Veliu: Ish ushtarët e UÇK-së të mos jetojnë nga lëmosha, por të trajtohen si meritojnë

Shoqata e Veteranëve të Luftës e dalë nga UÇK-ja, nuk pranon zgjidhje gjysmake për ish pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve. Fazli Veliu nga SHVL-UÇK thotë sedo të insistojë që familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe ish ushtarët e UÇK-së të mos jetojnë nga lëmosha dhe fondet vullnetare, por statusi i tyre të rregullohet me ligj, sikurse statusi i “branitellave” dhe familjeve të tyre. Pavarësisht deklaratës së Sekretarit të BDI-së Abdilaqim Ademi, Veliu thotë se nuk do të heqë dorë deri sa ish ushtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre të mos kenë trajtimin që meritojnë, transmeton Alsat.

“Është një qëndrim që nuk qëndron. Prandaj ne insistojmë bindshëm dhe me fakte, por njëkohësisht edhe me këmbëngulësi, që kjo çështje mbi gjitha çështjet e tjera, të zgjidhet si për palën tjetër, në mënyrë që ne të kemi bashkëjetesë të shëndoshë, në mënyrë që të kemi shtet të shëndoshë, vend të shëndoshë, e jo përsëri të jemi një pjesë e diskriminuar në krahasim me të tjerët. Çështja është e rëndë, e vështirë, dhe unë shpreh keqardhje për të gjithë ata që mendojnë se mund të zgjidhet aq lehtë. Një luftëtar i lirisë, një njeri që ka dhënë anëtarin e familjes në moshë të re, nuk mund të qëndrojë me lëmoshë, as me zgjidhje të dosidoshme”, tha për Alsat M Fazli Veliu, kryetar i SHVL UÇK.

Veliu theksoi se për këtë çështje do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese, duke marrë parasysh se Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta parashikojnë trajtim të barabartë të të dy palëve pjesëmarrëse në konfliktin e armatosur të vitit 2001. Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ligj për të drejta të veçanta për “branitellat” dhe familjet e tyre që në janar të vitit 2002. Privilegjet e “branitellave” janë zgjeruar me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit në vitin 2007. Nga ana tjetër, nga BDI-ja bëjnë të ditur se kanë rënë dakord me partnerët e koalicionit që statusin e ish ushtarëve të UÇK-së, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve ta zgjidhin në kuadër të ligjeve ekzistuese, jo me një ligj të veçantë.

Lajme të ngjashme

Back to top button