Spasov: Aplikim për kompensim të kushtëzuar në të holla skadon më 30 shtator

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale Dime Spasov, sot në konferencë për shtyp informoi se afati i   aplikimit për kompensim të kushtëzuar në të holla dedikuar për nxënësit e shkollave të mesme që vijnë nga  familjet e rrezikuara sociale skadon më 30 shtator.

 Ai përkujtoi se një ndër kushtet për pagesë të kësaj  ndihme sociale është rregullshmëria në shkollë që duhet të jetë të paktën 85 orë nga numri i orëve të realizuara për çdo tremujor të vitit shkollor. Prej sivjet paratë do t’u paguhen nënave të nxënësve të shkollave të mesme në katër pagesa nga 3.000 denar. “Presim rreth 10.000 nxënës këtë vit shkollor ta realizojnë të drejtën e kompensimit të kushtëzuar në të holla. Për realizimin e kësaj mase janë paraparë 120 milionë denar”, tha Spasov.

Që të aplikohet për Kompensim të kushtëzuar në të holla nevojitet që në Qendrën kompetente për punë sociale deri në datën 30 të këtij muaji të parashtrohet kërkesë dhe vërtetim për nxënës të rregullt nga shkolla ku ndiqet mësimin. Nëse aplikuesi parashtron kërkesë pas 30 shtatorit do të ketë mundësi të kyçet në program nga tremujori i ardhshëm shkollor.

Afati përfundimtar për parashtrim të kërkesës për kompensim të kushtëzuar në të holla për një person që në përgjithësi të mundet të kyçet në program për vitin vijues shkollor është 31 marsi, por në këtë rast shfrytëzuesi do të mund të marrë vetëm një nga katër pagesat e parapara.

Programi për Kompensim të kushtëzuar në të holla filloi të zbatohet nga fillimi i vitit shkollor 2010/2011. Në vit rreth 10.000 familje e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë, por ka edhe të tilla që e kanë humbur ndihmën. 

Lajme të ngjashme

Back to top button