Këshilli organizativ i protestave do ta padit policinë

Bedri Ajdari, kryetar i Këshillit Organizativ të protestave thotë për “Lajm” se pas konsultimeve me avokatin do ta padisim policinë, pasi është shkel e drejta jonë për protestë. Ndërkaq, profesori i të drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu thotë se në këtë rast është shkel Kushtetuta dhe ka vend për padi, por përvoja ka treguar se në Maqedoni, nuk mund të fitohet e drejta në rastet kur atë e shkel shteti
Këshilli Organizativ i protestave do të padisë policinë, pasi ajo i ka penguar që të protestojnë para Qeverisë. Edhe pse protesta e së premtes, ishte lajmëruar në polici ,policia i ndaloi protestuesit tek 26 korriku dhe nuk i lejoi që të shkojnë drejt vendit ku ishte paraparë të mbahej protesta – para qeverisë.

“Do të konsultohemi me avokatin dhe nëse vlerëson se ka vend për padi do ta padisim policinë, pasi na u shkel e drejta jonë për protestë. Edhe pse kishim leje valide nga policia, ajo sërish na ndaloi dhe nuk na lejoi që të shkojmë tek vendi i paralajmëruar për protestë”, tha për “Lajm”, Bedri Ajdari, kryetar i Këshillit Organizativ të protestave.

Naser Raufi, avokat I të akuzuarve të rastit “MONSTRA” thotë për “Lajm” se ka vend për padi. “Protestat janë të garantuara me Kushtetutë dhe në këtë rast është shkelur Kushtetuta. Ka vend për padi, shkelet Kushtetuta, shkelen të drejtat e njeriut”, thotë ai.

Ndërkaq, profesori i të drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu thotë se në këtë rast është shkel Kushtetuta dhe ka vend për padi, por përvoja ka treguar se në Maqedoni, nuk mund të fitohet e drejta në rastet kur atë e shkel shteti.

“Kemi një situatë me dy skaje. Në parim meqë PROTESTA garantohet me Kushtetutë nuk mund të pengohet. Organizatorët e kanë lajmëruar protestën. Me rregullativën e re ligjore protesta nuk duhet të pengohet edhe në rastet kur ajo nuk është paraqitur në polici. Policia ka shkel Ligjin dhe nuk ka pas nevojë që ti ndalojë protestuesit që të protestojnë para qeverisë.

Por ç’ka? Nëse padisin, organizatorët duhet të padisin Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ministren Jankullovska. Padia do të gjendet pa epilog. Policia do të gjejë 100 arsye për tu justifikuar. Në të gjitha rastet kur paditet shteti , dihet se fitues është shteti”, thotë për “Lajm” profesor Kadriu.

Sipas tij protestuesit duhet të gjejnë modalitete të tjera juridike. “Protestat të mos ndalen dhe të shtohet numri i kërkesave. Asnjëherë nuk duhen lejuar ndryshimet Kushtetuese, pasi aty, asnjë amendament, asnjë pikë nuk ka të bëjë me kërkesat e shqiptarëve. Në këtë rast duhet të dilet me kërkesë që të kërkohet dorëheqja e Qeverisë”, thekson Kadriu.

Dy protestat e fundit të organizuar në Shkup, njëra e paraparë që të përfundonte para gjykatës dhe tjetra para Qeverisë u penguan nga policia. Edhe pse protestat ishin të qeta, kordoni policor nuk lejoi që protestuesit të ecnin më tej.

Lajme të ngjashme

Back to top button