Ziadin Sela ndalon te ‘zemra’ e PDSH-së në Tetovë (FOTO)

Kryetari i komunës së Strugës, z. Ziadin Sela, qëndroi në Tetovë ku u formua Këshilli iniciues për reformimin e PDSH-së, kryetar i të cilit u zgjodh Adnan Neziri, aktualisht anëtar i Kuvendit Qendror të kësaj partie, njofton TetovaSot.

“Arsyeja kryesore që pranova të jem kryetar i Këshillit iniciues është se mendoj që në kuadër të PDSH-së duhet të pësojnë ndryshime. Ndryshimet kanë qëllimin pozitiv që partia të reformohet, të jetë më e hapur, më transparente si dhe më demokratike”, tha Neziri.

Sipas tij, kjo nënkupton nevojën e ndryshimit që PDSH-ja të arrijë të zhvillohet në mënyrë që në të ardhmen të përfaqësojë popullin shqiptar, respektivisht të fitojë zgjedhjet. “Gjykoj se partitë aktuale janë shumë të centralizuara dhe punojnë për interesa klanore dhe personale, pra nuk përfaqësojnë interesat e popullit shqiptar në Maqedoni”, tha Adnan Neziri, kryetar i Këshillit iniciues në Tetovë.

Sela, para të pranishmëve tha se PDSH-ja në fillet e saj ishte një lëvizje që në radhët e saja kishte të burgosurit politik, pra kishte grupimet më të mira të këtij kombi.

“Fatkeqësisht ka vite dhe dekada që ne përballemi me një realitet të hidhur. Por çfarë duhet të bëjmë, ne që jemi pjesëtarë të këtij kombi? Duhet të rijmë të heshtim dhe të shohim se si çdo ditë populli ynë bëhet më indiferent, apo duhet të bëjmë diçka për të cilën kemi ambicie. Dhe ambicia e një populli të tërë tani është momenti për ndryshime. Gjithçka që duhet të bëjmë është që opinionin që tashmë është formësuar ta kanalizojmë dhe ta orientojmë drejt përkrahjes së platformës reale të PDSH-së”, tha Sela.

Sipas tij, qëllimi i Lëvizjes për Reforma Brenda PDSH-së është për të vënë standard. “Çështja kombëtare është obligim moral e kombëtar i secilit. Kur flasim për këtë, askush nuk është më kombëtar se tjetri. Të gjithë ne jemi të shqetësuar për këtë fakt dhe të gjithë dhe të gjithë të japim kontributin tonë aq sa mundemi”, tha Sela.

Sipas tij, vala e ndryshimit duhet të fillojë nga qyteti i Tetovës, sepse ky qytet çdoherë ka mbajtur mbi kurriz ndryshimet për shqiptarët dhe ato ndryshime duhet t’i mbart edhe tani. “Tetova duhet të jetë si Kaçaniku 2. Kam thënë disa herë që këto iniciative i mbështesin SHBA-të dhe BE-ja. Duhet një iniciativë e qartë dhe e sinqertë kombëtare shqiptare”, tha Sela.

Lajme të ngjashme

Back to top button