Të jesh apo të kesh?

Artur Zheji

Shoqëria shqiptare është zhytur në një dilemë të madhe morale.

Nga njëra anë një pothuaj kastë, politike, ekonomike dhe pushtetesh okulte, ndërsa nga ana tjetër një varfëri të thellë, e cila shprehet si mungesë fuqie, si mungesë ekonomike dhe vendimmarrëse. Vertikalisht e dëshpëruar dhe nuk dihet sa kohë e pashpresë.

Më kap syri gjith e më shpesh nëpër kafenera, qofshin këto popullore ose të frekuentuara nga kasta, biseda të zjarrta apo të fërshëllyera nëpër dhëmbë, të cilat kanë si refren, kryesisht prapashtesën euro, lekë, apo dollarë. Pastaj fare skiç, në të njëjtat biseda flitet flurthi për ndonjë politikan, për ndonjë çudi, për meshkuj, femra, apo marka makinash.

Një Mbretëri e Madhe Materiale pra, një Piramidë në trajtë supermarketi kolosal, ku ndryhet e gjithë jeta e më të shumtëve. Më kujtohet reklama italiane e një zinxhiri supermarketesh ‘Coop’, kur jetoja në Romë. Blerësi, me karrocën plot e përplot me të gjitha të mirat e kësaj toke, hipur mbi të edhe dy fëmijët e tij që bërtet:

‘Coop!!! Mos më nxirrni që këtej! Unë këtu dua të jetoj përgjithmonë!…’

Dhe duket kësisoj, kjo shoqëria e madhe e të pasurit apo të mospasurit të diçkaje, si një koshere e stërmadhe që zien për të zhgrapsur dhe për të shqyer gjënë publike, apo gjënë e tjetrit.

Dhe nisen burrat në këtë luftë të përditshme, që ka prapashtesën euro, lekë apo dollarë, veshur ngjeshur me parzmore si dhe një thes me maska…

Dhe nisen ndër këto labirinthe të kismetit pasuror edhe gratë luftëtare, të zhveshura si Eva dhe me mollën e mëkatit në dorë, jo rrallë, të bekuara nga shikimi gazmor i burrave të tyre.

Sepse është rrënjosur bindja dhe vetëdija, që të Kesh është më kryesore sesa të Jesh. E sepse po të kesh, para, mall, pushtet, fuqi, mund të zgjedhësh se si të jesh, i bukur, i suksesshëm, i lumtur…

Mirëpo gjykuar nga fytyrat e paqeta, shpesh plot ankthe dhe jo të lumtura të mjaft prej tyre që ia kanë dalë kësaj beteje, në botë dhe në Shqipëri, gjykuar nga miliona faqet e rrëfenjave të përvojës mijëravjeçare të Njerëzimit që këtë dilemë nuk e ka aspak të re, raporti ndërmjet Pasjes dhe Qënies, duket se është më pak primitiv dhe më pak i vrazhdë, nga sa përjetohet në të përditshmen e fshatit tonë.

Vetëdija për Vdekjen apo për misionin e Jetës, vetëdija për shëndetin e përgjithshëm të planetit, ku hamë, pimë dhe përdhosim, dyshimi dhe besimi te Perëndia, hapja e dritareve të tjera pamore të Dritës së syve, shumë përtej banesës apo vilës sonë, sado e madhe në metra katror qoftë ajo, studimi i qiellit dhe i yjeve, leximi i hartës magjike të mendjes njerëzore, udhëtimi në kohën dhe hapësirën imagjinare, të së Shkuarës apo të së Ardhmes, janë finesa dhe janë një luks që nuk blihet me para. Ose së paku, këtë biznes e prodhon vetëm kinematografia. Por që vetëm shihet dhe nuk preket.

Dhe kështu konflikti midis asaj që Ke dhe asaj që Je, bëhet më i mprehtë. Ata që kanë çelësat e artë të kasafortave për shembull, shpërfillin më së shumti ata të paktë që kanë zgjedhur të jenë ata që janë.

Që kanë qëlluar kulturalisht të jenë ndryshe, aksidentalisht apo në mënyrë të vetëdijshme, por Ndryshe, pavarësisht se kanë materialisht më pak, para, pushtet dhe metra katror tullash të stivosura për hata. Që të sqarohemi, ndoshta edhe këta që s’kanë bollëkun e stivës së madhe materiale dhe ndërkohë nuk shprehin dëshpërim apo çoroditje bërtitëse për këtë fakt, ndoshta janë edhe ata, betejë-humbur të dikurshëm të pasurive dhe karrierave politike.

Porse në humbje, për fat të tyre, ndoshta fituan syrin dhe shikimin e të parit ndryshe e pa urrejtje të gjërave, ndjesitë dhe vetëdijen si qytetarë të Kozmosit dhe jo milingona të metropolit. Dhe kanë fatin, që në mendjen e tyre rri përherë tendosur, një qilim fluturues, si i përrallave persiane, që i transporton përtej, në kohëra dhe hapësira të reja.

Si ndodh pak a shumë në ‘Princin e Vogël’ (Le petit Prince, 140.000.000 kopje të shitura) të Antoine de Saint-Exupery. Libër absurd i arratisjes nga realiteti i mbrapshtë, shkruar nga Exupery, në kulmin e histerisë së Luftës së Dytë Botërore. Kur makthi dhe etja e mendjeve të sëmura, për të pasur me çdo kusht më shumë se tjetri përbri, çoi në vrasjen e 55 milionë njerëzve.

Sigurisht të gjithë e dimë që asteroidi i paqtë dhe trëndafili, (këta që Kanë duhet ta lexojnë këtë dreq libri), ku jetonte Princi i Vogël, nuk ekziston.

Por e drejta për ta kërkuar dhe për të jetuar një jetë ndryshe, me më shumë imagjinatë, me më shumë finesë dhe me më pak metra katror tulla dhe orendi të rënda, gjykuar dhe nga milionat e shitura të këtij libri modern, apo nga qindra milionat e kopjeve të Biblës ose Kuranit, që qarkullojnë në Botë, rrëfen për ekzistencën e një enzime apo përbërësi tjetër, që është i bashkëlindur me krijesën njerëzore. Një enzimë shëronjëse e maktheve dhe acideve që prodhon me të shumtë Bota Vetëmmateriale.

Kjo dreq enzime apo ky dreq tharmi, për absurd të botës materiale ku jetojmë, nuk është në shitje dhe nuk blihet dot, as me euro, as me lekë, as me dollarë dhe as me pushtet.

Dhe absurdi bëhet edhe më i madh, sepse ata që Kanë, e duan më shumë se gjithkush tjetër këtë enzimë apo këtë shqisë, që prodhon realitete të relaksuara dhe në një ekuilibër pothuajse magjik, të Vetvetes me Universin. Si dhe është për shembull magjike në përjetësi buzëqeshja plot hir e Nënë Terezës.

Ku paraja, tullat, pushteti dhe e gjithë Pasja, sado e madhe qoftë ajo, është e pafuqishme të ndikojë.

Përveçse, (ruajna Zot mendtë e kokës) kur falen për bamirësi. Por për ata që Kanë, dihet, kjo baraz me vetëvrasjen. E pra, e pamundur.

Por le t’i lëmë në dramën e tyre të pasur ata që Kanë. T’i lëmë edhe ca kohë, në iluzionin dritëshkurtër të pavdekësisë që pasuria jep hera-herës në mënyrë të rreme.

Sepse ka, nga ana tjetër një turmë të madhe njerëzish, që kërkon më shumë vëmendje për të zbutur dhimbjet e veta therëse dhe të pashërueshme sociale.

Ndoshta nesër dhe shkallë-shkallë, edhe shoqëria shqiptare do të zbutet. Dhe ata që Kanë, duke e ditur që nuk mund ta blejnë, do të mundohen ta fitojnë ‘Enzimën’ e munguar të ekuilibrit njerëzor. Le të shpresojmë për të mirën e të gjithëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button