Maturantët shkupjan kërkojnë nga USHT drejtime të reja  

Maturantët nga Shkupi shfaqin shqetësim të madh lidhur me regjistrimin në Universitete. Ata ankohen se në Studimet e Disperuara të USHT-së në Shkup ka shumë pak drejtime e sidomos për nxënësit që kanë përfunduar mjekësinë dhe duan të vazhdojë drejtimin e tyre edhe në arsimin e lartë.

“Isha në USHT, dhe pas programet e tyre në Shkup, kishte shumë pak. Unë kam përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë dhe doja të regjistrohesha në psikologji po ky drejtim nuk ishte më në Shkup, më thanë se duhet të regjistrohem në Tetovë dhe atje të ndjek ligjëratat”, tha Elmedina Emini, maturante.

“Në këtë krizë ekonomike është shumë e vështirë që të studiosh në një vend tjetër. Të gjithë u gëzuan me hapjen e studimeve të disperzuara sepse përveç mundësisë që të paguajmë më lirë, ne e kishim edhe afër shtëpive tona Universitetin. Tani nuk e di do të duhet të shoh ndonjë drejtim që ekziston ende në Shkup, ose të regjistrohem në Universitet maqedonas”, tha Afrim Tahiri, maturant.

Maturantët gjithashtu parashtrojnë pyetjen se pse USHT lavdërohet se tani ka hapësira të mjaftueshme dhe kushte më të mira në Shkup, kurse drejtimet vazhdojnë të mbyllen.

“Vitin e kaluar u mbyllën disa nga drejtimet të disperzuara në Shkup, shkaku i kushteve dhe mungesës së hapësirë. Tani thonë që më në fund kanë gjetur hapësira të reja të cilat mjaftojnë dhe kanë kushte shumë të mira për zhvillimin e vitit akademik, por prapë se prapë nuk i kthejnë ato drejtime të mbyllura madje edhe disa të tjera i kanë hequr”, thonë maturantët.

Ndërkaq sa i përket studimeve të disperzuara, disa vlerësojnë që ato ulin cilësinë e USHT-së dhe për këtë shkak rangohet në fund sa i përket suksesit, ndërkaq disa thonë që studimet e disperzuara nuk ulin cilësinë, por ulin punësimet partiake të personave jo adekuat për të ligjëruar.

Ndryshe USHT ka vendosur të fokusohet vetëm në Tetovë, dhe bëjnë të ditur se edhe këtë vit presin fluks të madh të maturantëve që do të shprehin dëshirë për regjistrim në këtë Universitet.

Maturantët kanë dy ditë për të vendosur se ku do t’i drejtojnë dokumentet për vazhdimin e arsimimit të lartë pasi që regjistrimi fillon më 14 gusht.

Lajme të ngjashme

Back to top button