Zbardhet skandali i Fullanit me kartëmonedhat e dëmtuara

Zbardhet skandali i Fullanit me kartëmonedhat e dëmtuara, u zëvendësuan 20 milionë copë në 2012 dhe 43 milionë copë në 2013, skemë abuzive me qindra milionë euro

Zbardhet një tjetër skandal, ndoshta më i rëndi në 20 vitet e fundit, në bankën e shtetit shqiptar, e cila tashmë ka marrë trajtën e plotë të një organizate të mirëfilltë kriminale. Ndërsa qeveria ka lëshuar dje një deklaratë bombë për vjedhjen e bankës, Ardian Fullani është përfshirë në një tjetër aferë me paratë e dëmtuara, të cilat dalin nga qarkullimi.

Ardian Fullani, në vitin 2013, në bashkëpunim me disa banka të nivelit të dytë, ka dyfishuar sasinë e kartëmonedhave të dala nga qarkullimi si të dëmtuara, duke i zëvendësuar me kartëmonedha të reja, çka krijon dyshime për një tjetër aferë kriminale. Asnjë tregues, asnjë probabilitet dhe asnjë argument nuk mund ta justifikojë dyfishimin e kartëmonedhave të dëmtuara brenda një viti.

Më konkretisht, për vitin 2013, sipas një raporti, nga përpunimi rezultuan rreth 42.9 milionë copë kartëmonedha të papërshtatshme për përdorim, të cilat u tërhoqën nga qarkullimi, duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja. Gjatë vitit 2012, u përpunuan 126 milionë copë kartëmonedha, të cilat u kontrolluan për autenticitet dhe përshtatshmëri për riqarkullim. Nga përpunimi rezultuan rreth 20.5 milionë copë kartëmonedha të papërshtatshme për përdorim, të cilat u tërhoqën nga qarkullimi.

Pra, numri i kartëmonedhave të dala nga qarkullimi dhe të zëvendësuara është dyfishuar brenda vitit. Sipas ekspertëve, vlera e këtyre kartëmonedhave arrin në qindra milionë euro. Operacioni është kryer nga Banka Qendrore në bashkëpunim me disa banka të nivelit të dytë. Por, skandali qëndron në faktin se, Fullani ka shpallur sasinë e kartëmonedhave të dala nga qarkullimi, por nuk ka saktësuar vlerën e tyre, fakt ky që i shton më shumë dyshimet.

Se çfarë vlere arrijnë këto 42.9 milionë copë kartëmonedha dhe se çfarë prerjeje kanë, këtë e di vetëm Ardian Fullani. Ndërkaq, vetëm dy ditë më parë, gazeta “SOT” publikoi grafikun e emetimit të kartëmonedhave dhe të monedhave në pesë vitet e fundit, ku u konfirmuan dyshimet se, guvernatori Ardian Fullani ka financuar Sali Berishën në fushatat e tij elektorale, për t’i ricikluar në pushtet. Në kushtet kur inflacioni paraqitej në parametra të stabilizuar, Ardian Fullani, në vitin 2009, pikërisht në vitin e fushatës elektorale të Sali Berishës, hodhi në qarkullim 55 miliardë lekë më shumë, krahasuar me shumën e hedhur në vitin 2007. Në vitin 2013, Fullani ka hedhur 46 miliardë lekë më shumë.

Fullani tallet me Kuvendin 

Ardian Fullani tallet dhe poshtëron Kuvendin e Shqipërisë. Guvernatori ka kapur me rrjetën e tij të interesave ligjvënësit shqiptarë. Asnjë deputet nuk guxon t’ia lakojë emrin drejtpërdrejtë. Edhe ata që kanë marrë guximin të flasin, siç është Erjon Braçe, e shmangin Fullanin me kujdes. Ndërkaq, guvernatori vijon të tallet me Kuvendin. Shifrat e mësipërme të parave të dala nga qarkullimi, Fullani i ka reflektuar në një raport skandaloz, ku mungojnë të dhënat kryesore, siç është edhe vlera e parave. Por, këtë raport Fullani e çon në Kuvend dhe asnjë deputet nuk i kërkon dot llogari.

Skema e vjedhjes 

Ekspertët pohojnë se janë vjedhur para, duke abuzuar me procesin e shkëmbimit të parave të dëmtuara mes bankave të nivelit të dytë dhe Bankës së Shtetit. Dyshohet se bankat e nivelit të dytë kanë dorëzuar sistematikisht kartëmonedha të dëmtuara në bankën e shtetit, duke pasqyruar në procesverbale një shumë disa herë më të madhe se sa shuma reale e dorëzuar. Paratë mund të kenë qenë të dëmtuara ose jo, por kjo nuk ka rëndësi.

Ndërkaq, Banka e Shqipërisë i ka tërhequr paratë e dëmtuara, ndërsa ka prerë para të reja, të cilat u’a ka kthyer bankave të nivelit të parë aq sa reflektohej në procesverbalin fiktiv. Sipas ekspertëve, për çdo shumë parash të dëmtuara që kanë dorëzuar, bankat e nivelit të dytë kanë marrë shumëfish para të reja mbrapsht. Pra një bankë e nivelit të dytë ka dorëzuar një shumë të caktuar parash të dëmtuara.

Por procesverbali është manipuluar nga marrësit në dorëzim të parave të kartëmonedhave, duke shënuar një shumë më të madhe. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka prerë para, aq sa parashikon procesverbali i manipuluar, duke ua kthyer bankave të nivelit të dytë./sotnews/

Lajme të ngjashme

Back to top button