Librat në shqip, problem rrënjësor ende pa zgjidhje

Kanë kaluar dy vite që kur MASH lajmëroi se librat skandaloz do të zëvendësohen me të rinj të përkthyera nga Kembrixhi i Anglisë. Në këtë posaçërisht u gëzuan shqiptarët pasi që vite me radhë po mësojnë me libra të stërmbushura me gabime.

Të martën, në pyetjen e redaksisë Portalb drejtuar Ministrit të Arsimit, Abdilaqim Ademit, se kur do të jenë të gatshme këto libra, ai lajmëroi se nga një shatori, klasat e para, dyta dhe treta do të kenë para vetes librat e rinj. Por, ajo që nuk ceki ministri është fakti se bëhet fjalë vetëm për libra në dy lëndë dhe atë “Dituri natyre” dhe “Matematika” ndërsa projekti do të mbarojë në vitin 2017 ku të gjithë nxënësit e shkollave fillore parashihet të marrin këta dy libra.

Lavdërim pa masë, punë pak
Por problemi nuk zgjidhet me aq dhe është shumë më thelbësor. Nga shoqata arsimtarëve shqiptarë thonë se shumë pak libra përkthehen, vetëm dy, dhe shpesh është  hasur kualiteti i dobët gjatë përkthimeve në gjuhën shqipe.

“Ne si shoqatë kemi qenë çdoherë aktiv për përmirësimin e librave në gjuhën shqipe, ku fatkeqësisht këto gabime janë edhe të qëllimshme. Ne tani kërkojmë që librat e gjuhës shqipe të unifikohen me ato të Shqipërisë, veçanërisht, gjuha shqipe, historia dhe muzika, pasi duam të kemi më shumë qasje me heronjtë dhe artin tonë kombëtar.” thotë për Portalb, Etem Xheladini, kryetar i Shoqatës së arsimtarëve shqiptarë në Kumanovë.

Në lidhje me ndryshimet dhe përkthimet e fundit nga Kembrixhi, Xheladini shprehet se veprimi i tillë nuk është i keq por nga e kaluara e kemi të qartë se kur bëhen përkthimet nga gjuhët tjera në gjuhën shqipe, ka pasur gabime të rënda!

Madje, një profesor i shkencave ekzakte nga qyteti i Dibrës, thekson se gabimet  janë të qëllimshme dhe të jep përshtypjen sikur në librat e matematikës mësohen edhe shkronjat e alfabetit maqedonas.

“Krahas problemit të toponimeve dhe emrave të gjuhës shqipe, thuajse në çdo dy-tre faqe kemi problemin e shfaqjes së shkronjave cirilike. Jepet bashkësia ose tabela me shkronja cirilike. Unë mendoj se kjo është e qëllimshme, pasi sikur na paralajmëron dhe na detyron të njohim shkronjat e tyre” tha mes tjerash profesori që deshi të mbetet anonim për Portalb.

“Ne shpesh ua mësojmë historinë shqiptare nxënësve jashtë plan-programit, për shkak të orëve të cunguara që na jep ministria. Mbase kjo tolerohet në gjeografi, ku ne nuk mund ti mësojmë të gjitha qytetet shqiptare  në Shqipëri dhe Kosovë, por heronjtë shqiptarë, periudhat tona historike, janë të shumta dhe duhet minimum disa muaj që së paku të arrijmë të njihemi me proceset më të rëndësishme  historike. Vetëm Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), që paraprin Pavarësinë e Shqipërisë (1912), duhet së paku një muaj për ta shpjeguar mirë dhe atë jo sipas standardeve të mirëfillta.” shprehet për Portalb, profesori i historisë, A.P./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button