Кeqpërdorime milionëshe në Spitalin e Prilepit, Prokuroria ngriti aktakuzë
Prokuroria Themelore Publike në Prilep ka ngritur aktakuzë kundër 8 personave fizikë dhe një personi juridik për vepra penale të vazhduarа: Përvetësim në shërbim dhe Keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për prokurim publik ose partneritet publik-privat, transmeton Portalb.mk.
Për veprën penale të përvetësimit, të paraparë në nenin 354 të Kodit Penal, të akuzuar janë ish-drejtoresha e ISHP Spitali i Përgjithshëm Prilep dhe edhe tre të punësuar në spital, të cilët në periudhën nga fillimi i vitit 2022 deri në korrik 2024 kanë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme mjete financiare të besuara në shërbim dhe kanë siguruar dobi të konsiderueshme pasurore në vlerë të përgjithshme prej 9.605.081 denarë.
Përmes urdhërpagesave fiktive të punës dhe formularëve/arkë-pagesave me përmbajtje të pavërtetë për punë kinse të kryera për nevojat e spitalit, u janë paguar mjete personave fizikë nga qarkullimi i realizuar prej pagesës së participimit për shërbime shëndetësore, pa përdorimin e sistemit të DAP-it, pa kontrata dhe pa dokumentacion për arsyeshmërinë e shpenzimeve.
Pagesat shpesh janë arsyetuar me fatura fiskale për karburant, por edhe me fatura fiskale nga piceri, restorante, kafene, ëmbëltore dhe objekte të tjera hotelierike, pra si shpenzime që nuk kanë qenë për nevojat e spitalit.
Me qëllim të fshehjes së veprimeve, në sistemin kompjuterik kontabël të spitalit janë futur të dhëna me përmbajtje të pavërtetë dhe janë bërë korrigjime të regjistrimeve të krijuara, duke futur shuma të reja që përputheshin me urdhërpagesa pune të përgatitura në mënyrë fiktive.
Për veprën penale të keqpërdorimit të procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për prokurim publik ose partneritet publik-privat nga neni 275-v, të akuzuar janë ish-drejtoresha dhe një roje sigurie në spital, udhëheqës dhe dy pronarë të një personi juridik për sigurim të pronës dhe personave, si dhe vetë agjencia e sigurimit.
Të gjithë ata, së bashku dhe me dashje, në dy raste, me vetëdije kanë shkelur rregulloret për dhënien e kontratës për prokurim publik, duke mos i përmbushur obligimet nga kontrata për sigurimin fizik të spitalit dhe me qëllim që kontrata të keqpërdorej, duke i mundësuar personit juridik të akuzuar të realizojë dobi të konsiderueshme pasurore në vlerë të përgjithshme prej 6.567.538 denarë, ndërsa spitalit i është shkaktuar dëm i madh.
Edhe pse kompania e angazhuar nuk i ka përmbushur obligimet nga kontrata, është mbajtur evidencë fiktive dhe shërbimet janë paguar rregullisht sipas faturave të dorëzuara.
Përveç kësaj, ish-drejtoresha e spitalit të Prilepit akuzohet edhe për vepra penale të vazhduara Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353 i Kodit Penal, pasi në disa raste ka miratuar pagesa mjetesh nga llogaria, ushqim për të sëmurë, ndaj objekteve hotelierike, si dhe ndaj dyqaneve koloniale, edhe pse shërbimet dhe produktet e blera nuk kanë qenë të destinuara për nevojat e pacientëve të hospitalizuar në spital.
Në këtë mënyrë i ka shkaktuar spitalit dëm më të madh pasuror në vlerë të përgjithshme prej 1.439.987 denarë.
Në periudhën nga viti 2022 deri në 2024, e akuzuara ka kryer edhe pagesa të pabazuara të shtesave për punë jashtë orarit për disa të punësuar të përzgjedhur në mënyrë selektive, me ç’rast buxhetin e spitalit e ka dëmtuar për një shumë shtesë prej 1.850.895 denarë.
Në lidhje me një pjesë të veprimeve që ishin objekt i hetimit të nisur pas kallëzimit penal nga Drejtoria e Policisë Financiare dhe në bazë të gjetjeve të Entit Shtetëror të Revizionit, vazhdon procedura hetimore në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.