Kadriu: Çështja e shtetësisë, problem politik jo juridik

Refuzimi i akordimit të shtetësisë qytetarëve shqiptarë me arsyetimin se rrezikojnë sigurinë e shtetit është arbitrar dhe aspak i bazuar në fakte. Eksperi juridik Bekim Kadriu sqaron se Ministria e Brendshme nuk ofron asnjë arsyetim apo shpjegim në aktvendimin e saj se përse këta persona janë të rrezikshëm për vendin, përpos faktit që janë shqiptarë. Shpeshherë arsyetimet janë banale, ndërkaq refuzimi i akordimit të shtetësisë bëhet në kundërshtim me ligjin për shtetësi, transmeton Alsat.

“Problemi më i madh në këtë drejtim është se MPB këto kushte i interpreton shumë në mënyrë arbitrare dhe pa pasur arsye të fuqishme i refuzon aplikacionet apo kërkesat e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni për fitim e shtetësisë së saj…në këtë drejtim me qëllim që të përmirësohet kjo gjendje zbatohet ligji për shtetësi kërkohet transparencë më e madhe nga ana e MPB-së, vullnet më i madh politik, qytetarët duhet ti shfrytëzojnë në maksimum mjetet juridike, ankesat, apo ndonjë mundësi për të shkuar në gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut”, tha Bekim Kadriu, ekspert juridik.

Një problem tjetër që hasin qytetarët shqiptarë gjatë aplikimit për të fituar shtetësinë është edhe mosnjohja e gjuhës maqedonase. Kadriu sugjeron që kjo çështje të kapërcehet përmes ndryshimeve ligjore, që do të parashikonin që qytetarët të dinë të paktën njërën nga dy gjuhët zyrtare në Maqedoni, respektivisht gjuhën shqipe. Të tillë zgjidhje ka Kosova, sugjeron Kadriu.

“Është interesante dhe paradoksale se ka persona që nuk e fitojnë shtetësinë sepse nuk e dinë gjuhën maqedonase a janë shqiptarë, dhe gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni..këtu ka hapësirë të bëhet ndryshim dhe të parashikohet që personi ta fitojë shtetësinë nëse njeh të paktën njërën nga dy gjuhët zyrtare në Maqedoni”, u shpreh Bekim Kadriu, ekspert juridik.

Sipas Kadriut, çështja e shtetësisë së shqiptarëve duhet të zgjidhet në kuadër të marrëveshjeve politike mes partnerëve të koalicionit, për faktin se problemi është politik dhe jo juridik.
“Mendoj se një dialog i rëndësishëm politik mund të determinojë zgjidhjen e këtij problemi krucial”, deklaroi Bekim Kadriu, ekspert juridik.

Saga e qytetarëve shqiptarë të cilëve iu mohohet e drejta për shtetësi zgjat prej më shumë se 20 vitesh, respektivisht nga pavarësia e vendit, ndërkaq këta persona janë të privuar nga të drejta të shumta si në arsim, shëndetësi, asistencë sociale etj. Pak ditë më parë, ministri i Drejtësisë Adnan Jashari deklaroi se ka kërkuar nga qeveria që personat që kanë nevojë për analizë ADN-je, për të marrë nënshtetësinë, të çliroheshin nga pagesa e shtrenjtë. Por, kjo nuk e zgjidh të gjithë fenomenin e mungesës së shtetësisë për mijëra shqiptarë në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button