BDI nuk komenton çështjen “Hasanoviq”

BDI-ja, për momentin nuk ofron qëndrim zyrtar mbi rastin “Hasanoviq”. Burime partiake thonë për Alsat M se është shumë herët për komentet formale mbi situatën e vështirë diplomatike pas zbardhjes së skandalit me ish ambasadorin në Katar – kuadër i BDI-së. “Së pari le të përfundojë gjithë procedura, pastaj do të dalim me qëndrimin tonë”, – thonë zyrtarë të lartë nga partia e Ahmetit. Ata do të presin një përfundim ligjor mbi rezultatet e kontrollit të brendshëm të Ministrisë së Jashtme që treguan një dëm financiar prej 50 mijë dollarësh në punën e ambasadës së Katarit, në periudhën kur titullar i saj ishte Hasanoviq. Ndaj, nga BDI-ja konsiderojnë se do të ishte e nxituar të mendohet ose flitet për një zgjidhje të mundshme – pasardhës të Hasanoviqit, për postin e ambasadorit në Bosnjë-Hercegovinë, ku ai tashmë mori pëlqim dhe duhej të shkonte së shpejti.

Procedura për emërimin e tij në krye të ambasadës në Sarajevë, një pozicion që në marrëveshjen e koalicionit i përkiste BDI-së, është pezulluar për shkak të raporteve të Ministrisë së Jashtme, për shërbime të kryera por të papaguara në Katar, dëmin e të cilave duhet ta kompensojë vetë Hasanoviqi.

Dje nga Presidenca thanë se Ivanovi nuk do ta firmosë dekretin për një ambasador që nuk i plotëson kushtet ligjore për punë të jashtme, si dhe tek i cili janë konfirmuar parregullsi në punë, me arsyetimin se ai nuk mund të përfaqësojë në mënyrë të denjë Republikën e Maqedonisë. Disa nga vendet e ambasadorëve, që u desh të plotësohen me propozim të BDI-së, janë akoma të zbrazëta si për shembull në Katar, Zvicër si dhe në ambasadën në Sarajevë.

Lajme të ngjashme

Back to top button