Politika e sotme, jolegjitime, jokushtetuese

Maqedonia është vendi i kontrasteve verbuese, ku kontrastet mes njerëzve dhe shtresave janë aq të fuqishme sa përveç të bardhës dhe të zezës së fortë është e vështirë të dallosh ngjyra tjera në spektër. Duhet të hedhësh sytë përreth dhe të vrojtosh me vëmendje që në këtë vend ka të pasur, njerëz që kanë bollëk financiar dhe të varfër, të tillë që masin secilën qindarkë të cilën e shpenzojnë. Maqedonia është vend ku, për të mbijetuar, bëhesh rob i kostos margjinale. Kostoja margjinale në shkencën ekonomike, me pak fjalë paraqet heqjen dorë nga një e mirë apo një produkt për hir të një të mire apo produkti tjetër të një lloji tjetër. Shprehur ilustrativisht, kostoja margjinale e një njeriu të zakonshëm do të kishte qenë të zgjidhte se a do të harxhonte ato pak mjete që i mbeten nga rroga për të ushqyer veten dhe familjen apo për të paguar faturat mujore.

Të duhet vetëm një ditë të ecësh për në punë e të kuptosh se sa e vështirë është jeta për njeriun e zakonshëm. Disi kur vozitesh me veture deri në punë, i kalon ato kilometra shpejt e shpejt dhe nuk sheh shumë anash. Por kur ec, nuk ke se si të mos dallosh skamjen e pjesës dërrmuese të shoqërisë. Një pjesë e vogël e privilegjuar e popullsisë jeton shumë mirë, ka mundësinë t’i lejojë vetes plotësimin e dëshirave e jo vetëm të nevojave. Ndërsa pjesa më e madhe lufton për të përmbushur nevojat kryesore biologjike. Të jetojë jetën në stilin “sot për sot”. Sipas statistikave botërore, në Maqedoni çdo i treti qytetar është i varfër. Secili i treti qytetar i aftë për punë, është i papunësuar. Çdo i treti është privuar nga të drejtat më themelore qytetare, të cilat me kushtetutë janë të garantuara: e drejta për një jetë të mirë, e drejta për të patur sigurim shëndetësor dhe një skemë të shëndoshë pensionale, e drejta për një shkollim të mirë të fëmijëve etj.

Të drejtat e qytetarëve, të garantuara me kushtetutë janë obligim i shtetit, rrjedhimisht i atyre njerëzve të cilat janë zgjedhur nga populli për të garantuar dhe realizuar të drejtat e tij themelore. Meqenëse në Maqedoni këto të drejta qytetare janë totalisht të parealizuara për 1/3 e popullsisë, atëherë shteti ka dështuar në funksionin e vet themelor. Rrjedhimisht edhe këta njerëz të zgjedhur kanë dështuar në misionin e tyre më themelor. Në një shoqëri të shëndoshë, nëse politikanët nuk janë në gjendje të përmirësojnë jetën e qytetarëve të vet, atëherë ata politikanë duhen ndërruar me të tjerë. Politikanë të tillë të paaftë, janë jokushtetues, jolegjitimë.

Nga ana tjetër, vrojtimi i ardhshëm është akoma më i çuditshëm, në kontrast me një logjikë të shëndoshë demokratike. Në një shtet ku 1/3 e popullsisë është absolutisht e pakënaqur me jetën e vet, dhe nuk ka prospekte pozitive për veten e vet, në atë shtet mungon ndryshimi, mungon revolucioni. Nuk ka protesta, nuk ka disidencë, nuk ka kundërshtim. Është e frikshme të mendohet që arsyeja e kësaj gjendjeje të një dembelizmi masiv autodestruktiv, është se populli është aq i lodhur me varfërinë e vet, sa nuk ka fuqi as edhe dëshirë për të kërkuar të përmirësojë jetën e vet. Ndërkaq nëse ndryshimet nuk kërkohet të vijnë prej brenda shoqërisë, atëherë fati jonë është i tmerrshëm.

Për të ndryshuar kursin e fatit dhe të ardhmes, këtij vendi i duhen një gjeneratë e re e liderëve, me ide të reja dhe progresive për zhvillim, që do të bëheshin fytyra e një revolucioni të paqtë shoqëror kundër joefikasitetit dhe dembelizmit politik që sundon sot jetën tonë dhe që paraziton shtetin. Idetë e reja të veshura në një grup të liderëve të rinj dhe të sinqertë, të panjollosur nga e kaluara turbulente e këtyre hapësirave do të kishin qenë forcat shtytëse të ndryshimeve të mëdha. Populli do të ndiqte njerëz të tillë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button