Shkodër, furgoni bie 100 metra në humnerë, 2 vdesin, 4 plagosen

Një aksident i rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në veri të Shqipërisë.

Një makinë tip “Fuoristradë” ka dalë nga rruga mbrëmjen e të premtes duke rënë 100 metra poshtë në një humnerë.

Aksidenti i rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur “Guri i Maxhës” në fshatin Kir të Dukagjinit dhe për pasojë dy persona kanë humbur jetën, dhe 4 të tjerë janë plagosur. Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se viktimat janë, shtetasi Italian  Giorgio Faraggiano 67 vjec dhe Pëllumb Murri 35 vjec, ndërsa të plagosur kanë mbetur Fatjon Pjetri drejtuesi i automjetit, Kristjan Gjini, Fran Deda dhe Eral Papleka.

Mësohet se viktimat dhe të plagosurit po ktheheshin në Shkodër, pas një ekspedite që kishin organizuar në zonën e Dukagjinit.

Nga hetimet paraprake të policisë së Shkodrës dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin si pasojë e rrugës së vështirë e për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke përfunduar në humnerë. Forca të FNSH-se dhe të policisë u nisën në vendngjarje, dhe pas rreth 2 orësh u bë e mundur nxjerrja nga gremina e viktimave dhe të plagosurve.

Në aksion u përfshinë edhe banorë të zonës. Aksi Kir-Shkodër, është një ndër akset më problematikë në qarkun e Shkodrës, pasi përgjatë viteve kanë humbur jetën në të rreth 70 persona si pasojë e aksidenteve. Ai më i rëndi në këtë aks u shënua në vitin 2007, nga ku humbën jetën 13 persona pasi mjeti i tyre doli nga rruga dhe përfundoi në të njejtën humnerë. (BalkanWeb)

 

Lajme të ngjashme

Back to top button