Mustafa: Falltaret e PDK-së mund të flasin por blloku është shumica

83 votat e deputetëve që e sjellën në pozitën e kryeparlamentarit kreun e LDK-së Isa Mustafën, po vazhdojnë t’i japin besim Mustafës se partia e tij bashkë me AAK-në dhe Nisma-n, do ta formojnë Qeverinë e re.

Për Isa Mustafën, vendimet politike për Kosovën i marrin deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që sipas tij ata treguan më dt. 17 korrik qartë përcaktimin e tyre.

Mustafa, në një shkrim të publikuar në rrjetin social facebook, shkruan se beson se votat e 17 korrikut do të jenë të njëjta edhe për përcaktimin për qeverinë e ardhshme të Kosovës. Sipas Mustafës, shumica është rregull e demokracisë.

“Falltaret e Koalicionit PDK, mund të flasin për çfarëdo vota, por Blloku shumicë LDK AAK Nisma tregoi se ka mbështetjen e 83 deputetëve dhe se mori besimin e shumicës së deputetëve. Ata që nuk e kanë të qartë, duhet të vetëdijesohen se shumica është rregull e demokracisë. Asnjë kërcënim mbi fragjilitetin e sigurisë, nëse PDK nuk është në pushtet dhe mbi “paprekshmërinë ligjore të fituesit” nuk e lëvizë konsistencën dhe besimin e këtij blloku shumicë. Nuk ka fitues me 30% të votave dhe me 37 deputetë nga 120 sish në Kuvendin e Kosovës. Fituesi është ai që merr votat dhe përkrahjen e shumicës së deputetëve, të cilët në mënyrë inkluzive determinojnë shumicën e votave të fituara nga qytetarët, pra mbi 50%. Koha që po kalon nuk do të qoj ujë në mulli të qeverisë Thaçi por do ta vërshojë këtë qeveri me gjithë përbërjen e saj të tanishme antikushtetuese, asamblistë-ekzekutive”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Lajme të ngjashme

Back to top button