Gostivari kërkon pikë në Shkup

Gostivari sot zhvilloi stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes së parë kampionale në Ligën e Dytë kundër “Skopjes”, që do zhvillohet të shtunën në Shkup.

Drejtori sportiv Argjend Beqiri, trajneri Mensur Jakupi dhe kapiteni i skuadrës Iliknur Xhaferi në një takim me gazetarët folën për fillimin e sezonit të ri, për ambiciet e KF Gostivarit këtë sezon por edhe pritjet nga ndeshja e parë kundër ekipit të “Skopjes”.

“Ambiciet e klubit tonë për sezonin e ri janë ambicie që të jemi mes katër ekipeve të para dhe për të arritur deri aty nevojitet një angazhim dhe punë shumë e madhe. Do na duhet shumë punë, sakrificë dhe disiplinë që të kalojmë në ato katër vendet e para. Unë jam optimist se me angazhimin maksimal të krejt anëve, kryesisë, stafit teknik, angazhimit tim dhe lojtarëve nëse jepet maksimumi nuk do të mungoje suksesi”, theksoi drejtori Argjend Beqiri.

Trajneri i Gostivarit, Mensur Jakupi pret rezultat pozitiv nga ndeshja me Skopjen. Përveç mungesës së Maliq Belulit në dispozicion do ti ketë gjithë futbollistët të cilët janë të përgatitur për ndeshjen në Shkup.

“Kaluan katër javë prej përgatitjeve dhe zyrtarisht nesër fillon ndeshja e parë kampionale. Në ndeshjen e nesërme mund të llogaris në gjithë lojtarët përveç mesfushorit Maliq Beluli, i cili fatkeqësisht në ndeshjen kundër Besës së Pejës pati lëndim dhe do të mungoje dy-tre javë. Ne jemi të përgatitur maksimalisht si në aspekt fizik dhe taktik dhe shpresoj se në ndeshjen e nesërme ne do kthehemi me rezultat pozitiv”, thotë trajneri Jakupi.

Kapiteni i skuadrës Iliknur Xhaferi thotë se edhe ndeshja ndaj “Skopjes” pritet të jetë e vështirë, megjithatë pritet që Gostivari të merr pikë në Shkup.

“Ndeshjen e parë do e kemi shumë të vështirë, por ju garantoj që do ja dalim me sukses dhe besoj se do dalim pozitivisht. Mendoj që nesër do ia arrijmë së paku mos humbim dhe të fitojmë ndonjë pikë”, theksoi kapiteni Xhaferi.

Ndeshja midis “Skopjes” dhe Gostivarit zhvillohet të shtunën me fillim në ora 17:30 në stadiumin në lagjen Hekurana. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button