GADAFI E HOXHA

Rrallë më bie të shkoj nëpër tubime të ndryshme familjare, dasma e gëzime të llojeve të ndryshme. Në ato raste zakonisht më bie të hesht, nuk dua të flas se shpesh fjalën time, mendimin tim e them publikisht. Megjithatë, nuk jam indiferent ndaj gjithë asaj që e dëgjoj kur njerëzit bëjnë muhabet, kur “trajtojnë” tema të ndryshme që nga feja deri te “çuditë” “shkencore”. Nuk më habisin muhabetet kur njerëzit e thjeshtë flasin “me kompetencë” para mjekëve. Më habisin rastet kur historianët tonë gjenden rastësisht aty dhe e merr vesh se ata praktikisht nuk kanë kurrfarë informacioni për të kaluarën tonë, kur arsimtarët e gjuhës e të letërsisë shqipe e kanë vështirë ta dallojnë mbiemrin nga ndajfolja, poezinë lirike nga poezia epike dhe së fundi habia më e madhe vjen kur thuajse të gjithë të lëshohen duke të të mbajtur ders në tema të ndryshme fetare, ani se asnjë libër feje s’e kanë lexuar dhe asnjë qasje kritike nuk e kanë pasur nëpër duar për zhvillimet fetare. Në to i dëgjon shpesh fjalët “haram” e “hallall” e sintagmën  “populli mysliman” e kështu me radhë. Natyrisht nuk dua t’i komentoj këto, sepse nuk jam kompetent për këto punë, por nuk e kuptoj prej kah doli që thuajse shumica të jenë “kompetentë” për këto punë. Flasin njerëzit, japin mana, japin shpjegime të ndryshme, madje edhe para imamëve, para hoxhallarëve, pra para atyre që janë të thirrur të japin shpjegime për fenë islame e cila, sipas shumë njohësve të fesë, është sinonim i paqes. Thotë njëri:

“Njo tekha, a e pajve ni filxhan birrë, a e pajve ni shekë, ket nja e kije! Harami ash nja”!…, ndërsa tjetri kërcen në një “temë” krejtësisht tjetër:

“E vlla, imi ba për kurrkund!… Çulloj emnat si va vemë caullve: Agron,  Rron, Pranverë, Verë. Çllo, Rron  kum pa pjot napër Evropë”.

Ndërhyn hoxha:

“Ani, ani, ban ene aso emnash, Nashtë. Veç le t’bahen njerëz t’majr”! Nuk pajtohen njerëzit me këtë qëndrim, shumica e tyre. Reagojnë. As hoxhën s’e dëgjojnë. Kështu hoxhës s’i mbetet tjetër përveç se t’u drejtohet të pranishmëve: “Vllazën, vllazën!…!. Por s’ka kush i ndal “vllaznit”. Kot mundohet t’u shpjegojë hoxha se feja është punë personale, kot mundohet të thotë se secili ka lindur vet dhe se vet do të vdesë, kot do ai t’u tregojë se feja kërkon përgjegjësi individuale, se është çështje personale. “Të pranishmit i mban mbi krahët e vet njëfarë inercie e nxitur nga emocionet e pashpjegueshme. I çon kjo inerci drejt afektit. Ata këmbëngulin: nuk është feja punë individuale, por kolektive, thuajse në ditën e gjykimit të gjithë njerëzit e një kombi do të përgjigjen me një gojë të vetme, e jo secili veç e veç për bëmat ose të palarat e tyre.

Atmosfera nxehet, toleranca fillon të lëshojë pe. Ka raste kur pa arsye fare fyhet nënë Tereza, kur fyhen figurat e mëdha historike të popullit shqiptar, si Skënderbeu dhe del se Fan Noli paska qenë më i keq se Naseri i Egjiptit ose el Esati i Sirisë. Njëri aty, në këtë ndejë, pafatësisht e ka emrin Gadaf, pra emrin e ish prijësit libian e mikut të madh të Serbisë, tash të ndjerë, të atij lideri arab që nuk deshi kurrsesi ta pranojë Kosovën. Se i dhembsej Serbia.

“Si thaue taj Gadaf”? e provokon njëri Gadafin. “Xhi thonë librat toja, o Gadaf?”, i thotë me ironi, ashiqare sepse thonë se Gadafi lexuaka shumë, ama jo literaturë fetare, po laike: filozofi, letërsi.

Gadafi e di sa është sahati, e di se duan ta venë në bisht të lahutës, e di se duan ta tallin, por nuk nxehet. Qetas u përgjigjet me pyetje:

“Po çfarë deshët t’ju them unë, çfarë deshe të më pyesësh”?

“Deshta to t’tham, o Gadaf, se emnin e kije t’heshëm”… Gadafi nuk reagon vrullshëm, por qetas i jep përgjigje me shaka:

“O s’um kanë pajt mu kur ma kanë vu emnin… Se t’um kishin pajt asniherë s’un ma kishin vu kot emën”…

“Pse, xhi ka emni jot? Emën i majr musliman. I heshëm…”

“I heshëm… Shaum…, thotë me një doze të lehtë ironie Gadafi. Pastaj shton: “Ene mbiemnin e kam t’heshëm… Halili…”.

“Po, e kije… Halili. Ene ki emën musliman… I majr”.

“A e din kush asht Halil Xhibrani”? pyet Gadafi.

“Jo, s’e di”…

“Ash ni poet i madh arap”.

“Po Sulejman Franzhje”?

“As kot s’e di”.

“Ki ka kanë krietar i Libanit. Ene ki arap asht”.

“Po majr”.

“Jo nuk asht majr, se kto di arap janë, ama myslimanë nuk janë. Njani  asht Halil, qetri Sulejman, po asnjani s’asht musliman… Tu ditë janë t’krishtenë”!

“Aj, be, mo luj!”

“Jo nuk luj. Çe pajte hoxhën!”

Hoxha pohon me kokë.

“Ama na imi qetër ktau. Na kimi punë me sërpin. Sërpi  don t’na i hupje farën pse imi muslimanë, o Gadaf. Jo për qetër.

“Prajt, prajt…”, thotë Gadafi. “Njo xhi thotë ni dijetare angleze, njo majr! Të gjithë të pranishmit presin ku do ta nxjerrë fjalën Gadafi. Kurse Gadafi e citon Edit Durhamin. “Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se sa myslimanët” ( E. Durham, Londër 1920).

Hoxha dhe rrotullon kokrrat e tespihëve dhe hesht.

Fole ni fjalë, o hoxhë.

Hoxha thotë:

“O vllazën, shqiptarë jemi ma s’pari. E kije vatanin, e kije ene fenë. S’e kije vatanin, s’kije kurrxha”…

“Po emnat, o hoxhë. Çfarë emnash duhet t’vemë?”

“U kallxoj Gadafi!”

“Ej, ki hoxha e paska sos fakultetin n’Prishtinë”… thotë njëri, kurse të tjerët heshtin.

“Pse a mos deshtët une ta përçaj kombin tem, si partitë politike, a”?! tha hoxha. “A mos deshtët t’tham se majr ja kanë ba bustit t’Skenderbeut n’Gostivar, çi e kanë fugë n’pjeh. Jo, vllazën, jo. Na imi shqiptarë, nuk imi as turç, as arapë… Feja e ka vendin e vet te sejcili veç e veç, ama kombi asht punë e jona e përbashkët. Feja gërkon përgjegjësi individuale, personale. Kombi asht përgjegjësia jonë kolektive, e kejtve, vllazën…”.

U ngrita, besa, i habitur. Nuk e prita që hoxha ta mbështesë kështu Gadafin, një lexues të pasionuar të letërsisë. Nuk e prita, as ta sheshojë brengën e tij për përçarjet tona të turpshme në të gjitha sferat e jetës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button