Tjetër fatkeqësi ajrore, 48 viktima

Një aeroplan pasagjerësh i kompanisë ajrore “Sepahan Air”, me 48 persona në bord, nga të cilët 8 anëtarë ekuipazhi, raportohet të jetë përplasur në një zonë rezidenciale, menjëherë pasi ishte ngritur nga Aeroporti “Mehrabad” i Teheranit, mëngjesin e së dielës, bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, duke cituar një zëdhënës të Kryqit të Kuq iranian. 

Raportimet fillestare bëjnë të ditur se 40 pasagjerët, përfshi 5 fëmijë; 2 foshnje dhe 3 fëmijë nën 12 vjeç; kanë mbetur viktima të incidentit, sipas IRNA-s, ndërsa ende nuk është dhënë informacion nëse ka të plagosur në zonën ku ka rënë avioni.

Aeroplani ishte nisur për në Tabas, në Verilindje të Iranit, por u përplas në bllokun rezidencial Azad, në “Bulevardin Mina 6”. IRNA thotë se përplasja e tij ndodhi nga fikja e motorrit.

Sektori iranian i Aviacionit është goditur nga rrëzime të përsëritura kohëve të fundit, për të cilat politikanët iranianë fajësojnë sanksionet ndërkombëtare, të cilat u ndalojnë kompanive iraniane të fluturimeve të blejnë avionë të rinj. Për vite me radhë, avionët janë nënshtruar modifikimeve përmes pjesëve të importuara nga tregu i zi, apo duke i marrë nga avionë të tjerë, apo duke i zëvendësuar me prodhime vendase, bëjnë të ditura burime nga aviacioni iranian.

Lajme të ngjashme

Back to top button