Liga e Dytë fillon, me super derbin Shkupi – Drita

Xhiroja e parë e kampionatit të ri në Ligën e dytë do të fillon me derbin e madh që luhet në Çair, ku do të takohen Shkupi dhe Drita.
Dy ekipet, pra FC Shkupi dhe KF Drita janë përforcuar dhe e presin me shumë entuziazëm fillimin e sezonit të ri, për të marrë dhe pikët e para që kampionatin ta fillojnë mbarë dhe me sukses.

Trajneri i shkupjanëve, Zekerija Ramadani shprehet optimist për duelin e parë, ku mes tjerash ka thënë: “Kemi mbledhur informata për ekipin e Dritës se me çfarë ekipi përbëhet dhe duke parë ekipin tim, jam i bindur se Drita asnjëherë nuk mundë të na fitojë, por ne mundë të humbim nga Drita. Do të thotë një mos koncentrim apo ndonjë gabim individual mundë ta humbim ndeshjen, mirëpo me kualitetin që posedon Drita në dallim me ekipin tonë, jemi shumë para tyre, jam i bindur se ata nuk mundë të na fitojnë neve”, ka thënë trajneri Ramadani, i cili më tutje ka shtuar se kampionati do të jetë i barabartë dhe se deri në fund do të ketë garë interesante.

Por optimizëm ka treguar edhe trajneri i Dritës, Xhengis Rexhepi. “Për kampionatin e ri jemi maksimalisht të përgatitur dhe shpresojmë se të gjitha sfidat e para do të kalojmë me sukses. Ndeshja me ekipin e Shkupit gjithsesi se është një festë e futbollit, pasi përballen dy ekipet që kanë pretendime të qarta në kampionatin e ri”, është shprehur Rexhepi.
Drita në këtë ndeshje do të ketë mungesën e 3 futbollistëve titullar, Ertan Hasan, Betim Miftari dhe Liridon Iljazi, ndërsa në anën tjetër te Shkupi shkaku i lëndimit mungon Goran Maznov dhe tani më i larguar për në Turqi, Florent Osmani.
Ndeshja Shkupi–Drita zhvillohet sot në stadiumin e Çairit me fillim në orën 17:30.
Në ndeshjet tjera të xhiro së parë të Ligës së dytë takohen: “Skopje” – Gostivari, Vëllazërimi – Napredoku, Euromilku – Kozhufi dhe Mlladost – Makedonija Gj.P., të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 17:30. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button