Kur përzihen P-jat

Tre janë fjalët që nisin me shkronjën P; privatja, publikja dhe politika e që shumë qytetarë, sidomos ata shqiptarë, në Maqedoni duhet ti dallojnë më shumë. Ky dallim nevojitet edhe për kuptimin e drejtë të çdonjërit nga këto tre nocione, por edhe për kuptimin e dallueshmërisë së tyre mes vete.

Ndonëse anembanë Maqedonisë janë të shumtë shembujt kur praktikat në lidhje me këto tre P-ja janë paksa të tollovitura do përzgjidhnim dy shembuj aktualë nga Shkupi dhe që në njëfarë mënyre ishin edhe shkas i afërt për këtë shkrim. Shembulli i parë është iniciativa e shkëlqyeshme dhe ndihma konkrete që bën dhe ka bërë një biznesmen shqiptar për meremetimin e katër shkollave fillore në rrethinë të Shkupit, në një vlerë mbi 100 mijë euro. Kurse shembulli i dytë iniciativa njashtu shembullore dhe për t’u përshëndetur, për Çair të pastër, që është ngritur në rrjetin social në Facebook e që bën sensibilizimin për gjendjen e rëndë që mbizotëron në Komunën Çair të Shkupit, nën emrin: Duam Çair të pastër.

Po pse mu këto dy shembuj të jenë shkas për një qartësim rreth publikes dhe privates e edhe përmendjes së P-së së tretë: Politikës?! Kjo pasi gjatë përurimit të iniciativës së parë për shkollat fillore prezent ishte edhe lideri i partisë shqiptare në pushtet në Maqedoni; z.Ali Ahmeti kurse në të dytën, pasi shpesh përgjegjësia që kanë autoritetet komunale, nga e njëjta parti politike, gjatë debatit bartet edhe tek qytetarët, sikur ja edhe ata janë fajtorët për gjendjen e mjerueshme në komunën me dendësi më të madhe të popullatës për km në katror në Evropë. Në 3,52 km² jetojnë 64.823 banorë, që në dendësi i bie 18.415,63 banorë për km².

Për të qenë të drejtë, si gjithmonë dhe deri në fund, edhe vet fjala e thënë në opinion gjatë përurimit të meremetimit të shkollave fillore e kryetarit të BDI-së ishte mu në qartësim të P-jave nga titulli. Kur qartë u tha edhe se këto janë punë që duhet ti bën shteti. Të vetmet gjëra që mbetën të paqarta në këtë rast ishte prezenca dhe paraqitja në medie edhe e liderit të partisë në pushtet në një vend ku mu ai është shtet dhe pushtet, edhe në Ministrinë e Arsimit e edhe në komunën përkatëse, atë të Saraj-it?!

Sigurisht, pasi në botë ka shumë raste të filantropisë dhe përgjegjësisë sociale të firmave dhe të biznesit, edhe kjo iniciativë është e shkëlqyeshme dhe meriton përkrahje të gjerë shoqërore. Pasi është një model sipas të cilit me vite edhe është vepruar në këtë vend, sidomos shqiptarët, të cilët vite me radhë me kontribute vetanake dhe kolektive kanë ndërtuar rrugë, ujësjellës, shkolla dhe ambulante, në gati gjithë vendbanimet ku ata jetojnë. Një evidentim i saktë dhe i tërësishëm i gjithë këtij kontributi të dhënë nga popullata tërë këto vite do ishte edhe një përgjigje e mirë politike për krejt mëdyshjet që me tendenca politike shpesh shpalosen mbi relacionin e qytetarëve shqiptarë me shtetin e Maqedonisë.

Njashtu ky model mund të shërbejë si mënyrë e rregullimit të shumë problemeve banale që kanë shumë qytetarë në Maqedoni e që me vite anashkalohen nga ana e shtetit dhe institucioneve. Sigurisht pasi të jenë vendosur edhe kornizat e nevojshme ligjore për të siguruar këtë mund të qytetarëve. Kjo, deri në shembujt e hapjes së vendkalimeve kufitare që me vite anashkalohen nga politika ndonëse shtetet fqinje e kanë përfunduar gjithë pjesën e tyre të punës. Si në shembullin e vendkalimit kufitar në Llojan, i cili tani më është bërë anekdotë e shqiptarëve që ilustron paaftësinë e politikanëve këtu.

Shembulli i dytë, ai i Çairit na sqaron P-jat nëpërmjet debatit që kahëzon fajësinë edhe tek qytetarët. Sigurisht që edhe qytetarët e Çairit, ndonëse jetojnë në atë dendësi, si gjithë njerëzit; hanë, pinë dhe prodhojnë edhe papastërti. Por, është tërësisht e padrejtë që debati të kahëzohet edhe tek ata në këtë rast kur është më se evident dështimi total i autoriteteve institucionale në këtë komunë. Edhe ata komunal e edhe ata të Qytetit të Shkupit. Kjo edhe praktikisht mund të vërehet nëse krahasohet me kufijtë e kësaj komune, në të njëjtin qytet Shkup, aty ku të njëjtët njerëz dhe popullatë jeton edhe në komunën Qendër dhe Butel. Përkatësisht të njëjtit shqiptarë jetojnë edhe në lagjet Duqanxhik dhe Shkup-Veri që bien në komuna tjera, por ku si me vizore vërehet dallueshmëria në pastërti dhe rend urbanistik, ndonëse edhe aty dallohet anashkalimi i akcentit si tjetërkund nëpër ato komuna, i autoriteteve komunale përkatëse, të Butel ose Qendër.

Ndonëse ky argumentim është edhe i panevojshëm në esencë kur dihet se populli zgjedh pushtetin dhe jo anasjelltas, prapëseprapë mendoj se krahasimi më i mirë që mund të bëhet për të dalë më në shesh dështimi total politik i autoriteteve komunale në komunën Çair do ishte krahasim i buxheteve dhe të punësuarve me komunat tjera të Shkupit. Edhe atë mu në sferat që kanë të bëjnë me shërbimet komunale të nevojshme për pastërtinë dhe rendin e dëshiruar në këtë komunë. Nga ai krahasim do ishte më se e qartë se jo vetëm që nuk ka faj populli, qoftë edhe ai i dendur, por dikush që është i paguar për fshisën duhet ta kape atë në dorë dhe jo të ndjeke se kush dhe çka bën like nëpër Facebook!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button