U shënua 102 vjetori i Çlirimit të Shkupit (FOTO)

Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni (SHHSHM), në bashkëpunim me Shoqatën “Sofra gjakovare” – Shkup dhe Komunën e Çairit, me një sërë aktivitetesh, sot shënuan 102 vjetorin e Çlirimit të Shkupit.

Fillimisht, u bënë homazhe para shtatores së ideologut të pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinës në Shkup. Delegacione të ndryshme, të udhëhequra nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, Zëvendësministri i Mbrojtjes, Arben Labënishti, kryetari i SHHSHM-së, Skender Asani, delegacioni nga Gjakova me në krye Masar Rizvanollin, pastaj Mehmet Prishtina, Gazmend Boletini, Berat Deralla, etj., nderuan figurën e njërit nga arkitektëve kryesor të Pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtina.

U shënua 102 vjetori i Çlirimit të Shkupit

Me këtë rast, Mehmet Prishtina theksoi se Shkupi dhe Hasan Prishtina, janë lidhje e fuqishme në bërthamën tonë kombëtare, duke u prirë ngjarjeve të mëdha për fatet e kombit tonë, siç ishte edhe Çlirimi i Shkupit 102 vjet më parë. Kurse, zëvendësministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Arben Labënishti, tha se është krenari të nderohet figura e madhe kombëtare e Hasan Prishtinës, rruga e të cilit duhet të na ndriçojë të ardhmen tonë. Më pas, delegacioni i gjakovarëve, vizitoi Muzeun e Lirisë në Shkup, ku u pritën nga drejtori Baki Halimi.

Ndërsa, në sallën e Komunës së Çairit në Shkup, u mbajt tribuna me ligjërues Prof.Dr. Masar Rizvanolli, në temën: “Kontributi i trevës së Gjakovës në Kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912”. Tribuna u drejtua nga Baki Maliqi, kryetar i shoqatës “Sofra gjakovare” në Shkup.

U shënua 102 vjetori i Çlirimit të Shkupit

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në hapje të tribunës tha se Shkupi mbetet si një nga tri qendrat kryesore të shqiptarizmës, andaj këto data historike le të na shërbejnë edhe për frymëzim për një perspektivë më të mirë të të gjithë neve si komb. Në emër të kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tribunën e përshëndeti Dijana Çakaxhiu. Kurse, në emër të SHHSHM-së, Prof.Dr. Nebi Dervishi, theksoi se shumë familje të njohura gjakovare, historikisht kanë vepruar në Shkup, si qendër e Vilajetit të Kosovës.

U shënua 102 vjetori i Çlirimit të Shkupit

Në ligjeratën e tij, Prof.Dr. Masar Rizvanolli, theksoi se Kryengritja e përgjthshme shqiptare e vitit 1912, ka filluar në mars të vitit 1912, pikërisht në Gjakovë, dhe kulmoi me çlirimin e Shkupit në muajin gusht. Sipas tij, figura të mëdha kombëtare nga Gjakova, të cilat duhet edhe më tej të studiohen, janë Bajram Daklani, i cili ngriti në Shkup flamurin e pavarësisë, dhe Bajram Curri, si një nga strategët kryesorë të kryengritjes, bashkë me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe të tjerë. Në fund të ligjeratës, me të pranishtim u hap debat lidhur me këto ngarje historike.

U shënua 102 vjetori i Çlirimit të Shkupit

Lajme të ngjashme

Back to top button