Katari i vendosur për Botërorin 2022 në verë

Katari është i vendosur dhe i angazhuar në maksimum për të organizuar Kupën e Botës 2022 gjatë verës.

Prej disa javësh FIFA ndodhet nën presion të vazhdueshëm për spostimin e kampionatit në dimër, një ide që ka gjetur mbështetje të gjerë nga të gjitha vendet anëtare të UEFA-s, ndërkohë që së fundi është hedhur edhe ideja e zhvillimit të Botërorit në pranverë.

Përmes një deklarate, komiteti organizativ u shpreh i palëkundur dhe theksoi se ekzistojnë të gjitha kapacitetet që eventi më i madh futbollistik të zhvillohet gjatë verës, edhe pse problem paraqiten temperaturat ekstremisht të larta në vendin e vogël të Gjirit Persik.

Organizatorët e Katar 2022 sigurojnë më tej se përmes teknologjisë më të fundit, është e mundur që të garantohen temperatura të pranueshme gjatë stinës së nxehtë në të gjitha ambientet publike, në zonat stërvitore, në stadiume dhe kudo ku do të shkelin lojtarët apo tifozët gjatë botërorit.

Kjo teknologji, bënë të ditur organizatorët, është implementuar për herë të parë në stadiumin e klubit Al Sadd 5 vjet më parë dhe tani janë në proces edhe stadiume të tjera. Katari siguron kështu ajër të freskët dhe temperatura optimale, por a do të zhvillohet Kupa e Botës 2022 sipas traditës në stinën e verës? Për këtë duhet të presim, pasi fjala e fundit i takon FIFA-s.

Lajme të ngjashme

Back to top button