Marrëveshja e Ohrit, PDSH e konsideron të vdekur, BDI mundohet ta ringjall

Përvjetori i 13 i Marrëveshjes së Ohrit, shënohet sot me vlerësime kontradiktore të subjekteve politike sa i përket vlefshmërisë së këtij dokumenti politik që i dha fund luftës së vitit 2001, por që nuk arriti të vendos paqen e qëndrueshëm në vend.

Parimet kryesore të saj si përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në administratën shtetërore, përdorimi i gjuhës shqipe përdorimi i simboleve kombëtare, decentralizimi, sot pas 13 viteve sipas vlerësimeve të përgjithshme mbeten çështje të parealizueshme brenda një kornize të pa definuar.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, tha se do të bëhet një analizë rreth asaj se deri ku ka arritur implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, ndërkohë edhe zëvendëskryeministr për implementimin e kësaj marrëveshje, Musa Xhaferi thotë se në mandatit të ardhshëm do t’i përkushtohet implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu thotë për Portalb se BDI-së asnjëherë nuk i ka interesuar implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Marrëveshja e Ohrit paraqet ende një sfidë për marrëdhëniet e brishta ndëretnike në Maqedoni. Periudha e ardhshme do të vë para një sprove edhe BDI-në, për implementimin e plotë të kësaj marrëveshje e cila konsideron se relaksimi i marrëdhënieve ndëretnike mbetet një çështje e komplikuar.

MO u u nënshkrua më 13 gusht në Vodno

Dokumenti ishte finalizuar më 10 gusht në Ohër, kurse zyrtarisht u nënshkrua më 13 gusht 2001 në rezidencën e presidentit në Vodno në Shkup nga president ii atëhershëm i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski dhe kryetarët e atëhershëm të partive politike, Lupço Georgievski (VMRO DPMNE), Branko Crvenkovski (LSDM) Imer Imeri (PPD) dhe Arben Xhaferri (PDSH).

Do të ketë analizë kualitative të zbatimit të MO-së

Fatmir Besimi njoftoi se qeveria do të përgatisë një analizë cilësore të përmbushjes së deritanishme të Marrëveshjes së Ohrit, e cila do të vlerësohet në raportin e progresit të Komisionit Evropian. Komisioni Evropian së fundmi rekomandoi ndërmarrjen e masave proaktive për ndërtimin e besimit mes bashkësive etnike.
“Ajo që pritet edhe në këtë raport të progresit është të kalohet në një analizë kualitative të zbatimit të MO-së e cila do të shërbejë si një bazë për politikat në dekadën e dytë të implementim të MO-së. Kjo është me rëndësi edhe për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe ekonomie të tregut funksional gjithsesi se stabiliteti politik i vendit është jashtëzakonisht i rëndësishëm ashtu siç janë të rëndësishme investimet dhe krijimi i vendeve të punës dhe stabiliteti i institucioneve të vendit”, tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

MO që moti është e vdekur, fajtor është BDI

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu thotë për Portalb se, që moti e kanë të qatë mënyrën e funksionimit të BDI. Sipas tij, atyre asnjë herë nuk ju ka interesuar implementimi i Marrëveshjes së Ohrit . Për BDI prioritet gjithmonë ka qenë interes personal dhe klanor i funksionarëve të tyre.

“Kjo më së miri shihet që edhe pas 13 viteve ata nuk kanë as idenë më të vogël se çfarë ndodh me Marrëveshjen e Ohrit. Para kësaj marrëveshje ka pasur afat të realizimit. Ky afat ka qenë viti 2004, tani jemi në vitin 2014 dhe për BDI ende nuk dihet se a është realizuar dicka apo jo nga marrëveshja e Ohrit. Ky fodullëk tyre është edhe një tentim i kotë për ta mbuluar rezillëkun e tyre politik. Deklaratat e tyre ofendojnë inteligjencën tonë si komb. Marrëveshja e Ohrit që moti është e vdekur dhe për këtë janë fajtorë kryesorë hajdutët e BDI që në asnjë moment nuk ju ka interesuar implementimi i saj”, tha Bekim Fazliu.

Marrëveshja e Ohrit as në çerekun e formësimit të plotë

Nga agjenda që do të ketë përpara zëvendëskryeministri Xhaferri që trashëgon po të njëjtin resor, mund të kuptohet se Marrëveshja e Ohrit nuk ka arritur të trasojë as çerekun e rrugës së saj.

Ja prioritetet që Musa Xhaferri tregon për Portalb:

– Do të vazhdohet me përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në sistemin gjyqësorë.
– Forcimi i kapaciteteve financiare të komunave
– Ligji për decentralizimin e komunave
– Implementimi i zhvillimit rajonal, shpërndarja adekuate e mjeteve financiare për regjionet.
– Rritja e besueshmërish së shqiptarëve në institucionet e shtetit, nëpërmjet përfaqësimit adekuat në këto institucione

Lajme të ngjashme

Back to top button