SHPËRNGULJA E TURQVE [1]

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

 

            Askund nuk përputhen interesat tona me interesat turke aq shumë sa në këtë çështje (Pra në shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, shën. i përkth.).

            Shpopullzimi i Turqisë në luftën njëmbëdhjetëvjeçare e detyroi Kuvendin Popullor Angoras ta sjellë Ligjin për martesë të detyrueshme. Sipas këtij ligji ngarkohen me taksa të mëdha ata  të cilët nuk martohen në njëfarë afati të caktuar. Nuk është në pyetje vetëm shtimi i dobët i popullit, por (edhe zbrazja,shën. i përkth.) pas operacionit pranë Smirnës dhe viset e tëra të mbetura shkretë që dikur ishin territore të dendura, me shumë njerëz. Ikanakët grekë (bëhet fjalë për masa të konsiderueshme kryesisht të turqve ortodoksë dhe të një numri tjetër grekësh të cilët u këmbyen me shqiptarët midis qeverisë së atëhershme të Turqisë dhe asaj të Greqisë, shën. i përkthyesit) i kanë lënë pasuritë e kultivuara, almiset, i kanë braktisur shtëpitë. E gjithë kjo duhet të popullzohet siç ka qenë detyrim i parlamentit të kujdeset për vazhdimësinë e racës. Dhe askund nuk ka aq kallaballëk të elementit turk për këtë qëllim, sa ka te ne (ky element i ashtuquajtur turk përbëhet nga miliona njerëz pjesëtarë të popullit shqiptar që kanë qenë të detyruar t’i lënë vatrat e tyre duke u nisur nga lagjet e Beligradit, Pllana, Shabaci, Prokupla, Tregu i Ri, Nishi, Leskoci, Vranja etj. e nën kërcënimin e shfarosjes fizike nga terrori serb kanë marrë udhën e pakthim drejt shkretëtirave të Anadollit, shën. i përkth.) Dhe çka është me rëndësi edhe më të madhe bëhet fjalë për një kallaballëk njerëzish që është i disponuar shumë të na braktisë në kundërshtim me një frymë perëndimore (demek, sipas Jeliçit, fshatarët serbe na paskan qenë me kulturë perëndimore) dhe një vullneti për t’u bërë  punëtorë (jo punëtorë, por qeveria e atëhershme serbe ka dashur që të mbajë ndoshta ndonjë shqiptarë, ta asimilojë dhe përsëri ta mbajë si skllav. Shën. i përkth.) te raja e vet e deridjeshme.

Nga ana tjetër interesi ynë kombëtar është  serbizimi dhe sllavizimi i Kosovës dhe i Luginës së Vardarit në përgjithësi. Ne këtu mund të ndjehemi të zotët e vendit vetëm atëherë kur të na braktisin kolonistët e dikurshëm turq të sjellë këtu ta mbrapsin e ta përzënë elementin tonë dhe ta pengojnë formimin e ri të carevinës të rrezikuar në Maricë, të luhatur në Kosovë dhe të rrënuar në Smederevë. Ata njerëz NUK MUND TË ASIMILOHEN. Për këtë punë askujt që di diçka nuk i shkon mendja. Ata nuk mund të përfitohen as të kenë ndjenja morale ndaj shtetit, se tashmë nuk më besohet të ketë ndonjë intelektual në këtë vend i cili beson se Xhemijeti është një organizatë patriotike. Gjithçka, që mund të kërkohet prej tyre PËR INTERESAT TONA ËSHTË TË LARGOHEN PREJ KËTU (Ja si janë bërë shumicë sllavët nëpër qytetet tona. Shën. i përkth.).

Ndoshta ndonjë filantrop do të thotë se kjo do të ishte ndjekje me vetëdije e pakicave kombëtare. Do të gabonte, po të pohonte kështu. Nuk është këtu në pyetje momenti kombëtar, por fetar, turk. ARNAUTI I KOSOVËS EDHE PSE E DI SE ËSHTË “SHIPTAR” NUK GRAVITON NË TIRANË, QË BILE DO TË KISHTE PASUR LOGJIKË, PO GRAVITON KAH STAMBOLLI E KEMALI (Shikoni çfarë programi antishqiptar, i cili na përsëritet në njëfarë forme edhe sot. shën. i përkth.) Arnautin hoxhallarët me shekuj e kanë udhëzuar atje, e s’ka pasur njeri t’ia ndërtojë frymën kombëtare as shtet që t’ia bëjë traditën. Këtë do të kishte mundur të na e dëshmojë edhe z. Spahoja, sllav me prejardhje, sikur të kishte dashur që të bëhet pakëz i sinqertë dhe me motive të vërteta ta mbronte FLAMURIN E TIJ AUTONOMASH. ATYRE QË JANË SHPIRTËRISHT ME KEMALIN DUHET T’U MUNDËSOHET EDHE MATERIALISHT TË JENË ME TË (Çfarë urrejtjeje. Shën. i përkth.)

            Turqit shpërngulen dhe do të shpërngulen edhe pa favorizimin e veçantë të kësaj lëvizjeje nga ana jonë. Largohen poturicat nga Sanxhaku, kemalistët nga Llapi, panislamistët nga ana e Shtipit. Ky është antagonizëm midis islamit dhe krishterimit, pasojë e kolonizimit, pamundësi e të përshtaturit në situatën e re, në të cilën theksohet barabarësia si ideal, kurse shprehi ka qenë të ketë ose gospodar ose rajë.  Tash mund të shihen plot grigja derrash të cilat po merren si skandal nga ana e gospodarëve të egër të dikurshëm, për shkakun e të cilëve mishi i thiut mund të shitej fshehurazi vetëm nëpër kisha. Gjithnjë e më shumë ndjehet se megjithatë do të vijë dita kur raja e çifçinjve do të nisë madje nga sot ta drejtojë shpinën e kërrusur. (Lexuesi nuk e ka vështirë ta shohë se për çfarë barazie bëhet fjalë. Shën. i përkth.) Bien kambanat dhe kalojnë procesione prapa të cilave mbeten era e temjanit dhe mirës. Defilojnë gra me dekolte para bullave të robëruara. U tret koha e fundit. S’KA TJETËR, DUHET TË SHKOHET NË AZI! (Ky ka qenë kërcënim i përditshëm kundër shqiptarëve. Shën. i përkth.).

            Ky është një migrim historik: vala nga lindja në perëndim dhe vala e kundërt pas pesë shekujsh (E ka fjalën për dëbimet e tmerrshme të popullsisë shqiptare dhe zëvendësimin e tyre me ortodoksë nga viset e ndryshme. Shën. i përkth.). Nuk mundet ta pengojë këtë as të bërit ortak të disa deputetëve popullorë me bejlerët, as dhënia e pasaportave nga ana e përfaqësisë diplomatike të Stambollit  të shpërngulurve nga viti 1912 as ai paradoks që Bozhin Simiçi, trathtar i atdheut dhe nuk guxon me gjithë angazhimin e radikalëve të Krushevcit të kthehet në vend, në të cilin me hekurudhat shtetërore dhe në klasë të parë udhëton pa të holla Ferat Bej Draga (Gjithë ajo urrejtje kundër Ferhat Dragës. Shën. i përkth.).

            Austria e ndihmonte shpërnguljen e turqve me një nëntren pa të holla deri në kufi dhe me të drejtën për transportimin pa pagesë të një sasie të teshave. Te ne kërkuan që bullat të fotografohen, që t’u ngjiten fotografitë në pasaportë. Kështu duhet “sipas ligjit”. Dhe ju e dini më se nuk ka vend në botë ku policia e respekton aq shumë ligjin, sa te ne.

            Problemi më i vështirë është si të merren pasuritë e turqve ( e ka fjalën për grabitjet e tërë pasurisë së shqiptarëve nga ana e pushtetit barbar serb. Shën. i përkth.). Të gjithë do të kishin thyer qafën sikur të kishin mundur ta shesin mallin me çmime relativisht të volitshme. Më çuan fjalë nga Shtimja para disa ditësh t’iu kërkoj ndonjë blerës, se ata që të gjithë duan të shkojnë. Shteti duhet ta sjellë një ligj për blerjen e këtyre pasurive, të garantojë dhe t’i japë mundësi Bankë Hipotekare një kredi të madhe jashtë vendit për këtë qëllim dhe gjatë dhënies me këste qytetarëve të vet të llogaritet interesi për shumën e huazuar plus shpenzimet e përhershme (Lexuesi e di lagjen e kolonizatorëve serbë në Shtimje, në pjesën më të bukur të fshatit, të cilët i solli pushteti i Jeliçitshën.i përkth.). Kështu ajo do të forcohej kombëtarisht, do t’i ngrinte në këmbë ekonomikisht qytetarët që sot janë pa kulm mbi kokë, do të mundte ta reduktojë pa telashe numrin e nëpunësve, etj. Vërtetë po të bëhej një sistem i pasurive të vogla, gjë e cila sipas Kauckit dhe Lapçeviçit do ta anulonte për një kohë të gjatë atë procesin fatal të robërimit kapitalist, mirëpo nga ana tjetër për një kohë të gjatë pasardhësit tonë do të jetonin pa tronditje sociale.

Ky është vetëm një propozim parimor dhe sipërfaqësor. Me ligj do të kishte mundur të parashihet pagesa me para të gatshme për gjysmën e shumës së vlerësuar me komision dhe dhënia e bonave për mbetjen me një interes të caktuar dhe me njëfarë afati. Nuk do të duhej të pengohen as blerjet private, nëse blerësit janë qytetarë tanët dhe nëse ata nuk paraqesin ndonjë rrezik që të bëhen pronarë të mëdhenj, të rinj. (Vazhdimisht serbët e kanë shitur nga disa herë tokën e grabitur të shqiptarëve. Shën. i përkth.).

Nëse Turqia tregohet e painteresuar për ardhacakë, kjo do të thoshte se ajo llogarit paraqitjen e irredentës midis nënshtetasve të këtij shteti. Dhe sa të mundet më shpejt ne duhet ta privojmë nga kjo kënaqësi. Pengesat që u bëjnë bullgarët udhëtarëve të këtij lloji janë shenjë e pamundësisë plot egërsi dhe mund të eliminohen gjithmonë.

            Çështja e shpërnguljes së turqve (lexo: të shqiptarëve. Shën. i përkth.) është aktuale dhe me përparësi të madhe ndaj shumë çështjeve. Këtë po e theksojmë se shumë mirë e dimë se me sa pak kujdes për këto vise dilet në divan dhe se mu për këtë shkak mund të ndodhë që ndonjë farë Hugo Stinesi ta blejë ndonjë ditë Kosovën, kurse Todor Aleksandrovi çifliqet rreth Shtipit.

E nuk duhet kurrsesi të mashtrohemi se lëvizja për shpërngulje mund të shtyhet për më tutje ose të ndërpritet tërësisht. Ky është një konflikt midis dy botëve ku njëri, më konservativi (shikoni ironinë: raja serbe paska qenë më përparimtare sipas Jeliçit. Shën. i përkth.), tërhiqet që t’i përfundojë ditët në qepenë, në uratat dhe në transin e dervishëve, nën hijet e palmave dhe të të gjitha kënaqësive të orientit, në bindjen e thellë në fatum dhe në një rezignacion ëndërrimtar. Askund ndoshta nuk ka pasur ndërmarrje aq për lëvdatë në kuptim të progresit sa në parlamentin e ri shqiptar. Deputeti popullor Ali Këlcyra propozoi që të sillet një ligj me të cilin do të ndalohet mbulimi i grave në Shqipëri dhe në bazë të të cilit edhe nëpër xhami njerëzit do të ulen në karrige, kurse do të ndalohet virrma e myezinit nga minareja. U duk në shikim të parë se propozimi do të kalojë, mirëpo kundër herezie u ngrit myftiu i moçëm dibran Vehbi Efendiu, i cili iku para nesh dhe të cilin edhe sot e respektojnë në Dibër për shkak të diturisë dhe moralit fetar. Ai, i cili është në gjendje që me orë të mbajë predikime në arabisht dhe t’i fanatizojë masat me muzikën e fjalës dhe me citimin e sureve nga Kurani iu dha valën edhe një herë besimtarëve e propozimi nuk kaloi.

Vehbi Efendiu ynë përgatitet të na lërë këto ditë. Udha e mbarë i qoftë!

 

21. – VIII. – 23.


 

[1]Lexuesi do ta shohë se politika serbe ndaj shqiptarëve e viteve njëzet të shek. të kaluar nuk ka ndryshuar fare


LEXO PJESËN PARAPRAKE: PARTIA MAQEDONASE

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button