Provokatorët e imtë!

Kur një anglez me veturën e tij kishte shkelur Francën, ai kishte vazhduar me vozitjen anës së majtë. Policia rrugore kishte alarmuar vozitësit përmes radios: “Kujdes sepse një i çmendur është duke vozitë anës së gabuar”. Anglezi dëgjon radion dhe në vete thotë: “Eh sikur të ishte vetëm një, a s’shihni se gjithë janë të çmendur”.

Ndërmjetësi Nimic, ishte nisur nga Njujorku me një thes përlotë me optimizëm, por në kthim ai dorëzoj thesin me shumë pesimizëm. Palët nuk kishin ofruar zgjidhje, por vetëm vullnet. Gruevski, si zakonisht, fajin e lyp te tjerët. Ai do të deklarojë: “Nuk shoh ndonjë sinjal serioz nga pala tjetër që tregon se mund të ketë ndonjë ndryshim. Nga informacionet që i kemi, ato janë tërësisht të fokusuar në gjendjen e tyre të brendshme dhe nuk merren me këtë çështje. Nimic do të ketë një detyrë të vështirë. Shpresoj se në një të ardhme të shpejtë do të ketë më shumë sukses”.

Premieri dhe orkestrina e tij prej shumë trambolinave, tani opinionin sikur duan ta bindin se ne jemi të gatshëm për zgjidhje, por Grekët s’duan as të dëgjojnë. E tani, për inat të Grekëve që nuk duan zgjidhje, ne duam zgjidhje. Do t’i plasim ata kur të gjejmë zgjidhje! Çdokush që nuk ka memori idioti, tani lirisht mund të pyes – a është ky i njëjti person që vite me radhë deklaronte se kjo është çështje tejet joparimore dhe se po të organizohej referendum për emrin ai do të votoj kundër?! A është ky ai që sulmonte Evropën si kushtëzuese, si nënçmuese e degraduese?! Kur mund të ketë qenë i sinqertë premieri ynë, atëherë apo tani? A thua se nuk ka qenë i vetëdijshëm për atë se kur e ziejmë helmin, ai së pari na helmon neve?! Por, nuk kaloj as një javë kur Gruevski sërish me këngën e vjetër – e gjithë bota janë të çmendur!

Çmenduria e udhëheqësve tanë s’ka fund. Tani Gruevski qenka i interesuar të gjendet zgjidhje për emrin, por Grekët nuk qenkan të preokupuar me këtë problem. Paskan shumë probleme tjera. Por, çka i duheshte Gruevskit që me ardhjen e tij në pushtet, pa asnjë arsye t’i provokoj Grekët me antikën derisa ata as që pengonin integrimin e Maqedonisë në EU dhe NATO?! Në këtë pyetje kurdoherë ai do të duhet të jep përgjigje të arsyeshme (nëse ekzistojnë të tilla). Të thërrasësh “ish” aty ku s’ka pula është një çështje që vlen hulumtim mjekësor. Por, ai sikur na mbronte nga të gjitha të “këqijat” pos vetvetes. Filloj me përmendoret sikur ata të ishin brengë parësore e qeverisjes së tij. Sa më shumë përmendore aq më pak njerëz. Shumë vet që nuk patën fatin të jenë përmendore ikën jashtë, kurse ata që mbetën janë duke u djegur në diellin antik të Gruevskit. Madje, tani pro zgjidhjes qenkan edhe do analistë privat të premierit. Nikovski që gjithë kohën në refren trumbetonte se poqese edhe një germë nga emri ndrohet, do “zhdukemi si popull”, tani është për zgjidhje, por ja që Grekët nuk dashkan, madje sikur ne të pajtohemi edhe për “erga omnes”!!!

Kurdoherë, kur televizionet private e publike do të pushojnë që edhe elementet e tyre banale programore t’i kenë në ngjyrën e VMRO-së, do të duhet të jepet përgjigje  – kush dhe për çfarë qëllimi minoj kaq vite procesin euroatlantik, që na solli gjer në maje të mizërisë botërore. Pse dikush aq gjatë duroi këtë?! Po të mos kishte vepruar ashtu, Maqedonia tani do të ishte anëtare e plotë e UE (që nga viti 2012), me dinamikë serioze zhvillimore, me rrogë mesatare mbi 700 evra, kurse papunësia do të ishte afër zeros. Tani borxhi publik është dyfishuar (nga dy miliardë në katër), a jemi dyfish më të varfër. Dyfish më të çorientuar e dezorganizuar. A thua, ku humbën aq shumë para?! Tani kjo havari sikur dëshirohet të mbulohet me procese gjyqësore politike dhe me dënime drakonike për veprime protestuese që gjykatat normale dënojnë me para. Vetëm diktaturat fashiste synojnë të mbijetojnë me frikë. A në fakt kjo paraqet vetëm hedhje benzinës në zjarr. Ambicie të sëmura të dikujt mund të çojnë gjer në vdekje të shumëkujt. Pushteti gjithë kohën ushqen masën me nacionalizëm, i vetëdijshëm se një gram nacionalizëm mund të maskon mijëra tonë vjedhje. Me do “provokatorë të imtë” maskohen shumë mafiozë të mëdhenj.

Si duket, gjendet apo jo zgjidhje për emrin, vjeshta pritet të jetë shumë më e nxehtë se sa vera. Madje ndokush do të digjet në te. Disi nuk kanë fat premierët ballanik, që nga Kroacia, Sllovenia, ndoshta tani edhe Kosova. Ne jemi fqinjë të afërt. Por, ndoshta do të çlirohemi nga disa që vetëm nga ndonjë gabim mund të bëjmë ndonjë punë të mirë. Opsionet e reja politike, duhet shumë qartë dhe troç ta thonë se do të kërkojnë llogari për çdo pasuri të bartësve të funksioneve publike, rrethit të tyre familjar e shoqëror. Nëse këtë e bëri një Vuçiq, përse jo edhe ne?! Koha që moti ka kaluar kur është dashur të kuptojmë se duhet të jemi në harmoni me nevojat tona e jo të pushtetarëve. Dhe se nga një menaxhim kaq i papërgjegjshëm kemi humbur instinktin elementar natyror – të dallojmë të mirën nga e keqja. Derisa gjithë rajoni shkon para, premieri ynë merret me do “provokatorë të imtë të 2001”.

Lajme të ngjashme

Back to top button