Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë e ka kthyer sërish vëmendjen e tij tek heqja e imunitetit. Ai i ka bërë edhe njëherë thirrje liderit të opozitës, Edi Rama të votojnë në Kuvend për heqjen e imunitetit.
Berisha deklaroi më tej, se Ramës i duhet imuniteti për këshillin e miliarderëve që ka në parti, ndërsa shtoi se ai nuk mendon për socialistët e thjeshtë.
“Duhet miratuar ligji që gjyqtarët të mos kenë imunitet, ligji i Shqipërisë pa imunitetet, ligji që barazon kryeministrin me gjykatësin e qytetarin, ligji që i shton barazi dhe civilitet qeverisë. Unë e ftoj nga kjo mbledhje zotin Rama të votojë heqjen e imunitetit”, tha ai.
“Të mos dëgjojë më këshillin e miliarderëve të partisë, por zërin e socialistëve të thjeshtë, të mos dëgjojë më nënkryetarin në hije të Partisë Socialiste që mbron pasuritë e tij nën hijen e imunitetit, të bëjë zgjidhjen midis imunitetit të Tom Doshit dhe interesave të ngushta të socialistit që e voton për 20 vite me radhë. Mos të dalë nga tribuna në tribunë të vajtojë për varfërinë, atë e nxit korrupsioni, nuk them se e ka për veten, se ai s’ka imunitet, por nuk e lë këshilli i miliarderëve, ata janë vendimmarrësit më kryesorë në partinë e tij”, shtoi më tej kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha./Portalb
Komento