Vazhdojnë akuzat VMRO-LSDM për nepotizëm

Vazhdon “lufta” në distancë mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së. Akuza për nepotizëm ndaj kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev ka dërguar sot vet kryeministri Nikolla Gruevski. Sipas tij, po të zbulohen raste të tilla në Europë do të ishte skandal i vërtetë.

“Kur sot del se babai dhe xhaxhai kanë marrë tenderë, të nesërmen reja, të pasnesërmen kunata dhe kushedi se çfarë do të del. Ndonjëherë pyes veten nëse kunata, reja, babai apo ku ta di e Merkelit, Kamerunit, Fransoa Olanit etj, masovisht marrin tenderënë vendet e tyre, a do të jetë debati se a është kjo ligjore apo jo, apo do të ketë tjetër debat. Me të vërtetë pyes veten, me këto punë që ka bërë për veten, me çfarë mend ka vendosur të bëhet lider i partisë më të madhe opozitare”, tha Gruevski.

Në përgjigjen e saj, LSDM-ja ka akuzuar se është pikërisht qeveria Gruevski ajo që është e njohur për nepotizëm, duke i përmendur kushërinjtë e Gruevskit Sasho dhe Vllatko Mijallkov dhe kumbarën Zoran Stavrevski.

“Me çfarë mendje Nikolla Gruevski, njeriu i cili emëroi kushërirët e tij të parë Sasho dhe Vllatko Mijallkov dhe kumbarën Zoran Stavrevski për kontrollorë dhe shefa të parave të qytetarëve të Maqedonisë, bën krahasim me politikanë si Angjela Merkel dhe Dejvid Kamerun. Kjo është metastaza familjare e familjes Gruevski e instaluar në qeverinë e Maqedonisë. Fenomen i paparë në historinë më të re europjane. Njerëz të tillë, sipas standardeve europjane, nuk guxojnë të merren me politikë, e jo më të jenë kryeministra”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button