​Sot, zgjedhjet presidenciale në Turqi

Turqia sot do të zgjedh për herë të parë me votë të drejtpërdrejtë popullore presidentin e saj. Kryeministri Recep Taip Erdogan, njëkohësisht kandidat për President që shihet edhe si favorit për t’i fituar këto zgjedhje ka mbyllur fushatën e tij elektorale në qytetin qendror të Anadollit, Konia.

I zgjedhur nga parlamenti deri më tani, posti i Presidentit të Turqisë ka qenë më shumë ceremonial. Por Erdogan gjatë gjithë fushatës së tij i ka mëshuar idesë së fuqizimit të rolit të kreut të shtetit. Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që të dielën të dalin në zgjedhje.

“Shpërtheni kutitë e votimit të dielën dhe jepuni një shpullë demokratike kundërshtarëve tanë”, deklaroi ai në mitingun e së premtes në Ankara.

Edhe dy kandidatët e tjerë zhvilluan takime me zgjedhësit ditën e premte. Ekmeleddin Ihsanoglu vizitoi qytetin e Somas, i goditur në muajin maj nga tragjedia më e rëndë në historinë e minierave turke.

Erdogan është kritikuar për mënyrën e menaxhimit të krizës së shkaktuar në këtë qytet ku gjetën vdekjen 301 persona, dhe gjatë gjithë fushatës ai shmangu takimet elektorale në këtë rajon.

Kandidati i tretë është ai i dalë nga radhët e minoritetit kurd. Selahattin Demirtas zhvilloi mitingun më të madh të fushatës së tij në kryeqendrën e kurdëve, Diyarbakir ditën e premte.

Gara e vërtetë pritet të jetë ajo mes Erdogan dhe Ihsanoglu. Ky i fundit është kandidati i përbashkët i dy partive më të mëdha opozitare, Partisë Republikane dhe ekstremistëve të djathtë të Lëvizjes Nacionaliste.

Ligji elektoral kërkon që kandidati fitues të marrë më shumë se 50 përqind të votave. Nëse ky prag nuk kapet nga asnjëri prej kandidatëve në zgjedhjet e kësaj të diele, atëherë gjithçka do të vendoset në balotazhin e parashikuar për më 24 gusht.

Lajme të ngjashme

Back to top button