Protesta pro Palestinës në Prishtinë

Do të duhej të ishte një protestë simbolike kundër bombardimeve izraelite mbi territoret palestineze,  por e tërë vëmendja u zhvendos tek shqiptarët që i janë bashkuar luftës së Sirisë. 

Kjo pasi në qendër të Prishtine ku po mbahej protesta nën organizimin e Lëvizjes Bashkohu u shfaq një grua e cila akuzoi organizatorët se po ndihmojnë njerëzit të shkojnë në Siri përfshi edhe vëllain e saj. Ajo tha se quhet Remzije Sefa ndërsa vëllai i saj është Faton Sefa për të cilin familja është njoftuar se ka vdekur nëpërmjet një mesazhi telefonik.

“Para 6 muajsh më kanë sjellë lajmin se vëllai im ka vdekur në Siri. Ndërsa unë asnjëherë nuk e kam kuptuar se kush ishte personi një më nisi mesazhin”, tha Remzije Sefa.

E nxitur nga pyetjet e gazetarëve, ajo  tha se nuk ka informacione të sakta se me kë ka qenë në kontakt vëllai i saj kur ka marrë rrugën e Sirisë.

“Unë erdha të akuzoj këta persona sepse unë nuk i besoj këtyre. Vëllai im ka shkuar në Siri nëpërmjet organizimeve të këtyre personave”, shtoi Sefa.

Paraqitja e Remzije Sefa nuk u prit mirë nga protestuesit të cilët e kritikuan për propagandë dhe keqpërdorim të protestës pro palestinezeve.

“Kjo është një keqpërdorim i protestës, disa sharlatanë medial, qe tri vjet që adresojnë akuza ndaj meje që ne jemi të përfshirë, ju e dini çka është e vërteta e dinë edhe ata por duan ta zhvendosin vëmendjen nga problemet dhe nga situata që ndodhin populli shqiptar. po të kishte diçka të vërtetë dikush do ta ngritur këtë çështje”, u shpreh  Fuad Ramiqi, Lëvizja Bashkohu.

Sa i përket situatës në Gaza, Ramiqi kërkoi nga kuvendi i Kosovës që të miratojë një rezolutë kundër agresionit izraelit. Protestuesit e tjerë thanë se mbrojnë palestinezët edhe për faktin se kanë fatin e keq të njëjtë si shqiptarët e Kosovës në luftën e fundit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button