Mos e humbni gjakun, mjaft më me -Ovski e -Viç-a

Thuhet në Librat e Zotit: Ju kurrë s’mund të bëni aq gabime, sa Zoti mund të bëj falje.
Ne jemi qenie njerëzore, të gabueshme. Askush nga ne nuk është i pagabueshëm, i pamëkat.
E nëse Zoti falë gabime, kush jemi ne që të mos falim?
Do i falim gabimet e njëri tjetrit, do i falim gabimet e gjakut tonë dhe padyshim që do jemi më të lumtur e më të fortë. E që gabimet të falen, duhet kërkuar falje, ose së paku, të mundohemi të përmirësojmë gabimet tona, të mundohemi të mos i përsërisim të njejtat.

Jetuam në kohëra të sundimit të djallit, djall i zi që u përpoq të shteronte çdo gjë njerëzore nga qeniet tona, nga vetëdija jonë njerëzore e kombëtare. O njerëz të gjakut tonë, a nuk e shihni në horizont lirinë, a nuk është mëkat të dorëzohemi e nënshtrohemi tani ?
Kanë kaluar kohërat kur me shpatë e pushkë mbi kokë, na ndërruan emra e mbiemra, gjuhë e kombësi. Kur ata që nuk pranuan u likuiduan pa mëshirë, për të ua fshehur dhe varret.
Kanë kaluar kohërat kur i mbyllnin institucionet e ndaluan gjuhën tonë. Kur na thanë se është turp të jesh shqiptar.

Kanë kaluar kohëra kur Titon na e bene idhull e Shqipërinë armik. Kur fëmijën nuk bënte ta emërtosh me emër shqiptar. Kur këngët shqipe ishin krim e sulm ndaj shtetit.
Kanë kaluar kohëra kur as rrobat nuk guxohej të kishin kombinim e ngjyrave Kuq e Zi, e lëre më të valëvitnim flamurin tonë të dashur. Na etiketuan me Ovski e Viq-a, sikur delet që etiketohen me ngjyra, për t’u ditur se kujt i takojnë.

Ndaj, është koha që të qëndrojmë akoma, sot kur është shumë më lehtë se në kohën e baballarëve tanë, e të gjyshërve tanë. Sot kur bota jonë po hapet, e lirshëm e me krenari mund të thuash që je shqiptar. Kur këngë e gjuhë shqipe, lirshëm mund t’i përdorim.

Njerëz të gjakut tonë, ka qenë çfarë ka qenë, që na humbën gjuhë e komb, por sot është koha të shpaguhemi ndaj vetvetes, në mos tjetër, për 100 vite robëri. Le të heqim tani etiketimet që na i bënë si deleve. le t’i heqim Ovski-at e Viq-at, të kthehemi aty ku takojmë. Kaherë i mbuloi toka “idhujt” e imponuar, Tito e ç’Tito dhe u shemb perandori e krimit.
Të gjitha gabimet do të n’a falen, nga Zoti, Kombi e Atdheu , vetëm le të përmirësohemi. Të kthehemi në gjirin që i takuam gjithmonë.

Që nesër mos te turpërohemi, para fëmijëve tanë, pasardhësve tanë, le të përmirësohemi tani.  Kthjelluni o njerëz te gjakut tonë. Ne gjithmonë iu mirëpresim, e të gjitha gabimet do i harrojmë, për hir të ardhmërisë sonë, për idealet tona më të larta.
Nëse nuk pastrohemi sot, do kumbojë aromë të keqe nesër dhe as të varrosemi pranë të parëve tanë që vdiqën për të mos u bërë Ovski e Viq-a, nuk e meritojmë.
Sot nuk ka arsyetim, kthehuni në gjirin e kombit tuaj, që të jeni pasardhës të denjë të të parëve tuaj e shembull i mirë për pasardhësit tuaj.

Enes Neziri
Student pasdiplomike ne Universitetin e Europes Juglindore
Cikli Master/Diplomaci

Lajme të ngjashme

Back to top button