Maqedoni - Lajme

500 mijë euro reklamë për bashkëjetesë 'të dhunshme'

Marrëdhëniet ndër-etnike viteve të fundit acarohen kohë pas kohe, pësojnë viktima të pafajshëm, me këtë del në pah dhe synimi i dështuar i shtrenjtë i Qeverisë

E. Z     ( lexuar 671 herë )     Shkup 12:06 14.03.2013
Një i ri shqiptar që pësoi nga huliganët maqedonas më 1 mars 2013 në sheshin e Shkupit

Një i ri shqiptar që pësoi nga huliganët maqedonas më 1 mars 2013 në sheshin e Shkupit

Reklamat e shtrenjta qeveritare për bashkëjetesë sikur nuk përmbushin qëllimin e duhur për të “edukuar” popullatën e vendit që “të dojë” më shumë njëri tjetrin.

Marrëdhëniet ndër-etnike viteve të fundit acarohen kohë pas kohe, pësojnë viktima të pafajshëm, me këtë del në pah dhe synimi i dështuar i shtrenjtë i Qeverisë. Kështu thonë njohësit e strategjive të komunikimit. 

Sipas të dhënave të Drejtorisë për furnizime publike, vetëm për fushatën për promovim të bashkëjetesës ndëretnike dhe ndër-fetare vitin e kaluar janë harxhuar jo më pak se 500 mijë euro.

Por realisht, nëpër rrugë dita-ditës shohim violencë dhe urrejtje ndër-etnike të shoqëruara nga protesta të dhunshme.

Profesori universitar, Agron Kurtishi  është i mendimit se madje në të shumtën e rasteve në Maqedoni anashkalohen grupet e ndryshme racore dhe etnike, reklama, me kalimin e kohës, mund të sjellë probleme imazhi dhe identiteti, gjë e cila më vonë mund të kalojë në dezorientim të shoqërisë si dhe në frustracion.

“A i njeh Maqedonia mediat dhe reklamën multietnike? Si duhet të duken këto media dhe reklama multietnike? Shteti maqedonas ka një kohë të gjatë që, sidomos në kanalet shtetërore, promovon vlera të ndryshme sllavo-maqedonase dhe krishtero-ortodokse. Etnitetet e tjera anashkalohen në çdo mënyre. Kjo bie në sy sapo të hapësh televizorin. Transmetimi i të gjitha elementeve televizive nuk mund të jetë pa pasoja, aq më shumë kur bëhet fjalë për shoqëri të përziera, siç ndodh edhe në Maqedoni” thekson Kurtishi.

Ai thotë se duke e privilegjuar një komb (maqedonasit) dhe duke e dëmtuar një tjetër, duke e keqpërdorur atë, ulet në mënyrë drastike shkalla e nivelit të përgjegjësisë morale të kompanive që bëjnë reklamën dhe, natyrisht, edhe të masmediave ato të cilat e transmetojnë informacionin, reklamën.

Profesoresha Liljana Siljanovska është e mendimit se politikanët janë fajtorë për acarimin e situatës, ndërsa efekti i reklamave nuk mund të shihet menjëherë.

“Ajo që duket është se politikanët nuk kanë kujdes shumë të madh kur dalin në opinion dhe acarojnë marrëdhëniet ndëretnike. Problemi te reklamat qëndron në atë se efekti i tyre mund të shihet shumë vonë, pas ca kohësh dhe tani për tani duket se është mirë që edukohet popullata, por do të shohim” thotë Siljanovska. 

Për promovimin e saj, Qeveria nuk ndalet këtu, projekti më i fundit është ai për reklamim në Google.  /Portalb

Komento

loading
loading
loading