Edhe këtë vit nxënësit e Maqedonisë pa Abetare të përbashkët me Shqipërinë

Edhe këtë vit shkollor nxënësit e Maqedonisë nuk mund të mësojnë nga Abetarja e përbashkët nga e cila mësojnë nxënësit e Shqipërisë dhe Kosovës. Ministrisë së Arsimit në Maqedoni dhe Shqipëri nuk ju kanë mjaftuar katër vite për të rinovuar Marrëveshjen bilaterale për bashkëpunim në sferën e arsimit. I pyetur nga Portalb.mk për këtë çështje, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abidlaqim Ademi tha se po punohet në këtë drejtim, gjegjësisht teksti i marrëveshjes është duke u harmonizuar.

“Marrëveshja me Shqipërinë ende nuk është gati , teksti i marrëveshjes është duke u harmonizuar dhe në shtator do të jem në Shqipëri dhe në këtë takim do të ri-konfirmojmë harmonizimin. Më pas duhet të kalohen procedurat ligjore të cilat nënkuptojnë ratifikimi i marrëveshjes në Qeveri dhe Parlament dhe të nënshkruhet nga të dy palët.” tha sot Ademi.

Deri kur do të presin nxënësit?

Mirëpo të njëjtën për Portalb.mk e tha edhe ish zëdhënësi i MASH, Goran Galevski në shkurt të këtij viti.

“Që nga viti  2001 kemi pasur marrëveshje në fushën e arsimit me shtetin fqinj, Shqipërinë. Marrëveshja e parë skadoi në 2007 ku menjëherë u bë një tjetër me kohëzgjatje prej 3 viteve. Tani jemi duke përgatitur për të krijuar në draft program dhe se shpejti pritet të lidhet sërish një marrëveshje me të cilën do të kemi bashkëpunim ashtu si më herët”, tha atëbotë për Portalb, Galevski.

Që nga dhjetori i vitit 2010, kur ka skaduar afati i kësaj marrëveshje, dy vendet nuk kanë mundur të vazhdojnë bashkëpunimin në mënyrë zyrtare.

Shkupi dhe Tirana për katër vite me radhë nuk bashkëpunojnë as në programet e përbashkëta arsimore, kurse studiuesit nga dy vendet nuk kanë pasur mundësi të bëjnë bashkërisht hulumtime shkencore.

Po ashtu, në mungesë të kësaj marrëveshje studentët shqiptarë nga Maqedonia nuk mund të shfrytëzojnë kuotat që ishin të garantuara për ta nëpër universitetet e Tiranës, para skadimit të marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Back to top button