Disa ditë para vrasjes, Santo u ndoq nga autorët me motor tjetër

Autorët e vrasjes mafioze të Artan Santos e kanë ndjekur disa ditë me radhë bankierin, deri sa kanë gjetur ditën e përshtatshme për ta ekzekutuar paraditen e 26 qershorit.

Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën “Shqip”, se kanë kryer qindra veprime hetimore për këtë çështje, mes të cilave edhe analizimi me kujdes i kamerave të sigurisë në disa biznese në zonën e Bllokut, ku dhe viktima kalonte në mëngjes për të shkuar në punë, pranë bankës që administronte prej vitesh. Mësohet se hetuesit kanë analizuar filmimet e kamerave nga data 20 deri mëngjesin e 26 qershorit, të zonës pranë Liceut Artistik, ku dhe kishte shtëpinë, në afërsi të TVSH-së, në kryqëzimin mes Kryeministrisë dhe hotel “Rognerit”, për të dalë në Bllok, ku ishte edhe destinacioni përfundimtar i Artan Santos, puna e tij. Në këtë itinerar janë marrë kamerat dhe janë parë me kujdes, ku është faktuar se bankieri është ndjekur edhe ditët para ekzekutimit. Më saktësisht, në këto filmime autorët shfaqen me një motor të ndryshëm nga ai që kishin paraditen e 26 qershorit, ku përshkojnë rrugën nga Liceu te zona e Bllokut në Tiranë.

Burime nga prokuroria thanë për gazetën, se në këto pamje filmike autorët kanë të njëjta veshje, me ato të ditës së ngjarjes, por ndryshon vetëm mjeti. “Autorët kanë përshkuar të njëjtën rrugë që bënë edhe më 26 qershor. Madje, ata janë parë ta kryejnë disa herë këtë rrugë, duke bërë edhe lëvizje të shpejta. Pozicionet e tyre në motor nuk ndryshojnë, ku më i dobti kishte të njëjtën veshje apo edhe kokore. Po ashtu, edhe personi që qëndronte në timonin e motorit ishte i njëjtë, me strukturë të njëjtë trupore. Ndryshimi i vetëm i tyre ka qenë motori, i cili kishte një cilindrat më të vogël nga ai që u përdor ditën e ekzekutimit”, pohojnë burimet.

Në analizë të këtyre të dhënave, hetuesit pohojnë se përshkimi i këtij itinerari ka qenë me qëllim studimi i të gjithë rrugës, nga banesa e Santos e deri te banka ku punonte. Ditët para ekzekutimit, sipas prokurorisë, autorët nuk kanë dashur të bien në sy me një motor me cilindrat të madh, pasi nuk kanë pasur si synim vrasjen, nga ku do u nevojitej largimi me shpejtësi. Ata kanë matur të gjithë distancën apo studiuar edhe vendin e ekzekutimit, pasi janë parë që të shkojnë disa herë para bankës që drejtohej nga Santo.

Prokuroria ka faktuar edhe lëvizjet e autorëve ditën e ngjarjes. Dy autorët e dyshuar me motor kanë vepruar gjatë dhe kanë studiuar çdo lëvizje përpara se të kryenin vrasjen. Mëngjesin e 26 qershorit janë parë të lëvizin me motor pranë shtëpisë së bankierit të njohur, në pritje të daljes së tij. Ata kanë ndjekur makinën që ka ecur përkrah godinës së Radio Televizionit Shqiptar, për të dalë më pas përpara tij dhe Ambasadës Italiane.

Makina e ndjekur nga dy vrasësit me pagesë ka kaluar në rrugën që të çon për te Kryeministria. Fotoja e marrë nga kamerat e sigurisë në kryqëzimin përpara Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tregon se si makina ndiqej hap pas hapi nga motori me dy personat. Më pas automjeti është drejtuar përpara zyrave të Kuvendit të Shqipërisë për të përfunduar në hyrje të Bllokut, ku u krye edhe ekzekutimi. E gjitha kjo skenë, e filmuar nga kamerat e sigurisë së bankës, përpara vendqëndrimit të rojës private dhe një polici me motor që ndodhej disa metra më tej, ka zgjatur 23 sekonda. Pas kryerjes së vrasjes, motori me dy personat është larguar me shpejtësi në drejtim të Librit Universitar, ku është kapur në kryqëzimin mes kësaj librarie dhe Presidencës nga kamerat e sigurisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button