Ademi: Nuk do të ketë ligj të veçantë për ish ushtarët e UÇK-së

Edhe pas 13 vitesh nga firmosja e Marrëveshjes së Ohrit, nuk është rregulluar statusi i më meritorëve për këtë marrëveshje, ish ushtarëve të , invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve. Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi thotë se statusi i tyre nuk do të rregullohet me ligj të veçantë, por beneficionet për këtë kategori do të nxirren nga ligjet në fuqi. Ademi thotë se kjo kategori qytetarësh do të ketë përparësi në punësim, avancim në pozitë, arsimim, mbikqyrje shëndetësore dhe sigurimin e banesës.

‘Ne këtë çështje e kemi diskutuar shpesh, por edhe gjatë formimit të koalicioneve kjo hapet si temë, dhe ka një dakordim që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të sistemit aktual, në kuadër të ligjeve aktuale, që nënkupton edhe përparësitë që mund të kenë kjo kategori e shoqërisë edhe gjatë punësimeve, gjatë avancimit, por edhe gjatë krijimit të kushteve për arsimim, për banesë, mbikqyrje shëndetësore e kështu me radhë’, tha Abdilaqim Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Ademi pranon se ngelet shumë për tu bërë për invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve, ndërsa sa u përket ish ushtarëve të UÇK-së, theksoi se numër i madh i tyre tashmë janë akomoduar në institucione shtetërore.

‘Nëse deri tani numër i konsiderueshëm i ushtarëve të UÇK-së janë punësuar qoftë në polici, ushtri, administratë ose në sfera të tjera, mendoj që kategoria që konsiderohet që edhe më tutje duhet të ketë kujdes edhe nga shoqëria, por edhe nga institucionet, është kategoria e invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve’, deklaroi Abdilaqim Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.
Familjet e dëshmorëve dhe organizatat e veteranëve të luftës ka kohë që kërkojnë të rregullohet institucionalisht statusi i tyre, ashtu siç ishte rregulluar statusi i ‘branitellave’dhe familjeve të tyre, me ligj të veçantë të miratuar që në vitin 2002.

Lajme të ngjashme

Back to top button