Prokuroria nxjerr dëshmitar të rinj, familja e Naserit shton dyshimet

Paraqitja e dëshmitarëve të rinj nga Prokurori publik për rastin e vrasjes së të riut Angel Petkovskit në Gjorçe Petrov, ka ngritur dyshime te familjarët se i akuzuari 19 vjeçar Naser Eshrefi me çdo kusht synohet të shpallet fajtorë, shkruan gazeta Koha.

Më 15 gusht pritet të mbahet seanca gjyqësore e radhës, ku sipas familjarëve pritet që dy dëshmitarët e rinj të deklarojnë saktë se çfarë kanë parë ditën e përleshjes midis të riut Naser Eshrefi, të ndjerit Angel Petkovski dhe babait të tij.

I akuzuari Eshrefi për tre muaj është në paraburgim, kurse dëshmitë e paraqitura deri më tani nga avokatit mbrojtës tregojnë se vepra është kryer në vetëmbrojtje. “Është për tu çuditur se si tash pas tre muajve, Prokurori një javë para së të mbahet seanca gjyqësore e ka thirrur përsëri Naserin të jep sërish deklaratë për atë se si ka ndodhur ngjarja. Poashtu Naseri na ka informuar se me datë 15 gusht para prokurorit do të paraqiten dëshmitarë të rinj, të cilët e paskan parë për së afërmi momentin e përleshjes midis atij, Angelit dhe babës së këtij të fundit”, thotë Ilmi Nuhishi, gjyshi i të akuzuarit Naser Eshrefi. Ilmiu thotë se sipas informatave të avokatit mbrojtës, për rastin në fjalë janë dëgjuar deklaratat e dhjetë dëshmitarëve tre muaj më parë ashtu si edhe deklarata e Naserit, ndërsa thekson se marrja e nipit të tij sërish në pyetje dhe paraqitja e dëshmitarëve të rinj, lë të dyshosh se po tentohet që rastit t’i shtohen dëshmi të reja që të mund ta shpallin fajtorë.

Kjo është e pakuptimtë, sepse dëshmitë e okulareve dhe avokatit mbrojtës tregojnë se bëhet fjalë për vetëmbrojtje, thekson Ilmiu. “Me vetë faktin se tani janë paraqitur dëshmitarë të rinj na bën të dyshojmë se prokurori po tenton të bënë montim të ngjarjes, duke paraqitur dëshmitarë të rinj që e kanë parë për së afërmi ngjarjen. Kështu ka ndodhur edhe më parë në raste të tjera, gjithmonë kur nuk kanë pasur argumente të forta që të dënohet për veprën, Prokurori ka paralajmëruar se ka dëshmitarë të rinj. Meqë kështu ka ndodhur edhe më parë, dyshojmë se edhe me nipin tonë po bëhet puna e njëjtë”, thotë gjyshi Nuhishi.

Ndërkaq Avokati mbrojtjes i Naserit, Rubin Dvojakov, thotë se pas dëshmive të dhëna nga i pandehuri Naser Eshtrefi dhe dhjetë dëshmitarë të tjerë tre muaj më parë, Prokurori ka ftuar edhe policët të cilët të parët kanë arritur në vendin ku ka ndodhur vrasja, por edhe persona të tjerë zyrtarë të cilat e kanë monitoruar hapësirën si dhe disa kalimtarë rastit të cilët e kanë parë për së afërmi si ka ndodhur përleshja midis tre personave. “Pas 15 gushtit do të dimë saktë se a do të ketë dëshmi të reja dhe si do të prezantohen të gjitha materialet dëshmuese të cilat i kanë dorëzuar deri më tani në Prokurori dhe më pas do të mund t’i analizojmë. Gjithashtu pas kësaj date pres të shoh edhe fotoalbumin si dhe filmimet nga Spitali Evropian i Syve në momentin kur ka ndodhur përleshja dhe vrasja”, thotë avokati Dvojakov. Sipas tij, tani për tani motiv i vetëm për vrasjen e të riut Angel Petkovski mbetet tentimi për të vjedhur biçikletën e të ndjerit në oborrin e shtëpisë së tij, në lagjen Gjorçe Petrov. Mes dëshmitarëve të marrë në pyetje janë edhe shokët e viktimës, por dhe disa kalimtarë të rastit që kanë vënë re konfliktin. I dyshuari Naser Eshrefi tha në polici se ishte sulmuar nga viktima dhe i ati i tij dhe se thika ishte e këtyre të fundit. Ngjarja tragjike ndodhi më 19 maj të këtij viti në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, pas çka pasuan protesta të banorëve maqedonas të kësaj lagje, të cilët dogjën dhjetëra lokale të pronarëve shqiptarë në këtë lokalitet.

Dvojakov: Policia ende s’e ka gjetur thikën

Edhe pas tre muajve kërkime, avokati Rubin Dvojakov, thotë se policia ende nuk e ka gjetur thikën, ndërsa shkopi bejsbollit i cili është përdorur nga babai Angelit gjatë përleshjes është gjetur në veturën tij Pezho. “Deklaratat e para të dëshmitarëve të siguruara nga Prokurori thonë se Naseri është futur në oborrin e familjes së Angelit më qëllim për të vjedhur biçikletën, por është vërejtur nga Angeli dhe babai i tij dhe më pas ka ikur. Më pas Angeli dhe babai i tij e kanë ndjekur atë dhe në afërsi të Spitalit Evropian të Syve është kapur dhe ka filluar përleshja midis të treve, kurse gjatë përleshjes mbetur i vrarë Angeli me thikën e vet të cilët e ka pasur në dorë”, thotë avokati i Naser Eshtrefit, Rubin Dvojakov.

Lajme të ngjashme

Back to top button