Kanabisi i Lazaratit, 45 të hetuar

Parcelat ku kultivohet kanabisi në Lazarat, përveçse janë monitoruar e fotografuar nga ajri nga avionët e Guardia di Finanza, tashmë është zbuluar edhe kujt i përkasin dhe kush është përgjegjës për këtë veprimtari të jashtëligjshme.

Emrat e 45 personave, mes të cilëve edhe të kreut të komunës, i kanë kaluar për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe pritet që shumë shpejt të ketë edhe arrestime. Organi i akuzës ka filluar një hetim gjithëpërfshirës për trafikun e lëndëve narkotike. Burime nga Policia e Shtetit thanë se në bashkëpunim me Guardia di Finanza- n kanë përgatitur një dosje voluminoze prej më shumë se një mijë faqesh mbi prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Lazaratit. Të njëjtat burime konfirmuan se pritet të arrestohen mbi 45 persona të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, ndërsa saktësohet se të dyshuar janë që nga kreu i kësaj komune e deri te persona të cilët transportojnë bimën narkotike. Disa ditë më parë, në Prokurorinë e Përgjithshme u organizua një takim mes krerëve të lartë të Policisë dhe përfaqësuesve të Guardia di Finanza-s, ku mësohet se u pasqyruan të gjitha provat, mes tyre regjistrimet filmike të marra nga avionët, si dhe bisedat telefonike, të cilat dyshohet se zbardhin tregtinë e lëndës narkotike.

TASK-FORCE
Grupi i punës për hetimin e përgjegjësve që kultivojnë, por dhe lejojnë kultivimin e kanabisit dhe atyre që drejtojnë trafikimin, kryesohet nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i cili ka përzgjedhur dhe disa nga oficerët e Policisë së Tiranës, duke ngritur një grup Task- Force. Dosja e deleguar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është një nga dosjet më të mëdha të 10 viteve të fundit mbi trafikun e lëndëve narkotike, e cila i është vënë në dispozicion Prokurorisë. Funksionimi i kësaj njësie Task-Force ka mundësi të konkretizohet në fund të këtij muaji me arrestime dhe ndërhyrje të forcave të Policisë në Lazarat. Grupi i punës pritet ta zgjerojë hetimin jo vetëm në qarkun e Gjirokastrës, por në të gjitha rrethet që njihen si kultivuese të bimës narkotike. 

Lajme të ngjashme

Back to top button