Erdogan synon të hyjë në historinë e Turqisë

Rexhep Taip Erdogan pritet të hyjë në histori të dielën si presidenti i parë i Turqisë i zgjedhur nga populli, por akuzat ndaj tij për shtrëngim të kontrollit të pushtetit ka polarizuar kombin turk, ka shqetësuar aleatët e Perëndimit dhe ka shtuar frikën për një vendosje të autoritarizmit në vend.

Mbështetësit e Erdogan, konservatorët fetarë, e shohin ngritjen e tij në postin e presidentit si arritjen kurorëzuese në shtytjen e tij për të riformatuar Turqinë. Gjatë një dekade si kryeministër, ai e ka thyer elitën sekulare që ka dominuar skenën politike që prej themelimit të Republikës nga Mustafa Qemal Ataturku.

Kundërshtarët thonë se rrënjët tij në politikën islamiste dhe intoleranca ndaj kundërshtarëve po e shpiejnë Turqinë, anëtare e NATO-s si dhe kandidate për anëtarësim në BE, gjithnjë e më larg idealeve sekulare të Ataturkut. Erdogan, siç kanë deklaruar ndihmësit e tij, pritet të shërbejë për dy mandate si president dhe të drejtojë vendin deri në 2023, kur dhe do të shënohet përvjetori i 100-të i Republikës sekulare. Një simbolikë e tillë, shprehet agjensia Reuters, nuk është krejt e pavend për një lider, fjalimet pasionante te të cilit shpesh gërshetohen me referenca ndaj të kaluarës të Perandorisë Osmane.

“Duke e marrë të mirëqenë që Erdogan do të fitojë, ajo që do të shohim është fillimi i një epoke të re”, tha Marc Pierini, një ish-ambasador i BE-së në Turqi.

Deri më tani, presidentët e Turqisë janë zgjedhur nga Parlamenti, por bazuar mbi ligjin e ri, tre kandidatët do të vihen përballë elektoratit, teksa garojnë për një mandat 5-vjeçar. Kodi zgjedhor e ndalon publikimin e sondazheve në javët përpara votimit, por dy anketa të mbajtura gjatë muajit të kaluar shpallin mbështetjen e turqve për Erdoganin në 55-56%, me kandidadin e përbashkët të opozitës në 20% më pak. Kjo shifër është e mjaftueshme për të siguruar mazhorancën e thjeshtë të nevojshme për tu shpallur fitues që në raundin e parë.

Erdogani e ka bërë të qartë se me marrjen e kreut të shtetit ai do të ndryshojë kushtetutën dhe do ta shndërrojë Turqinë në një presidencë ekzekutive. Ndërkohë në Turqi po flitet për një këmbim detyrash me presidentin aktual Abdyllah Gyl që pritet të marrë postin e kryeministrit me Erdoganin president.

Lajme të ngjashme

Back to top button