Ku do të shkoni në pushime?

Shumë mendojnë se fjalët e mëdha pikërisht thuhen nga ata më të diturit ose nga ata që kanë prirje të flasin bindshëm, të kenë aftësi ta qëllojnë aty ku duhet. Mbase ajo mund të qëndrojë në një farë mënyre. Por nëse i dëgjojmë njerëzit e thjeshtë me kujdes do të vijmë në përfundim se pikërisht ata janë burimi i fjalëve që godasin, fjalëve të sinqerta, ndër më të vlefshmet.

Bëhet fjalë për një qytetar i cili kalimthi ndalet në intervistë për një medium maqedonas. Gazetari e pyet: “a planifikoni të shkoni në pushime?” Ai ishte i moshuar, me fytyrë të rrudhur dhe me flokët e thinjura nga hallet e përditshme në këtë shtet. Nga pamja e jashtme nuk dukej se ishte as i pasur e as i klasës së mesme. Megjithëse klasa e mesme në Maqedoni nuk ekziston.

Përgjigjja e tij ishte kështu: “po do të shkojmë në pushime”. Gazetari e pyet se ku do të shkojë e ai përgjigjet me ironi: “në Greqi jo, në Serbi jo, në Bullgari jo, në Shqipëri jo”!

I habitur prap e pyet: po ku?! Ai përgjigjet: “në ishujt Havai, në ishujt Havai”! Dhe nga kjo përgjigje, mund të qeshë gazetari, mund të qeshë edhe redaktori pastaj dhe kryeredaktori i cili me plotë dëshirë do e transmetojë në lajmet e tij për ta argëtuar publikun, mund të qeshë edhe audienca e cila e përcjell atë intervistë. Por shtrohet pyetja se a është për të qeshur apo për të qarë?

Me atë përgjigje ai tregon pamundësinë për të shkuar në ndonjërën nga plazhet fqinje, dhe del në atë ekstremen të cilën e bëjnë si do ta quante Kim Mehmeti “xhepmbushurit” të cilët shkojnë nëpër vendet më të shtrenjta ekzotike. Sa janë për të qeshur këto fakte? Kur pavarësisht gjithë këtyre problemeve që ndodhin në vend, ata siç thotë populli “nuk i lënë salltanatet”. Kush e di tani, se në cilat vende ekzotike kanë shkuar me paratë e popullit që i mbledhin sikur t’i kishim votuar ekskluzivisht për atë punë, megjithëse de fakto për atë punë i kemi zgjedhur (sërish).

Po t’i pyesësh shqiptarët e Maqedonisë se ku do të shkojnë në pushime? Të papunët as mos u lodh t’i pyesësh se edhe ata që janë të punësuar, nuk do të shkojnë askund.
Po sigurisht, mbase mendojmë veç zi, duhet të jemi më optimist, apo jo? Kur ta kujtojmë faktin se shteti yne i dashur mendon shumë për ne. Meqenëse Maqedonia nuk ka det, Maqedonia ka lum, dhe në të na ndërtoi një anije (me paratë tona) shumë të bukur saqë do të pushojmë dhe kurrë s’do të na shkojë mendja të shkojmë në Greqi, Serbi, Bullgari, Shqipëri po edhe në ishujt Havai.

Lajme të ngjashme

Back to top button