Enigmë numri i të punësuarve shqiptarë të pa sistemuar në institucione

Mbetet enigmë numri i të punësuarve në administratën shtetërore, ende të pa sistematizuar në vendet e tyre të punës. Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë Ivo Ivanovski sot refuzoi të përgjigjej se sa administratorë qëndrojnë ende në shtëpi dhe marrin pagat mujore. Ivanovski tha madje se kjo temë nuk është studiuar ende nga dikasteri që ai drejton, edhe pse në bazë të ligjit të ri për administratë ky institucion duhet të sigurojë të dhëna të sakta për numrin e të punësuarve, transmeton Alsat M.

“Kjo nuk ishte temë e studimit tonë, kur do ta studiojmë atëherë mund të ju informojmë”, tha Ivo Ivanovski, Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Të dhëna të sakta rreth numrit të administratorëve që prej vitesh qëndrojnë në shtëpi, refuzojnë të japin edhe nga Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sekretari shtetëror Ejup Halimi theksoi për Alsat se nuk posedojnë numër të saktë se edhe sa nëpunës presin të caktohen në vendet e punës, pasi ky numër ndryshon çdo ditë. Megjithatë, sipas tij, pjesa më e madhe e tyre tanimë janë të sistematizuar. Shifra e vetme që u zbardh në opinion rreth këtij numri enigmatik, erdhi nga deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili i cili në një debat në parlament, një vit më parë theksoi se rreth 1300 administratorë shqiptarë prisnin të shpërndahen nëpër vendet e punës.

“Për sa i përket marrjes së mjeteve nga Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, të informoj se atje ka një numër mbi 1300 të punësuar që po shpërndahen nëpër institucionet shtetërore, dhe në bazë të një analize që kemi bërë, pas kësaj, shumë institucione do të plotësojnë kuotën prej 25 % që parashikohet për shqiptarët në Maqedoni”, u shpreh Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së 08.10.2013.

Në bazë të të dhënave të Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2008 deri në vitin 2013 janë punësuar 2900 administratorë. Për vitin 2014 janë planifikuar edhe 400 punësime të tjera. Qeveria gjithashtu refuzon të japë edhe numrin e përgjithshëm të të punësuarve në administratën shtetërore. Megjithatë besohet se ky numër është mbi 100 mijë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button