad ose ta çojë dikë, i cili do të kishte mundur ta nxjerrë lutjen nga grumbulli i letrave dhe do të ishte munduar që ajo të bëhej e bekuar. Mënyra më e sigurt që të merrni tokë është proteksioni partiak. Megjithatë edhe me këtë mbrojtje prapë ua marrin edhe një deklaratë partiake, për çdo rast. Kur ta merrni, eh, atëherë fillojnë mundimet me komisarët, inspektorët, nëpunësit, gjeometrat. Sa çuditë i tregojnë për disa rusë, gjeometra, në disa komisariate. Përcillen me kujdes a janë të disponuar apo jo, zihen lidhje dhe pëshpëritet në vesh. Gjatë matjeve vijnë “sillat” e domosdoshme, vera e ftohtë dhe cigaret “Vardar” Kanë ndenjur njerëzit me muaj nëpër stacione në hekurudhën Shkup-Mitrovicë, dridheshin në furtunë e në borë, vraponin e ankoheshin, të refuzuar binin në dëshpërim të thellë, vuanin në uri dhe vdisnin. Gjatë asaj kohe dilnin statistika nëpër gazeta: “Janë kolonizuar kaq e kaq”, po askund nuk tregohej sa njeriu ka vdekur. (Autori gjithmonë derdh lot për sllavët e këtyre viseve, që i quan serbë, të cilët paskan vuajtur dhe paskan vdekur, madje, duke marrë tokat e shqiptarëve. Po shqiptarët?… Shqiptarët të cilët janë përzënë nga vatrat e tyre shekullore, të cilët janë persekutuar e janë ndjekur barbarisht, të cilëve ua kanë konfiskuar tokën e bukës, shtëpinë, për shqiptarët që kanë hequr të zitë e ullirit, si e shihni nuk ka asnjë fjalë. Shën. i përkthyesit).

Përveç kësaj as vetë kolonistët nuk u treguan mjaft të disiplinuar. Disa e merrnin tokën e nuk vinin, të tjerëve nuk u pëlqente toka e matur dhe kërkonin ndërrim, të tretët nuk donin të vendosen në koloni rreth Kumanovës, po e kërkonin Shkupin.

            Krijohen antagonizma midis kolonistëve dhe vendasve. Dhe me të vërtetë çfarë të drejte më të madhe paska pasur shumadijasi ose likasi në vend të staroserbit (serbit me banim të vjetër), i cili është po aq i vetëdijshëm kombëtarisht sa janë edhe ata, kurse deri në kohë të luftës ka qenë pjesëtar i Organizatës Revolucionare Serbe (Organizatë famëkeqe terroriste e cila i sulmonte fshatrat dhe qytetet e atëhershme të këtyre anëve, ku dominonte popullsia shqiptare. Shën. i përkthyesit). Ai me sy të pikëlluar shikonte se si nga toka e fshatit ndahen pesë apo dhjetë hektarë dhe i jepen tjetrit, ndërsa atë e lënë që me dhjetë anëtarë të jetojë me dy hektarë tokë.

Kjo vlen njësoj edhe për maqedonasin. Në kohë të turkut ka qenë çifçi – këtë e kupton. Në kohë të serbit – përsëri çifçi – hajt, luftë ka qenë. Në kohë të bullgarit prapë çifçi – për të njëjtin shkak. Mirëpo ka ardhur paqja dhe “serbi i dytë”, kurse ai përsëri çifçi – e, këtë s’e kupton. Dyqind mijë rumunë tanët të paraluftës s’e kanë çuar mendjen fare te Rumania: donin më shumë që të jenë pronarë të lirë se sa robër bujarësh.

Sa e sa herë na e kanë përsëritur, po këtë e bën edhe ministri i ri i agrarit, si do t’i jepet toka vetëm atij, i cili është bujk. Kjo është e pamundur: çdo parti i ka simpatizuesit e saj. Dhe kjo punë nuk është punë me mend as për situatën e tërësishme sociale dhe ekonomike në shtet – edhe nëse shteti nuk është bashkësi sociale sipas z. Marko Trifkoviçit. Çka do të bëjë regjimi i sotëm me mijëra nëpunës të reduktuar, e si duket edhe oficerë? Me siguri se nuk mendon që këtyre njerëzve t’ua forcojë ushtrinë e atij shtabit te “Zvezdara” ose të atij në Vienë. Vërshimi i këtyre njerëzve inteligjentë (po prapë të jenë serbianë, malazezë, hercegovas, likas) në Rrafshin e Dukagjinit, në Pellagoni, në Kosovë dhe në Ovçe Pole, do të kishte qenë dobi e madhe për interesat e përgjithshme. Kurse kur të shkojnë turqit, tokë do të ketë mjaft edhe për ata, të cilët e punojnë vetë edhe për ata që e punojnë me të holla.

            Atje ku kolonizimi ka pasur sukses pjesërisht, merita i takon më shumë iniciativës private se sa eksponentëve zyrtarë. Toplicasit zbrisnin në luginën e Llapit në mënyrë kompakte dhe me njëfarë gradualiteti. Sot turqit (shqiptarët! Shën. i përkthyesit) shpërngulen nga Llapi, domethënë kolonizimi në atë anë është i suksesshëm.

            Askund tjetër nuk ka pasur sukses.

Ai është i shtrenjtë. Në bazë të disa deklaratave të ish ministrit të agrarit duhen 40.000 dinarë që një kolonist të vendoset në një vend të caktuar. Shkak i kësaj janë mjetet e vështira të komunikimit dhe rrethanat tjera të papërshtatshme. Sa duhen pastaj ndihma në material ndërtimor dhe në almise, qerre, kafshë tërheqëse etj.

E gjithë kjo, që e kemi vënë në dukje dhe fakti se me kolonizimin deri më sot nuk është arritur qëllimi i sigurimit të interesave shtetërore në jug, kurse nga ana tjetër pse ndarja e pasurive është kompromituar me pandershmërinë e pronarëve të mëdhenj të tokave dhe me pandërgjegjshmërinë e ndihmësve të tyre, na shpie te mendimi ilaçi medoemos duhet të kërkohet në anën tjetër.

Ministrisë për agrar duhet t’i merret kolonizimi dhe t’i besohet Gjeneralshtabit.

Brenda Gjeneralshtabit të themelohet sektori për kolonizim. Për shef të merret një oficer më i moçëm i Gjeneralshtabit, për të cilin dihet se është idealist i papërmirësueshëm, kurse ndihmës të tij të jenë njerëz të rinj ambiciozë. Duhet të përmendet edhe kjo se krimbi i pasluftës ka filluar ta brejë edhe atë që e kemi më të ndritshme: gjyqet dhe ushtrinë. Këtij sektori t’i jepen detyra përkatëse që u përgjigjen nevojave të shtetit. Për shembull:

“Gjatë vitit 1924 do ta hidhni një divizion likasish në Kosovë”.

Ose:

“Fisin e Bratonozhiçve ta çoni si kolonistë në luginën e Drinit midis Gjakovës e Prizrenit”.

Ose:

“Fshatin Gavran, i cili i pranoi komitët bullgarë, ta shpërngulni për pesëmbëdhjetë ditë kështu që të pesëdhjetë shtëpitë e tij të vendosen në pesëdhjetë komuna të ndryshme të kufijve të moçëm“.

            Në mënyrë që të ruhet parimi i pronës private dhe të evitohet, ndoshta, në disa raste rreziku nga vërejtjet e ankesat ndërkombëtare, parimet themelore të kësaj pune të futen në ligj. Sipas tij të parashihet vlerësimi i komisionit dhe kompenzimi për vlerën eventualisht më të madhe të pasurisë së braktisur. Ai të cilit këto kushte nuk do t’i pëlqenin, do të paguhej pjesërisht me para të gatshme, pjesërisht me bona dhe i lirë ta zgjedhë udhën për Azi ose për ndonjë anë tjetër.

            Të gjithë kolonistët kanë të militarizohen. Prej çastit kur kolonisti vihet në lëvizje, e për një numër vitesh, nëse është pranë kufirit, ose disa muaj me radhë, nëse është në qendër, ai i nënshtrohet disiplinës ushtarake. Ai llogaritet i mobilizuar dhe merr nga depotë ushtarake ushqim udhës, kurse pasurinë e fituar, ushqimin do ta marrë nga garnizonet më të afërta. Ky benificion zgjat deri në të korrat e para, të cilat kolonisti i bën në tokën e tij të re.

            Kolonistët në qendër fitojnë pesë hektarë, pranë kufirit me Shqipërinë dhjetë, kurse pranë kufirit me Bullgarinë për shkak të kushteve klimatike, pesëmbëdhjetë. Organizata e tyre është e ngjashme me organizimin në kufirin austriak, të cilin e kishte Austria ndaj Turqisë.

Transportin e bëjnë hekurudhat shtetërore falas me trenat specialë sipas grafikonit të caktuar në Gjeneralshtab.

Ndihma në almise, materiale, të holla për blerjen e farës, do të rregullohej me dekret në mënyrë që të evitohet rrënimi i bashkësive agrare. Dekreti do të kishte qenë rezultat i përvojës së deritashme.

Duke punuar kështu[1] kolonizimi do të kishte mbaruar për tri a katër vjetët e ardhshëm. E me të do të zgjidhej e problemi kombëtar dhe problemi i sigurisë publike në frymën e aksiomës së njohur se shpëtimi i atdheut është ligji më i lartë[2].

23. – VIII. – 923.


[1]Ja si kanë punuar serbët në kurriz të popullit shqiptar para syve të Evropës “liridashëse”

[2]Një politikë e vazhdueshme serbe, e pandryshueshme, antishqiptare  edhe në ditët e sotme në hapësirat e ish Jugosllavisë


LEXO PJESËN PARAPRAKE: SHPËRNGULJA E TURQVE [1]

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button