Embargo ruse ndaj produkteve perëndimore

Qeveria ruse ka vendosur embargo ndaj pjesës më të madhe të produkteve ushqimore të importuara nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera perëndimore. Ky vendim shihet si masë hakmarrëse ndaj sanksioneve kundër Moskës lidhur me konfliktin në Ukrainë.

Kryeministri Dmitri Medvedev i njoftoi sanksionet sot në Moskë. Masa përfshin ndalimin e importit të mishit, perimeve, qumshtit dhe produkteve të tjera të bulmetit. Embargoja prek edhe importet nga Kanadaja, Australia dhe Norvegjia.

Njoftimi u bë disa orë pasi Presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret që ndalon importin e disa produkteve ushqimore nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur një numër sanksionesh kundër Moskës që pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia si dhe për mbështetjen e separatistëve pro-rusë në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Back to top button